Pak tregti mallrash e shumë patriotizëm

Përreth mozaikut të hollit të Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë janë ulur të premten anëtarët e Kabinetit Qeveritar të Kosovës dhe të atij të Shqipërisë për të vazhduar traditën e përvitshme të takimeve që rëndom janë përmbyllur me një numër të madh marrëveshjesh.




Shtatë sosh janë firmosur edhe këtë ditë dhe fare pak është raportuar për shkallë zbatimi të tyre, shkruan sot Koha Ditore.

Kryeministrat Isa Mustafa e Edi Rama veçmas kanë folur me mburrje për rritje të shkëmbimit tregtar dhe për synimet e një tregu unik. Të njëjtën e kanë pohuar edhe ministrat nga e djathta e Mustafës dhe e majta e Ramës.

«Lehtësimi i mëtejshëm i çdo procedure që e pengon rrjedhshmërinë e shkëmbimit mes njerëzve dhe mallrave, në kuptimin strikt ekonomik dhe tregtar është objektiv dhe i patjetërsueshëm, dhe unifikimi i plotë i tregut të vendeve tona, si dhe konsolidimi i tregut të përbashkët energjetik janë korniza e këtij angazhimi», ka thënë Rama. «Mjafton t’ju përsëris faktin se vetëm si rezultat i çka jemi angazhuar në mbledhjet e mëparshme të të dy qeverive, volumi tregtar në 2015-n me Kosovën ka prekur 200 milionë eurot».

Por, të dhënat zyrtare flasin për një trend tjetër dhe tregojnë se çka në fakt shkëmbehet.

Instituti i Statistikave të Shqipërisë ka publikuar raportin mbi eksportet për periudhën janar-prill 2016. Në pjesën që i referohet grupit të mallrave që janë eksportuar, është evidencuar e dhëna se gati gjysma e gjithë vlerës që shitet në Kosovë është skrap. I njëjti raport tregon rënie të eksportit, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të shkuar.