Një sakrificë tragjike

Pse duhet mbrojtur Adem Jasharin nga manipulimet politike?

Përmendorja e Adem Jasharit.



Me emrin e Adem Jasharit prej vitesh – dhe për fat të keq – manipulohet hapur për interesa të politikës ditore. Ata që e lanë vetëm të mbrohej në shtëpinë e tij, duke rrezikuar edhe anëtarët e ngushtë të familjes, sot krekosen si shokë të tij të luftës. Në narrativin e pasluftës ai përshkruhet si «komandant legjendar», pa i kushtuar fare rëndësi domethënies së fjalës legjendar. Ja si e shpjegon Fjalori i Gjuhës Shqipe fjalën legjendë: «Trillim që përhapet me qëllime të caktuara për dikë a për diçka; diçka që nuk i ngjan fare së vërtetës, diçka e pabesueshme».

Adem Jashari nuk ishte figurë përrallash popullore. Ishte një fshatar kryengritës, besnik i traditës kryengritëse të rajonit të Drenicës, i cili sidomos gjatë shekullit të XX-të është shquar për rezistencë kundër regjimeve serbe e jugosllave. Për këtë rezistencë banorët e Drenicës janë ndëshkuar egërsisht nga të ashtuquajturat pushtete popullore. Në fshatrat dhe qytezat e Drenicës është investuar shumë pak në infrastrukturë nga regjimi komunist. Tek në dekadën e fundit të ekzistimit të Jugosllavisë në këtë pjesë të Kosovës është hapur një ndërmarrje e madhe – Ferronikeli – që ka punësuar mijëra punëtorë. Për ironi të fatit, pas çlirimit të Kosovës, ishte një ministër nga Drenica (Bujar Dugolli), që e shiti këtë firmë për pesë banka të kuqe. Diskriminimi në fushën e arsimit dhe shëndetësisë ka qenë më i theksuar në Drenicë se, ta zëmë, në Dukagjin apo në Llap e Gollak.

Sipas dëshmitarëve të kohës Adem Jashari ishte një person i guximshëm dhe i afërt me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). Ai mbajti kontakte me Zyrën e Kosovës në Tiranë dhe në fund të viteve 90-të qëndroi në Zvicër si mysafir i Degës së LDK-së në këtë vend. Njeriu që e shoqëroi gjatë qëndrimit të tij në Zvicër ishte nga një familje që ishte angazhuar në organizimin dhe drejtimin e LDK-së në Perëndim. Për aq sa dihet Adem Jashari nuk takoi askënd nga prijësit e Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK) në Zvicër. Në këtë shtet vepronin shumica e krerëve të LPK-së, që sot sundojnë Kosovën. Me armët e para efikase familja Jashari u furnizua prej personave të afërt me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Siç shihet edhe nga disa incizime, në odën e familjes Jashari në Prekaz qëndronte e varur fotografia e Ibrahim Rugovës (bashkë me politikanin amerikan Robert Dole). Sipas publicistit Halil Matoshi, i cili në vitet 90-të ishte redaktor në revistën «Zëri», fotografia është, në fakt, kalendar i revistës për Vitin e Ri. Një gazetar kosovar, korrespondent i mediumeve të huaja, dëshmon se pas kërcënimeve dhe brohoritjeve të disa krerëve të LPK-së se «Rugova nuk është president i Kosovës», Hamëz Jashari në odën e tij kishte thënë: «Për neve ai është president».

Pak ditë para masakrës së forcave serbe mbi familjen Jashari në Prekaz, një zyrtar shumë i informuar i Qeverisë në ekzil e kishte takuar Rifat Jasharin në Zvicër dhe e kishte informuar se ekziston rreziku që milicia serbe të sulmojë Jasharajt. Por Adem Jashari nuk kishte pranuar të largohej nga shtëpia – as vetë, as me familje. Adem Jashari, siç supozohet tani nga ish-zyrtari i Qeverisë në ekzil, ishte tepër i mllefosur nga deklarata e diplomatit amerikan Robert Gelbard, i cili në shkurt të vitit 1998 kishte deklaruar: «Ne i dënojmë shumë ashpër aksionet terroriste në Kosovë. UÇK është, pa asnjë dyshim, grup terrorist» (cituar sipas lajmit të Agence France Press të datës 23 shkurt 1998). Kjo deklaratë duket se e kishte trimëruar regjimin e Slobodan Milosheviqit për t’i qëruar hesapet me kryengritësit shqiptarë. Pas krimit të llahtarshëm mbi familjen Jashari, Gelbard ishte përpjekur të qartësojë deklaratën e tij. I pyetur nga ligjvënësit amerikanë nëse deklarata e tij ishte parë nga Beogradi si «dritë e gjelbër» për të shkatërruar UÇK-në dhe nëse ende e konsideronte grupin si organizatë terroriste, Gelbard kishte thënë se «edhe pse (UÇK) ka kryer <akte terroriste>, ajo nuk është <klasifikuar ligjërisht si organizatë terroriste nga Qeveria e SHBA-ve>» (cituar sipas New York Times të datës 13 mars 1998).

Pas deklaratave skandaloze Gelbard do të tërhiqej nga posti i tij si i dërguar amerikan për Ballkanin dhe tani punët do t’i merrnin në dorë diplomatët Richard Holbrooke dhe Chris Hill. Në fund të qershorit 1998 Holbrooke do të takonte në Junik disa pjesëtarë të UÇK-së. Tani e tutje mes SHBA-ve, NATO-s dhe disa shërbimeve perëndimore do të etablohej një aleancë e heshtur me UÇK-në. Më shumë detaje rreth këtij kapitulli gjenden në librin e Johannes M. Becker dhe Gertrud Brücher: Der Jugoslawienkrieg. Eine Zwischenbilanz (Lufta e Jugosllavisë. Një bilanc i përkohshëm).

Literatura e bollshme shkencore për luftën e Kosovës dhe dëshmitë e protagonistëve të kohës tregojnë se Adem Jashari i priu një sakrifice tragjike familjare pasi – nga njëra anë – Lidhja Demokratike e Kosovës dhe qeveria në ekzil nënçmuan rrezikun e eskalimit të situatës dhe nuk kuptuan se durimit të popullit në zonat rurale i kishte ardhur fundi. Nga ana tjetër Adem Jashari nuk mund të llogariste në përkrahje nga ana e LPK-së dhe grupeve të armatosura, të cilat vepronin të shkapërderdhura dhe pa komandë qendrore. Debatet e ditëve të fundit mes komandantëve kryesisht të rrejshëm të UÇK-së vetëm sa e konfirmojnë këtë gjykim. Njëri nga kryengritësit, i dyshuari për vrasje Gani Geci, e pranoi hapur se konfliktet mes luftëtarëve filluan «kur erdhën paratë» nga diaspora në vitin 1997.

Lufta e fundit e Kosovës për liri ishte një improvizim i madh dhe një dështim i klasës politike për të marrë përgjegjësi politike dhe ushtarake dhe për të mbrojtur popullin. Adem Jashari udhëhiqte një grup të armatosur, i cili e la në baltë dhe tek pas rënies së tij në një betejë me pasoja tragjike ai fillimisht u quajt komandant i UÇK-së dhe më vonë «komandant legjendar». Ai dhe mbi 50 anëtarë të familjes së tij u flijuan për lirinë e Kosovës. Flijimi i tyre ishte jo vetëm demonstrim i trishtueshëm dhe rezistencë titanike kundër shtetit serb, por edhe protestë kundër klasës politike kosovare që më shumë bënte garë për pushtet se sa për luftimin e forcave serbe. Kujtimi i Adem Jasharit sot duhet të bëhet duke marrë parasysh faktet historike, shkencore dhe dëshmitë e protagonistëve të kohës. Vetëm kështu, larg manipulimeve për interesa të politikës ditore, ai do të zë vendin e merituar në themelet e shtetësisë së Kosovës.