Parku i Biznesit në Drenas, model i zhvillimit ekonomik

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli me disa nga deputetët e Kuvendit të Kosovës vizituan sot Komunën e Drenasit. Ata, sipas njoftimit për medie, u pritën kryetari i Komunës, z. Nexhat Demaku, kryesuesi i Kuvendit, z. Naim Bazaj, dhe drejtorë të drejtorive komunale.




Kryetari Demaku e informoi kryetarin e legjislativit të Kosovës, z. Kadri Veseli, me të arriturat dhe vështirësit me të cilat përballet kjo komunë në fusha të ndryshme.

Ai përmendi Parkun e Biznesit si model të një zhvillimi ekonomik, në të cilin janë vendosur rreth 40 biznese prodhuese ku gjenerojnë qindra vende të punës dhe jemi në fazën finale të krijimit të zonës ekonomike që është përballë Parkut. Deri më tani kanë shprehur interesimin dhjetëra ndërmarrje të mëdha ndërkombëtare e vendore që të krijojnë biznes në atë pjesë, që lidhet me autostradën e kombit, ku do të krijojnë qindra vende të punës, ka thënë kryetari Demaku.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, z. Kadri Veseli ka thënë se qëllimi i kësaj vizite është që të shohin nga afër problemet, sfidat dhe të arriturat e pushteteve komunale, ndërsa në fokus ka thënë se është zbutja e papunësisë në Kosovë. “Papunësia në vend është një sfidë e cila duhet tejkaluar dhe është njëra ndër prioritetet kryesore të vendit dhe këtë mund të arrijmë me krijimin e bizneseve të vogla dhe të mesme dhe lehtësirave që mund t’i ofrojmë për të gjeneruar vende të reja të punës”, ka thënë Veseli dhe ka përgëzuar Komunën e Drenasit me krijimin e lehtësirave për bizneset në Parkun e Biznesit dhe krijimin e zonës ekonomike përballë tij.