Nuk mjafton të shtrëngoni grushtin në xhep! Merrni përgjegjësi për të ardhmen tuaj – sepse ky është vendi juaj dhe nuk keni atdhe rezervë

Një tekst i zgjeruar, i cili bazohet në fjalën e mbajtur nga Enver Robelli, redaktor i gazetës zvicerane «Tages Anzeiger», në «BritTalks», një debat i organizuar nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë në Kino Armata mbi rëndësinë e mediave të pavarura.




Të nderuar zonja e zotërinj, i nderuar zoti ambasador i Mbretërisë së Bashkuar, shumë faleminderit për ftesën për të ndarë me ju të gjithë mendimet e mia mbi rëndësinë e mediave të pavarura.

Zoti ambasador i Mbretërisë së Bashkuar, unë dua t’ju falënderoj për angazhimin tuaj fisnik që Kosova të bëhet shtet funksional dhe demokraci funksionale. Ky angazhim i juaji shpesh më ka inkurajuar të vazhdoj të jap kontributin tim modest për një shoqëri të drejtë me institucione që u shërbejnë qytetarëve të Kosovës. Në të kaluarën në këtë vend ka pasur ambasadorë të shteteve të tjera që më shumë kanë përkrahur politikanët e papërgjegjshëm se sa mediat dhe gazetarët e pavarur.

Si shtetas zviceran më takon të falënderoj Mbretërinë e Bashkuar për dy gjëra. Së pari: më 14 korrik 1865 britaniku Edward Whymper u ngjit në kodrën mitike zvicerane Matterhorn. Kështu filloi turizmi alpin, i cili deri më sot është një burim i rëndësishëm financiar i Zvicrës. Nëse turizmi në Zvicër nuk mund të merret me mend pa britanikët, pyetja që unë kam është kjo: si mund të imagjinohet Europa, Bashkimi Europian, pa Britaninë e Madhe?

Falënderimi i dytë: britanikët e kanë zbuluar hekurudhën dhe kështu padashur e kanë themeluar kombin modern zviceran. Në shekullin e ’19 hekurudha i lidhi pjesët e ndryshme të Zvicrës dhe kështu u konsolidua edhe kombi zviceran. Zvicra nuk ka gjuhë të përbashkët, nuk ka fe të përbashkët, por ajo çfarë i bashkon njerëzit nga Gjeneva në Zürich është vullneti për të qenë komb i lirë që punon për mirëqenien e të gjithëve. Këtë vullnet edhe sot e bartin trenat nga një cep në tjetrin.

Ne që jetojmë në dy kultura, përherë jemi të prirë të krahasojmë dy atdhetë tanë. Pyetja ime është kjo:
A ekziston sot një vullnet i përbashkët në Kosovë për të ndërtuar një shtet funksional? Për fat të keq jo. Polarizimi ekstrem politik, betejat e pamëshirshme mes politikanëve për pushtet e privilegje, nepotizmi, mungesa e transparencës, aferat e korrupsionit, shndërrimi i sistemit medial në arenë për përleshje mes grupeve të interesit po pamundësojnë çdo nismë për ndryshime pozitive. Shpeshherë në këto beteja përfshihen edhe gazetarët, duke u bërë pjesë e propagandës së politikanëve.

Ka gazetarë që thonë se e kanë zgjedhur këtë profesion, sepse mund të shkojnë në punë pa u rruar ose pa kravatë. Ka gazetarë që ky profesion u shërben vetëm për t’u pasuruar duke u shërbyer klaneve të ndryshme politike dhe mafioze. Dhe – fatmirësisht – ka gazetarë që edhe në këto kohë të vështira i kanë qëndruar besnik profesionit. Është e vetëkuptueshme se ky grup i gazetarëve gëzon simpatinë dhe solidaritetin tim. Këta gazetarë nuk janë pasuruar paligjshëm, nuk kanë vila të shtrenjta në fshatra të ndërtuara në periferi të Prishtinës, nuk kanë koleksion veturash, nuk jetojnë të shkëputur nga hallet e qytetarëve të zakonshëm, nuk thurin intriga për llogari të pushtetarëve.

Siç e kemi parë para disa javësh në Austri, mediat e pavarura janë të pazëvendësueshme për një vend demokratik. Kur vendi rrezikohet nga politikanët e dehur jo vetëm nga Red Bulli, të cilët një gruaje pothuaj të panjohur i premtojnë se sapo të vijnë në pushtet do t’ia shesin asaj gjysmën e Austrisë, përfshirë edhe mediat, atëherë brenda shoqërisë duhet të ekzistojnë forca që kundërshtojnë. Mediat si pushtet i katërt duhet të ushtrojnë përgjegjësinë e tyre në mbrojtje të interesit publik. Kjo ndodhi në Austri falë mediave të fuqishme gjermane dhe austriake.

Dallimi me Ballkanin është i madh. Në Austri skandali me nënkancelarin Strache u bë publik më 17 maj në orën 18:00. 18 orë më vonë ai dha dorëheqje, 24 orë më vonë ra krejt qeveria. Dhe dita përfundoi me një mesazh të presidentit austriak që lavdëroi mediat për punën e tyre të shkëlqyeshme. Në sistemet e pakonsoliduara siç ekzistojnë në shumë shtete të Ballkanit, ndodh e kundërta. Kush kapet në flagrancë, mund të bëhet president shteti, kryeministër apo ministër.

Kosova është parajsë e mosndëshkimit të shkelësve të ligjit. Ministra me aktakuza vazhdojnë të flasin për integrimet europiane. Politikanë të lidhur me rrjete fajdexhinjsh flasin për përparësitë e ekonomisë së tregut. Nuk e dimë, sepse nuk lejon pushteti ta dimë, sa kanë kushtuar projektet e mëdha infrastrukturore të Kosovës të ndërtuara viteve të fundit. Si ndodhi që një ndërmarrje profitabile si Posta dhe Telekomi i Kosovës të sillet para falimentimit? Përse me aq arrogancë refuzohen këshillat e shteteve mike të Kosovës që në postet e rëndësishme publike të emërohen njerëz të kualifikuar?

Kur i sheh të gjitha këto skandale në Kosovë, të cilat kalojnë para syve tanë pa asnjë konsekuencë, si gazetar mund të dëshpërohesh dhe të pyesësh: a ia vlen të shkruash? Përgjigjja e menjëhershme është: Gjithsesi! Patjetër! Sepse po nuk e vazhduam betejën tonë, do të triumfojnë ata që duan ta plaçkitin edhe më shumë këtë vend. Dhe Kosova do të mbetet vetëm një ëndërr e bukur që nuk u bë realitet. Gazetaria e pavarur nuk mund të jetë kurrë neutrale ndaj padrejtësive dhe indiferente ndaj vlerave.

Pa gazetari të pavarur, nuk ka demokraci. Pa demokraci, nuk ka liri. Nëse vdes gazetaria, vdes edhe shoqëria e hapur, vdes fjala e lirë dhe gara e argumenteve më të mira. Gazetaria e lirë ka qenë kërkesa e parë e revolucionit liberal. Dhe të parën gjë që e kanë ndaluar diktaturat ka qenë pikërisht gazetaria e lirë. Gazetaria është fëmijë i iluminizmit. Detyrë e saj është të kritikojë pushtetin. Kush merret me gazetari, ai merr përgjegjësi për publikun. Në demokraci vlen ajo që vlen edhe në çdo sferë të jetës: njerëzve u duhen informata serioze për të marrë vendime serioze. Pasioni, dija, serioziteti dhe etika – këto janë shtyllat që e mbajnë gazetarinë.

Sa janë stabile këto shtylla në gazetarinë e Kosovës? Jo aq, për fat të keq. Kemi shumë media, pak cilësi. Shumica e gazetarëve jetojnë në flluskën e Prishtinës, mes ndërtesave qeveritare dhe lokaleve, ku një kafe kushton një euro dhe ku mund të kyçesh falas në internet dhe me tre rreshta cinikë në mediat sociale të shpjegosh krejt problemet e botës.

Por si jetojnë njerëzit jashtë Prishtinës – a e di kush? Rrallë ose kurrë nuk lexojmë gjë për situatën në komuna të largëta, ku po ashtu jetohet e mbijetohet. Për Dragashin dëgjojmë kur rrëshqet ndonjë ortek. Për fshatrat e Prizrenit vetëm kur shkakton probleme ndonjë ari. A ka shkuar ndokush nga gazetarët për të hulumtuar në fshatrat e Kosovës, të cilat po zbrazen? Përse njerëzit edhe në fshatrat më të thella të Kosovës e kalojnë ditën në internet duke kërkuar vende të punës në München, Leipzig apo në Zarë të Kroacisë? Si gjithkund në Ballkan edhe në Kosovë zhvillimet negative demografike po marrin përmasa dramatike. A po pasqyrohen sa duhet këto probleme në media? Siç po shihet jo! A nuk jemi ngopur të gjithë me teatrin e përditshëm politik që na servohet pothuaj i pafiltruar?

Kush i ka fajet për këtë situatë? Fajet i ka edhe publiku. Sa prej jush në këtë sallë dhe jashtë kësaj salle paguani për informacion? Kush nuk është i gatshëm të paguajë për informacion, mos të ankohet për cilësinë e dobët të informacionit. Kush mund të shikojë një shfaqje në teatër pa paguar? Kosova kurrë nuk ka pasur kaq shumë media dhe kaq shumë monotoni mediale. Një portal boton një tekst dhe brenda pak sekondave të njëjtin e gjeni në pothuaj çdo portal tjetër.

Se ku çon papërgjegjësia mediale tregoi rasti me lajmin e rrejshëm se një grua rome në Kosovë po vjedhë fëmijë. Kur mediat e krijojnë atmosferën e pogromit, atëherë do të gjenden keqbërës që përdorin grushtet. Këto skena e turpërojnë krejt shoqërinë. Është detyrë e gazetarëve të luftojnë çdo tendencë ksenofobe në shoqëri.

Po aq me rëndësi është të refuzohet propaganda e politikanëve. Për shembull: kur një politikan shkruan diçka në Facebook, brenda pak minutash shënimin e tij do ta gjeni të pafiltruar në të gjitha portalet. A është detyrë e jona si gazetarë të jemi vetëm shpërndarës jokritikë të frazave të politikanëve? Duhet të ketë më shumë presion nga të gjitha mediat që politikanët të detyrohen të përgjigjen drejtpërdrejtë në pyetjet e gazetarëve. Gjithashtu duhet të sigurohet qasja në dokumentet zyrtare. Dihet se qasja e politikanëve ndaj të së vërtetës përherë ka qenë selektive dhe e përqendruar te interesat e tyre, jo të publikut.

Në vitin 1951 Hannah Arendt formuloi fjalinë e famshme: «Skllevërit idealë të sundimit totalitar janë njerëzit për të cilët dallimi mes faktit dhe fiksionit dhe mes të vërtetës dhe gënjeshtrës nuk ekziston më». Në kohën e internetit mundësitë për manipulimin e fakteve janë të mëdha. Prandaj, më shumë se kurrë ka nevojë për media të lira, të pavarura dhe jashtë orbitës së ndikimit politik.

Nuk dua ta mbyllë këtë fjalë timen me tone pesimiste. Kosova ka shumë gazetarë që me punën e tyre dhe duke rrezikuar edhe jetën i kanë bërë shërbime të rëndësishme këtij vendi dhe kanë rrezikuar edhe jetën e tyre. Pa punën e këtyre gazetarëve do të kishte edhe më shumë keqpërdorim të pushtetit.

Kush interesohet për zhvillimet shoqërore e politike, nuk mund të gjejë profesion më interesant se atë të gazetarit – kjo vlen edhe përkundër krizës që ka përfshirë mediat kudo. Gazetarëve u duhen aleatë. Ka ndodhur më shumë se njëherë që gazetarët në Kosovë kanë zbuluar skandale, por pastaj nuk ka ndodhur asgjë, sepse nuk kanë vepruar pushtetet e tjera, për shembull drejtësia. Që drejtësia të veprojë, duhet të rritet presioni publik.

Nëse i toleroni këta politikanë, në Kosovë edhe pas 5 vitesh do të flitet nga mëngjesi në mbrëmje vetëm për raportet me Serbinë. Dhe qytetarët do të vazhdojnë të flasin për cilësitë e spitaleve të Shkupit, sepse këtu nuk i beson askush as mjekut, as ministrit. Kur politikanët e Kosovës kanë probleme me zemër, mos u bëni shumë merak për ta: brenda pak orësh vjen një avion privat nga Zürichu dhe i merr e i dërgon në spitalet më të mira. Por ku do të shkoni ju kur ju të keni probleme me zemër?

Nuk mjafton të shtrëngoni grushtin në xhep! Merrni përgjegjësi për të ardhmen tuaj. Sepse ky është vendi juaj dhe nuk keni atdhe rezervë. Pas një shekulli me plot vuajtje e vështirësi, ky popull ka fituar shansin të qeverisë veten. Ky rrugëtim nuk është i mundshëm pa media të pavarura. Ato janë ushqimi themelor i një shoqërie moderne, të lirë dhe demokratike.