(Pa)Rregullsitë e Testit të Maturës

Rreth 30 mijë nxënës i janë nënshtruar pjesës së parë të testit të maturës në 252 qendra të testimit në tërë vendin.




Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, ka vizituar maturantët në shkollën e mesme «Xhevdet Doda» në Prishtinë, për të parë nga afër procesin e testimit, me ç’rast tregoi edhe ndryshimet që janë bërë me Ligjin për Maturën Shtetërore.

Ndërkohë, ai ka thënë se ministria që ai e drejton ka angazhuar rreth 3 mijë zyrtarë për administrimin e testit.

Por, përkundër kësaj, edhe këtë vit, sikurse viteve të kaluara, pyetjet e këtij testi janë publikuar në rrjetet sociale. Madje krijimi i faqeve dhe grupeve të veçanta për kopjim nga nxënësit, tashmë është shndërruar në diçka të zakontë sa herë që ka test të maturës.

Megjithatë, një gjë e tillë nuk i ka penguar zyrtarët e Ministrisë së Arsimit që atë ta vlerësojnë si të suksesshëm, dhe mos komentojnë publikimin e testit në rrjetet sociale.

Ndërsa, Këshilli Rinor Kosovar, që ka monitoruar 82 qendra në 26 komuna, ka shprehur shqetësimin për mbarëvajtjen e procesit.

Ndërkohë, probleme të tjera ka pasur në shkollën e mesme teknike «Mehmet Isai» në Gjilan.

Atje rreth 20 nxënës, nga gjenerata e maturantëve të vitit të kaluar nuk kanë mundur t’i nënshtrohen testit, pasi nuk i kanë gjetur emrat në listat e publikuara në shkollë.