Pasuria e presidentit Thaçi

Deklarimi i pasurisë në Agjencionin Kundër Korrupsion të Kosovës nga zyrtarët shtetëror është publikuar sot. Deklarimin e pasurisë së tij e ka bërë edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi.




I pari i vendit ka pasuri të paluajtshme në vlerë mbi 600 mijë euro. Ai posedon një tokë për ndërtimin e shtëpisë në vlerë 157 mijë euro, shtëpi në ndërtim, të cilën e ka shitur në vlerë 280 mijë euro, në posedim të përbashkët ka një tokë bujqësore shtatë hektarë në vlerë 180 mijë euro dhe po ashtu një shtëpi të përbashkët në vlerë 80 mijë euro, transmeton Koha.net.

Ai në pasuri të luajtshme ka deklaruar një veturë të bashkëshortes në vlerë 9 mijë euro. Ndërsa para të gatshme në llogari bankare ka 1,250 euro të tijat dhe 5,010 euro të bashkëshortes. Thaçi ka edhe detyrime financiare, kredi, të cilën e ka marrë për ndërtimin e shtëpisë. Nga 100 mijë eurot e marra për ndërtimin e shtëpisë, atij i kanë mbetur edhe 31,052 euro për t’i kthyer.

Presidenti Thaçi të hyra vjetore ka 34,478 euro, të cilat i merr si pagë si president, kurse bashkëshortja e tij merr pagë vjetore 18,000 euro për punën në një universitet privat.