Ora e kontrabandistëve të Ballkanit

Me një brez bllokimi për refugjatë, që po pështillet gjithnjë e më shumë përreth Greqisë, po bie ora e kontrabandistëve të Ballkanit. Riitja e kërkesës dhe zvogëlimi i ofertës janë një thesar për rrjetet e tyre.

Idomoeni, Greqi. Foto: Ververidis Vasilis / Shutterstock.com



Pas rrethimit të itinerarit kryesor nëpër Ballkan, dhjetëra mijëra refugjatë dhe emigrantë kanë ngelur Grqei. Njëkohësisht, mijëra të tjerë po vijnë përditë nga Turqia me gomone në drejtim të ishujve grekë, për të arritur në tokën greke dhe nga aty për t’u tërhequr pastaj në Europën perëndimore.

Gjendja në kampin e Idomenit në kufirin me Maqedoninë nga të gjithë po përshkruhet si e padurueshme. Për shumë njerëz që po presin aty për të marrë rrugën e shumëshpresuar, çdo orë po humbet shpresa që do të mund të kalojnë fare. Rreth 2’000 refugjatë dhe emigrantë janë përpjekur që kufirin me Maqedoninë ta kapërcejnë anash kalimit kufitar të Gjevgjelisë. Shumica absolute e tyre u kapën nga forcat maqedonase të sigurisë dhe u detyruan të kthehen në Greqi.

Për momentin ka edhe të tjerë që po e lëshojnë vullnetarisht kufirin e rrethuar dhe kampin e grumbullimit në Idomeni. Njëkohësisht edhe Maqedonia edhe Bullgaria po përgatiten për një trysni tjetër të refugjatëve dhe po i mbyllin edhe më tutje kufinjtë. Edhe Shqipëria, e cila gjeografikisht është vendi më i afërt rrugës për kalim tranzit për në Europën perëndimore, po planifikon një sigurim tjetër të kalimeve kufitare me Greqinë.

Me këtë brez bllokues, që po pështillet përgjatë Greqisë, po bie ora e kontrabandistëve të Ballkanit. Rritja e kërkesës dhe zvogëlimi i ofertës janë një thesar për rrjetet e kontrabandës në Ballkan. Në Shqipëri dhe Kosovë e njohim mirë këtë biznes. Që të dy vendet shfaqen prej kohësh si zona tranziti për emigrantë ilegalë rrugës për në Europën perëndimore. E njëjta vlenë edhe për Malin e Zi dhe Bosnjë Hercegovinën. Pasi që valët e refugjatëve dhe emigracionit deri më tani kanë lëvizur dukshëm përgjatë boshteve të mëdha të trafikut, tani është për t’u frikësuar që këto valë do të tensionohen dhe shumëkush me ndihmën e bandave të kontrabandistëve do ta kërkojnë rrugën e vështirë përmes «kufirit të gjelbërt».

Kufiri ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë është poroz

Kalimet zyrtare kufitare vërtet mund të mbyllen, por kufiri midis Shqipërisë dhe Greqisë është poroz dhe vështirë i kontrollueshëm. Ekziston frika që do të hapet përsëri itinerari i provuar në vitet e ’90-ta përmes Adriatikut për në Itali. Qindra motoskafe të vogla kalonin atëbotë nëpër Adriatik për të sjellë refugjatë dhe emigrantë, por edhe ngarkesa droge nga Ballkani në Itali dhe në UE. Me një skaf të shpejtë nga Shqipëria në brigjet e Italisë mbërrihet për rreth dy orë. Për ta shmangur këtë skenar, autoritetet italiane i ofrojnë Shqipërisë tanimë përkrahje për ta siguruar rripin bregdetar të Shqipërisë dhe janë të gatshëm të negociojnë një marrëveshje përkatëse kooperimi.

Ndonëse, edhe nëse do të kishte sukses një sigurim i bregdetit shqiptar, pasi të kenë arritur në Shqipëri, refugjatët nuk ka më çka i ndalon të zhvendosen më tej në veri. Në malet e çara, të cilat e ndajnë Shqipërinë nga Maqedonia në perëndim dhe nga Kosova në veri, pothuajse nuk ka kontrolle efektive kufitare. Kalimi ilegal i këtyre kufinjve – në mot të mirë dhe me një ndihme lokale – është një lojë fëmijësh.

Për më tepër, në tërë regjionin ka rrjete të organizuara mirë trafikantësh dhe kontrabandistësh kufiri, historia e të cilëve shkon deri në kohën e Perandorisë Osmane. Me një fjalë, nuk ka një rreth tjetër që e njeh kaq mirë trafikun e malit dhe të njerëzve sikurse Ballkani perëndimor. Raportet e para mbi veprimtaritë kontrabandiste të rrjeteve lokale tanimë kanë dalë. Kështu, thuhet se në Maqedoni operojnë kontrabandistë kosovarë nën mantelin e organizatave humanitare dhe refugjatëve të ngecur iu ofrojnë transportin e mëtutjeshëm për në UE – sigurisht kundrejt pagesave në dorë. Në anën tjetër, shumë refugjatë dhe emigrantë kanë frikë se do t’iu ekspozohen kontrabandistëve shqiptarë, do të shantazhohen ose do të vendosen në Shqipëri.

Përmes mbylljes së gjithmbarshme të kufinjve refugjatët dhe valët e emigracionit po shtyhen më tepër në ilegalitet dhe do të ishte fort e habitshme sikur ky ilegalitet në Ballkan nuk do të ishte i frytshëm. Në Greqi kanë ngelur tani më 40’000 refugjatë dhe për çdo ditë po bëhen më shumë. Kush mundet, herët ose vonë do ta kërkojë biznesin me kontrabandistët. Ende nuk është shumë qartë e parashikueshme se nga do të lëvizin refugjatët dhe emigrantët në Greqi. Një diverifikim i itinerareve dhe shpërndarja në shumë rryma të vogla është i pritshëm.

Sidoqoftë, një është e qartë: As refugjatët dhe as kontrabandistët do do të rrinë kaq gjatë duarkryq sa UE-a ta gjejë një zgjidhje. ks

«Der Tagespiegel»

(Joschka J. Proksik është bashkëpunëtor dhe docent në Universitetin e Konstancës në katedrën e shkencave politike dhe administrative)