Një ndëshkim në Ohër që do t’ia kishin zili edhe diktaturat më mizore

Gjobitja e një shtetasi zviceran me etni shqiptare nga një gjykatës në Ohër vetëm pse shpalosi një flamur shqiptar, tregon anën e errët të shtetit maqedonas. Gjykatësi Bojan Martinoski madje ia ka ndaluar «keqbërësit» edhe hyrjen për 5 vjet në Maqedoninë e Veriut. Kundër kësaj mizorie juridike duhet të distancohet sidomos Stevo Pendarovski, i cili po kërkon votat e shqiptarëve për t’u bërë president dhe po premton se synon një shtet ku nuk do të ketë padronë dhe qiraxhinj. Sa të ketë gjykatës si Martinoski në shtetin maqedonas, ky mbetet një premtim bosh.

Foto: Shutterstock



Një grup shqiptarësh ka qëndruar në Ohër gjatë një udhëtimi nëpër viset e banuara me shqiptarë në Ballkan. Në të vërtetë në Ohër (me 42 mijë banorë) kanë mbetur pak shqiptarë (sipas regjistrimit të vitit 2002 aty jetojnë vetëm 2959 shqiptarë), por ky qytet multietnik ka një rëndësi jo vetëm për sllavët për shkak të Shën Klementit dhe Shën Naumit. Në shekullin e X aty u themelua Kryepeshkopata e Ohrit, nga e cila vareshin edhe Peshkopatat e Shqipërisë jugore. Deri më 1656 në Ohër ka qenë edhe selia e Arqipeshkvisë katolike.

Nga fundi i shekullit XIV Ohri u sundua nga familja feudale shqiptare e Gropajve, pasardhësit e së cilës qenë të lidhur me luftërat e Skënderbeut kundër osmanëve. Përfaqësuesit e trevës së Ohrit morën pjesë në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë më 1912. Ohri është vendlindja e poetit Grigor Përliçev (1830/31-1893), i cili ishte një poliglot dhe mësues i greqishtes. Ai jetoi edhe në Tiranë, ku duke njohur historinë e shqiptarëve dhe gjuhën shqipe u frymëzua të shkruajë poemën «Skënderbeu». Në atë poemë heroi kombëtar i shqiptarëve përshkruhet edhe si mbrojtës i popujve të Europës. Poema është përkthyer nga Spiro Çomora dhe është botuar në vitin 1967. Në Ohër u lindën edhe patriotët Hamdi Ohri (1874-1938) dhe Dervish Hima (1875-1928). Pra, shqiptarët që vizituan së fundi Ohrin patën shumë arsye të bënin këtë – jo vetëm për shkak të bukurive të qytetit dhe liqenit, por edhe të historisë.

Gjatë qëndrimit në Ohër një shqiptar me shtetësi zvicerane shpalosi një flamur të madh me shqiponjën dykrerëshe. Menjëherë ndërhyri policia, e çoi «keqbërësin» te gjykatësi me emrin Bojan Martinoski, i cili me procedurë të shpejtë e gjobiti shqiptarin me 1100 euro dhe ia ndaloi atij hyrjen në Maqedoninë e Veriut për pesë vjet. Një vendim absurd. Një ndëshkim që do t’ia kishin zili edhe diktaturat më mizore.

Si është e mundur kjo masë drastike në një vend që është kandidat për të hyrë në BE? Si është e mundur kjo në një vend që pret të fillojë sivjet negociatat për hyrje në BE? Si është e mundur kjo në një vend që pret anëtarësimin në NATO? Kjo masakër juridike është e paprecedent. Është po ashtu skandaloze që kryeministri Zoran Zaev nuk është distancuar qartë nga vendimi i gjykatësit me emrin Bojan Martinovski.

Para së gjithash nga ky ndëshkim duhet të distancohet sidomos Stevo Pendarovski, i cili po kërkon votat e shqiptarëve për t’u bërë president dhe po premton se synon një shtet ku nuk do të ketë padronë dhe qiraxhinj. Në një intervistë dhënë «Zërit të Amerikës» Pendarovski tha: «Votuesi i rëndomtë shqiptar e njeh konceptin ‘Një shtet për të gjithë’. Unë e ofroj këtë, një shtet ku nuk do të ketë padronë dhe qiraxhinj apo të nënrenditur, as qytetarë të rendit të parë e të rendit të fundit, ku nuk do të ketë komunitet etnik të rendit të parë dhe të rendit të dytë a të tretë, kështu që kjo përfshirje në shtetin dhe shoqërinë e Maqedonisë është receta e vetme për suksesin e këtij vendi për të gjithë këtu. Shqiptarët janë komunitet i rëndësishëm dhe duhet ta gjejnë vendin e tyre edhe në institucionet e sistemit. Që ta duan këtë shtet, që të jenë më lojal ndaj shtetit – shteti duhet të tregojë se është edhe i tyre dhe jo vetëm i dikujt, por shtet i të gjithëve!»

Me mentalitetin racist të gjykatësve si Bojan Martinoski Maqedonia është shumë larg vlerave civilizuese dhe europiane. Fobia nga gjuha shqipe, fobia nga flamuri, urrejtja ndaj shqiptarëve, nënçmimi dhe racizmi i hapur dhe i maskuar që manifestohet ende në Maqedoninë e Veriut tregon se rruga që ka ky vend para vetes për të hyrë në botën normale është e gjatë.

Në botë ka ligje absurde që të bëjnë të qeshësh: në Londër është e ndaluar të vdesësh në parlament, sepse sipas ligjit të ndjerit i takon një varrim me ceremoni shtetërore dhe kjo kushton, në Greqi një ligj thotë se kush martohet duhet ta bëjë këtë publike në gazetën lokale dhe atë në dy edicione, në Francë është legale të martosh një të vdekur (ligji daton nga Lufta e Parë Botërore kur vajzat mund të martoheshin me të fejuarit e tyre të rënë në fushëbetejë), në disa kantone zvicerane është e ndaluar të vallëzosh gjatë festave të rëndësishme fetare. Ligji në të cilin thirret Bojan Martinoski lëre që është qesharak, por edhe toksik për bashkëjetesën paqësore në Maqedoni.