Një rebel zviceran

Lukas Bärfuss, autor i katër romaneve, dy vëllimeve me ese, i 19 pjesëve teatrale dhe bartës i 21 çmimeve tani është nderuar me çmimin kryesor të letërsisë gjermane - atë të Georg Büchnerit, i cili po ashtu ishte një rebel si Bärfuss. Drama «Neurozat seksuale të prindërve tanë» e Lukas Bärfuss është shfaqur më 2015 në Teatrin Kombëtar në Tiranë.

Lukas Bärfuss.



Lukas Bärfuss u lind në qytetin e Thunit, jo larg Bernës. Thuni është i rrethuar me kodra madhështore alpine, të cilat reflektojnë në liqenin e bukur. Thuni është qendër e rëndësishme turistike. Dhe Thuni është qendër e ushtrisë së Zvicrës dhe industrisë.

Për Lukas Bärfussin Thuni është ferri vetë. Një qytezë provinciale e provincialistëve zviceranë. Bärfuss ka kaluar këtu fëmijërinë, e cila nuk ka qenë e lehtë për të. Ai vinte nga një familje e varfër. Në një ese për rininë e tij Bärfuss shkruan: «Ne ishim gjysmë çmimi, prindërit tanë kanë qenë ose pijanecë ose mendërisht të varfër, nganjëherë të dyja bashkë. Ne ishim të rinj, ne kishim puçrra, dhe ne turpëroheshim për gjithçka çfarë ishim dhe çfarë pritej të bëheshim. Çfarë mund të arrinim ishte një punë e mjerë me një rrogë të mjerë në një qytezë të mykyr. Përse t’i jepnim zor? S’do të mund të shkëputeshim nga këtu».

Sot Lukas Bärfuss është dramaturgu më i njohur i Zvicrës dhe skenave teatrale gjermane. Për të arritur deri këtu ai kaloi një rrugë të gjatë. Bärfuss nuk ishte djalë profesori apo doktori që nga monotonia filloi të merret me letërsi. Atij nuk iu dhurua asgjë nga djepi i familjes. Ai punoi si kopshtar, në kantiere ndërtimi dhe si duhanmbjellës. Si librar ai zbuloi leximin: zviceranin «e çmendur» Robert Walser, klasikun gjerman Heinrich von Kleist dhe revolucionarin Georg Büchner, i cili në veprën e tij kërkon: «Paqe kasolleve, luftë pallateve».

Në këtë traditë Lukas Bärfuss përherë është i gatshëm të sulmojë, të provokojë, ta teprojë nganjëherë me kritikat e tij kundër establishmentit zviceran, kundër kapitalizmit të shfrenuar, kundër padrejtësive në botë. «Provokatori që na duhet», shkroi gazeta «Tages Anzeiger» në numrin e së mërkures. Më parë gazeta «Wochenzeitung» e Zürichut kishte shkruar: «Se si e çliron veten teatri postmodern nga qorrsokaku, këtë me gjasë askush tjetër nuk e di më mirë se Lukas Bärfuss».

Në dramën «Neurozat seksuale të prindërve tanë» Bärfuss vë në skenë vajzën Dora, e cila është invalide dhe pas një kohe të gjatë të jetës me ilaçe qetësuese zbulon seksualitetin. Drama është vënë në skenë edhe në Tiranë, në Teatrin Kombëtar, në vitin 2015. Në Zvicër është xhiruar një film madhështor nga ky material. Më 2014 Bärfuss botoi romanin «Koala». Më shumë se roman ky libër është një refleksion dramatik mbi vetëvrasjen e vëllait të tij: pikëllim, tronditje, kërkim i shkaqeve. Me këtë roman ai fitoi çmimin kryesor letrar të Zvicrës. Në romanin «Njëqind ditë» Bärfuss përshkruan formalitetin e një burokrati zviceran përballë gjenocidit në Ruandë.

Bujë të jashtëzakonshme Bärfuss bëri me një ese të botuar në tetor 2015 në gazetën gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung». Me një zemërim të pashoq, me gjuhë të ashpër, me kritikë të pamëshirshme Bärfuss atakon rrëshqitjen gjithnjë e më të madhe të shoqërisë zvicerane nga e djathta. Titulli i eseut është program: «Zvicra është çmenduri». Zviceranët, shkruan Bärfuss, kërkojnë ngushëllim në halucinacionet e tyre dhe shpresojnë se problemet zgjidhen në mënyrë magjike.

Një ndër problemet më të mëdha, sipas shkrimtarit, është ky: ekonomia po shfrytëzon punëtorët – dhe e majta zvicerane po rrinë duarkryq. Bärfuss akuzon popullistët e djathtë për manipulimin e qytetarëve dhe për futjen nën kontroll të disa mediave. Ai kërkon që të mos heshtet më sa i përket raportit mes Zvicrës dhe Bashkimit Europian. Pas shkrimtarëve Adolf Muschg, Max Frisch dhe Friedrich Dürrenmatt, Lukas Bärfuss është zvicerani i katërt që nderohet me çmimin më të rëndësishëm letrar të Gjermanisë.