«Për muralet Veseli ka respektuar qëndrimet e mëhershme të Kuvendit»

Vendimi i kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli lidhur me muralet në hollin e Kuvendit është vazhdimësi e bartur formale e qëndrimeve të katër legjislaturave të mëparshme të Kuvendit të Kosovës lidhur me këtë çështje, thuhet në deklaratën e Zyrës së Shtypit të Kuvendit të Kosovës.




Shumë nga ata që sot po bëjnë zhurmë rreth muraleve, kanë qenë vetë pjesë vendimmarrëse në formësimin zyrtar të po këtyre qëndrimeve. Kryetari Veseli nuk ka qenë pjesë e këtij qëndrimi të mëhershëm zyrtar, transmeton Koha.net.

Në këtë kontekst, Kryetari Veseli ka qenë i obliguar të respektojë qëndrimet zyrtare të kryesive të deritanishme të Kuvendit, deri në një vendimmarrje të re.

Zgjidhja aktuale është e përkohshme, ashtu siç janë edhe artistikisht shumë të diskutueshme nga profesionistët e artit, muralet në hollin e Kuvendit!

Kryetari i Kuvendit do të propozojë një konferencë me profesionistë të fushës së artit me qëllim që në muret e Kuvendit të Kosovës të prezantohen vepra me vlera të vërteta artistike, kombëtare dhe universale.

Historia dhe identiteti ynë kombëtar është tepër i çmuar, prandaj as nuk mund të lihet në duart e joprofesionistëve, e as nuk mund të bëhet objekt i manipulimit për qëllime të politikës ditore.