Pasojat e budallallëkut të 17 marsit 2004 Kosova po i vuan dhe paguan edhe sot

Trazirat e 17 marsit të vitit 2004 nuk kanë qenë revoltë e shqiptarëve të Kosovës për të zgjidhur statusin e Kosovës, por një lojë e inskenuar e shërbimeve serbe dhe instrumenteve të tyre në partitë politike të Kosovës të themeluara pas luftës. Beogradi synonte ndarjen, këta «tanët» pushtetin.

Kosovë, mars 2004.



Më 17 mars 2004 në disa pjesë të Kosovës shpërthyen trazira në pamje të parë të koordinuara, të cilat u drejtuan kryesisht kundër pakicave etnike në Kosovë. Me një orgji të paparë dhune që nga mbarimi i luftës më 1999 protestat e bënë Kosovën temë të mediumeve ndërkombëtare, por kësaj radhe ishin ndryshuar rolet: viktima ishin pakicat (sidomos civilët serbë), ndërsa tani rolin e keqbërësit e kishin marrë shqiptarët. Një tragjedi e pasqaruar tamam shërbeu si ndezje iniciale për protesta: fjala është për mbytjen në ujë të dy fëmijëve shqiptarë në Mitrovicë dhe ngutinë joprofesionale të RTK-së së atëhershme që për këtë menjëherë t’i akuzojë paushall serbët. Kjo nguti i dha hov turmave, të cilave u prinin njerëz të shërbimeve sekrete partiake, sidomos atij të PDK-së, me qëllim të përhapjes së kaosit. Askush nga liderët politikë, përfshirë edhe Ibrahim Rugovën, nuk ishin në nivel të detyrës dhe përgjegjësisë publike. Të dilje të mbroje pakicat më 2004? Më mirë jo, sepse falangat e «çlirimtarëve» me mediat e tyre do të akuzonon si «spiun të Beogradit».

Për trazirat e vitit 2004 në të ardhmen do të zbulohen më shumë hollësi, sidomos me publikimin e raporteve të NATO-s dhe OKB-së. Por edhe tani, 12 vjet pas trazirave, ka mjaft të dhëna që mbështesin tezën se pothuaj gjithçka ishte e inskenuar dhe nuk bëhej fjalë për kurrfarë revolte shqiptare. Sipas një aktivisteje për të drejtat e njeriut nga Beogradi, e cila është mjaft e njohur në Kosovë, shërbimet sekrete serbe në marrëveshje «me shërbimet sekrete partiake» të shqiptarëve të Kosovës inskenuan ngjarjet e 17 marsit të vitit 2004, si përpjekje përfundimtare për ndarjen e Kosovës. Këto trazira me 19 viktima (shumica shqiptarë), qindra serbë të përndjekur, dhjetëra shtëpi e kisha ortodokse të djegura e dëmtuan rëndë imazhin e Kosovës në botën perëndimore.

Serbia duke shfrytëzuar si mashë elementë shqiptarë të etur për pushtet, arriti dy qëllime strategjike: plasoi në botën perëndimore narrativin për shqiptarët po aq kriminelë sa forcat serbe që kishin bërë kërdi mbi popullsinë civile shqiptare në vitet 1998-99. Më tutje Beogradi arriti të bindte bashkësinë ndërkombëtare se çdo zgjidhje e statusit të Kosovës duhet të marrë parasysh rolin aktiv të Serbisë në punët e brendshme të Kosovës me qëllim të mbrojtjes së pakicës serbe dhe trashëgimisë kulturore e fetare të saj.

Sot mediumet e afërta me regjimin e Hashim Thaçit brohorasin se trazirat e vitit 2004 ishin «revoltë popullore», pas të cilave bashkësia ndërkombëtare u detyrua të zgjidh çështjen e Kosovës. Vërtet u detyrua, por me një rezultat gjysmak, me një pavarësi të gjymtë, me shumë kurthe brenda sistemit politik, të cilat Kosovën e kanë bërë shtet me defekte të mëdha sa i përket funksionimit.

Raporti i Kai Eides, për shembull, propozoi zgjidhjen e statusit të Kosovës, por duke e marrë për bazë narrativin serb – dhe jo faktin se Kosova është, mbi të gjitha, çështje e shumicës shqiptare. Qe çka shkruan Kai Eide në Raportin e tij: «Pas vitit 1999 serbët e Kosovës e panë gradualisht bartjen e instrumenteve të pushtetit te Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes, të dominuara nga shumica. Ky ndryshim dramatik ka pasur një ndikim të madh psikologjikisht dhe politikisht te bashkësitë shumicë dhe ato pakicë. (…) Tani, shqiptarët e Kosovës shfaqin vetëbesim më të madh dhe këmbëngulje. Ata padyshim e krijojnë identitetin e tyre si popullatë shumicë me pushtet. Ky identitet në masë të madhe është ndërtuar në ngjarje kundërthënëse, personalitete dhe simbole dhe shpesh në kundërshti me identitetin e serbëve të Kosovës dhe të bashkësive të tjera. (…) Serbët e Kosovës kanë vështirësi për ta ruajtur identitetin e tyre. Ata përballen me presione kundër elementeve të rëndësishme të identitetit të tyre, siç janë gjuha, kultura, trashëgimia kulturore si dhe mbijetesa ekonomike».

Këto konstatime në Raportin e Kai Eide janë jashtëzakonisht problematike dhe duket se nuk u kanë rënë në sy politikanëve të atëhershëm të Kosovës. Ose nuk i kanë kuptuar fare. Shqiptarët si shumicë përshkruhen si popullsi që po e ndërton identitetin nga ngjarjet kundërthënëse dhe ky identitet paraqet kërcënim për serbët e Kosovës, të cilët, sipas diplomatit norvegjez, kanë identitet, por kanë probleme për ta ruajtur atë.

Hashim Thaçi e kishte quajtur Raportin e Kai Eides «real dhe të pranueshëm» për partinë e tij, PDK-në. Një zëdhënës i partisë AAK të Ramush Haradinajt atëbotë kishte deklaruar se Raporti i Eide është «shumë real dhe do ta çojë përpara procesin për fillimin e bisedimeve për statusin final të Kosovës». Një zëdhënës i presidentit të atëhershëm Ibrahim Rugova kishte nënvizuar se «ka pritur që raporti të shtronte rrugën për ta përmbyllur çështjen e statusit të Kosovës, e kjo ka ndodhur dhe kjo ka rëndësi».

Domethënë as krerët e LDK-së, as të PDK-së dhe as të AAK-së nuk ngulin këmbë në cilësinë e procesit, por tregohen të kënaqur që po fillojnë negociatat për statusin e Kosovës. Me disa përjashtime fisnike delegacioni i Kosovës që negocioi për statusin përbëhej prej diletantëve që në Vjenë më shumë kalonin kohë në baret e hoteleve se sa duke lexuar me kujdes dokumentet që i prezantonte ekipi i Martti Ahtisaarit dhe të cilat buronin nga Raporti i Kai Eides.

Në procesin negociator delegacioni i Kosovës ishte në pozitë të dobët, sepse në vend se të luftonte për të drejtat e shumicës shqiptare «duhej» të pranonte koncesione të pafundme sa i përket autonomisë së pakicës serbe. Kjo ishte sidomos pasojë e ngjarjeve të marsit 2004: pas tyre shqiptarët e humbën një pjesë të madhe të besimit që bashkësia ndërkombëtare kishte ndaj tyre. Derisa menjëherë pas luftës trupat ndërkombëtare aty-këtu edhe kishin mbyllur njërin sy kur ndonjë pjesëtar i pakicave keqtrajtohej nga shqiptarët, pas vitit 2004 pothuaj askush në kancelaritë perëndimore nuk besonte se në një shtet të kontrolluar prej shqiptarëve këta të fundit do t’i trajtonin mirë pakicat etnike. Rrjedhimisht në Planin e Ahtisaarit u futën me dhjetëra siguresa, shtylla e rregulla për të garantuar veçanërisht të drejtat e pakicës serbe.

Të thuhet sot se «revolta popullore» e drejtuar nga PDK hapi rrugën për zgjidhjen e çështjes së Kosovës është jo veç verbëri politike. Është edhe fyerje e publikut dhe heshtje e fakteve, kur dihet se Thaçi me partinë e tij që para vitit 2004 doli me një moratorium (shtyrje të afatit) për zgjidhjen e statusit të Kosovës, që në fakt ishte propozim për shtyrjen e pavarësisë. Si kanë mundur ta shpejtojnë zgjidhjen e statusit të Kosovës ata që kërkonin shtyrjen e afatit për fillimin e bisedimeve mbi të ardhmen politike dhe juridike të Kosovës?

Pasojat e budallallëkut të 17 marsit 2004 po i vuan edhe sot Kosova. Dhe fakti që bash më 17 mars 2016 po digjen vetura të institucioneve, tregon se nga ngjarjet e para 12 viteve nuk është mësuar asgjë. Këtë zjarrvënie ose po e bën Serbia me strukturat e saj sekrete – gjë që do të dëshmonte se Kosova nuk ka fare sistem të mirëfilltë të sigurisë, por vetëm polici që instrumentalizohet për qëllime politike. Ose autorë të djegieve janë patriotët e vetëshpallur, të cilët nëpërmjet kaosit shohin shans për të ardhur në pushtet. Ose struktura parapolitike të afërta me pushtetin duan ta fundosin edhe njëherë Kosovën për të shpëtuar nga Gjykata Speciale. Një gjë është e sigurt: jemi në muajin mars, kur shqiptarët historikisht kanë ditur të bien në shumë kurthe.