Njëqind ditët e «komandantit» Ramush Haradinaj

Detaje nga libri i Fernando Gentilinit «Ballkani pa anë e pa fund – udhëtim sentimental nga Prishtina në Bruksel», Dituria, Tiranë, 2015.

Ramush Haradinaj.



Miti i fundit i kosovarëve shqiptarë quhet Ramush Haradinaj. Kryeministër për 100 ditë, nga dhjetori 2004 deri në mars 2005, përderisa një mandat arresti për krime lufte e detyroi të japë dorëheqje dhe të dorëzohet në Gjykatën e Hagës. 37 pika të akuzës, një më shumë se vitet e tij: dhunë, tortura, përndjekje, dëbime, keqtrajtime, ekzekutime… të kryera më 1998-1999 pikërisht në zonën e kontrolluar prej tij, kur ishte komandant i UÇK-së. Tek dëgjon ri-përshkrimet e shumëfishuara të fakteve (disa prej tyre të hollësishme e të larmishme) rrezikon të të pështjellohet: gurmaze të therura, veshë të shkulur, hundë të prera, përdhunime, rrahje… Por një dyshim, që nëse vërtetohet, do të ishte një e vërtetë tejet drithëruese, është se: thuhet vesh më vesh se ata që mund të dëshmonin kundër tij janë dërguar me kohë te Krijuesi. I fundit vetëm nja dy javë para akuzës, eliminuar në tentativën e pestë.

Ramushi është anëtar i një familjeje të fuqishme nga rajoni i Dukagjinit në Kosovën Perëndimore. Një zonë strategjike gjatë luftës, në të cilën vërshonin përforcime dhe armë nëpërmjet Shqipërisë fqinje. Edhe historia e tij është një histori e pakuptueshme. Arratisja në Zvicër, veprimtaria e tij si «ruajtës i rregullit» në diskotekat e Zürichut, kontaktet me diasporën shqiptare, lufta në UÇK, dy vëllezër të rënë në betejë, hyrja në politikë me themelimin e një partie të tij, afirmimet e para elektorale më 2000, martesa me një drejtuese televizive të suksesshme të televizionit lokal, trashëgimtari mashkull aq shumë i dëshiruar, ngjitja në postin e kryeministrit, pavarësisht nga ngurrimet në komunitetin ndërkombëtar (për akuzimin e mundshëm të Hagës, që më vonë u vërtetua plotësisht).

Por kjo është një sagë kosovare, më shumë një roman se sa jeta e vërtetë. Me të marrë pushtetin Ramushi befasoi me vrullin e tij në punë dhe me vendosmërinë në organizimin e makinës së brishtë qeveritare. Gjykimet e atyre që e panë në aktivitet në 100 ditët e tij janë unanime: bindës dhe me ide të qarta. Në çastet e akuzimit i mbanë premtimet, nuk tutet. Jep menjëherë dorëheqje dhe i dorëzohet drejtësisë, duke u dhënë mundësi të marrin frymë lirisht UNMIK-ut, KFOR-it, BE-së dhe gjithë komunitetit ndërkombëtar. Të gjithë i druheshim këtij çasti, e dinim se një hezitim i tij mund të shpërthente reaksionin e besnikëve të tij për të cilët akuzimi si kriminel i «komandantit» – kështu e quanin ata – nuk ishte veçse një makinacion i përsëritur i drejtuar nga Beogradi kundër një Kosove që lëvizte drejt pavarësisë.

Kush nuk ka jetuar në Prishtinë 100 ditët e qeverisë së tij nuk mund ta kuptojë gjendjen tonë shpirtërore ditën që u dorëzua vullnetarisht. Që nuk ishte një shenjt, kjo mund të merrej me mend, por njeriu shpreson që të mos lexojë kurrë akuza të këtij lloji, për më tepër kur i referohen një personi të njohur, me të cilin ke punuar dhe ke kaluar kohën e lirë. Filluam të pyesnim vetveten se kush ishte në të vërtetë Ramush Haradinaj, se çfarë fshihej pas asaj fytyre gjithmonë të qeshur të një djaloshi simpatik.

Kosova nuk dyshoi asnjëherë në pafajësinë e tij dhe e shndërroi menjëherë në një hero. Madje edhe kundërshtarët e tij politikë, pa dyzuar një çast u bënë barrikadë e familjes Haradinaj, një nga simbolet e historisë së kohëve të fundit të Kosovës. Udhëheqëses së një partie rivale iu mbushën sytë me lot kur kujton se në luftë Ramushi e mbajti mbi supe kufomën e të vëllait vetëm e vetëm që ta sillte edhe një herë të ndjerin në shtëpinë prindërore. «Ushtarët e mirë bien në sheshin e luftës dhe ne duhet të ecim përpara», duket se ka qenë komenti lapidar i «komandantit» në këtë rast.

Lokalet e Prishtinës në ditën e dorëzimit të tij në Gjykatë ishin mbushur me sloganin «Our Prime has a job to do here». Djelmoshat nëpër rrugë kanë veshur t-shirt të bardha me të njëjtën thënie. Anembanë shpërndahen distinktivë me mbishkrimin «Sot më kërkuan të bëj një sakrificë tjetër. Ramush Haradinaj». Mëngjesin e daljes për të parën herë para gjyqtarëve, në rrugë s’mbeti njeri gjysmë ore para se të fillonte transmetimi i drejtpërdrejtë televiziv. Të gjithë ndenjur në shtëpi, në zyrë a në kafene, përballë ekranit të televizorit. Të përmbajtur, me sytë që u ndrinin, krenar me kryeministrin e tyre, ende të shokuar nga rrjedha e ngjarjeve të ditëve të fundit: shpallja e akuzës, dorëheqja e drejtuesit të qeverisë, deklarimi i pafajësisë, emërimi i pasardhësit, përshëndetja mallëngjyese me anëtarët e qeverisë, korteu drejt aeroportit, dhe ngjitja në avion ushtarak, së bashku me bashkëshorten Anita dhe me dajën, ish-luftëtar i UÇK-së, edhe ai i akuzuar dhe i dorëzuar me vullnetin e vet.

Nuk kalojnë as dy ditë dhe Ramushi dërgon lajmin se është mirë dhe ndihet i qetë. Thonë se e vret kohën duke luajtur me letra me gjeneralë serbë, që si ai janë në pritje të gjykimit për krime gjatë luftërave në Jugosllavi. Duket se ka takuar edhe Milošević-in korridoreve. Vazhdon lidhjet me njerëzit e vet përmes telefonit, ndjekë formimin e qeverisë së re, mban të bashkuar partinë, bën thirrje për qetësi, bind shoqatat e luftës të shmangin demonstratat, që mund të shkaktojnë incidente. Kosova po kalon një fazë tejet delikate: tanimë është vetëm një hap nga çasti i së vërtetës pas fazës së standardeve para statusit, mantra që komuniteti ndërkombëtar ka përsëritur për më shumë se tre vjet. Mungojnë pak javë nga fillimi i procesit që – shqiptarët shpresojnë – do të çojë në emancipimin përfundimtar nga Beogradi. Ndaj duhet ruajtur gjakftohtësia, duhet menduar për të punuar: nevojiten përparime në sektorin e sigurisë dhe të lirisë së lëvizjes për serbët, të dialogut me Beogradin, të decentralizimit administrativ. Mbi të gjitha kërkohet të demonstrohet maturi, respekt për rregullat demokratike, t’i tregohet komunitetit ndërkombëtar se institucionet e përkohshme funksionojnë dhe se janë në gjendje të mbarështojnë krizën «Haradinaj» pa ndikuar në siguri. Vetëm një hap i gabuar në këtë çast do të komprometonte gjithçka dhe Ramushi bën të ditur se «u sakrifikua me qëllim që kurrkush të mos ndalojë ecurinë e Kosovës». Nuk mungon asnjë nga përbërësit për të satën legjendë ballkanike. Në mbrëmje, ditën e parë në mungesë të tij, ka që tani në qytet thonë se do ta lirojnë me garanci, se do të kthehet shpejt. Të tjerë ngulin këmbë se në të vërtetë nuk është larguar kurrë nga Kosova. Dikush betohet e stër-betohet se ka njohur siluetën e tij në dritë të zbehtë, prapa dritareve në shtëpinë e tij në Dragodan…

Nuk është lehtë të ruash kthjelltësinë e mendimit. Të mos e lësh veten të të kapërthejnë emocionet. PSSP (shefi i UNMIK-ut, v.j.) është nën zjarrin e kryqëzuar të bashkësisë ndërkombëtare ngase e quajti Ramushin «mik», duke e kritikuar në mënyrë të heshtur veprimin e gjykatës ndërkombëtare. Mendoj se miqësia është një ndjenjë shumë serioze për ta ngatërruar me politikën, megjithatë në mbrëmje heq keq të më zërë gjumi nga mendimi se kam kaluar muaj të tërë duke punuar në kontakt me një që dyshohet si kriminel lufte. Dyshimi se mund të ketë urdhëruar të kryhen qoftë edhe një nga poshtërsitë për të cilat është akuzuar, është më i fortë sesa gjumi. Trishtohem kur mendoj për mbrëmjet e dimrit të kaluara duke më rrëfyer për Kosovën. Kur më tregoi krenar djalin e parë të porsalindur, në vilën e madhe prej betonarmeje në Dragodan, atë me pishinë në sallon. Për entuziazmin e asaj nate në telefon, kur qeveria e tij sapo kishte miratuar projektin e decentralizimit në dobi të komuniteteve joshqiptare. Për ditën kur më tha fytyrëngrysur se nuk do të duronte më t’i flisja në atë mënyrë, kur pas trazirave të marsit 2004 i lashë të kuptojë se ai nuk mund të mos e dinte se cilët ishin dërguesit. Për naivitetin e atij takimi të parë, të nesërmen e hyrjes në politikë, kur duke u kapardisur me orën e artë në pulsin e dorës shpjegoi shkaqet e vendimit të tij për të krijuar një parti.

Vazhdoj të përsëris me vete nëse është e drejtë që u veprua kështu. Se akuzat janë rrëqethëse dhe se duhen verifikuar. E në qoftë se është fajtor, duhet të paguajë. Por kam përshtypjen se në Prishtinë janë të shumtë, madje edhe midis ndërkombëtarëve, që ushqejnë shpresën se Haradinaj nuk është kriminel lufte. E dëshirojnë për të, për të bijtë, për të gjithë ata – dhe janë të shumtë – të cilët i falën besën.

Haradinaj u kthye në Kosovë pak muaj pas arrestimit, liruar me kusht dhe nën garancinë e OKB-së. U kthye në Hagë në mars 2007 për fillimin e procesit.