Pacientët në dializë rrezikohen nga të sëmurët me hepatit

Pacientët që hyjnë në dializë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës rrezikojnë të infektohen me sëmundjen infektive hepatit apo sarillaku, siç është i njohur në popull.




Kjo ndodh meqë hyrja në dializë bëhet para se rezultati i analizës së habiesit t’i kthehet Klinikës së Nefrologjisë, shkruan sot Koha Ditore.

Rrezikimin e pacientëve që janë në dializë nga pacientët që kanë hepatit e që futen për herë të parë në këtë aparaturë e ka pranuar drejtori i Klinikës së Nefrologjisë në QKUK, Ibrahim Rrudhani. Ai ka deklaruar se në klinikën që e udhëheq nuk e bëjnë analizën e hepatitit.

«Ne së pari i fusim në dializë e pastaj bëhet analiza», ka thënë Rrudhani, i cili është i vetëdijshëm se në këtë mënyrë u rrezikohet jeta pacientëve. «Unë u kam bërë disa herë shkresa edhe drejtorit, edhe Bordit të ShSKUK-së për këtë çështje dhe u kam thënë që duhet të mundësohet kryerja e analizave në klinikë. U kam thënë që nuk marr përgjegjësi nëse pacientët e tjerë infektohen», ka thënë ai.

Rrudhani ka deklaruar se kësaj klinike mund t’i mundësohet që të bëjë këtë analizë ngjashëm me shërbimin e Transfuzionit të Gjakut.