Një kosovar i dhunshëm mund të qëndrojë në Zvicër – për shkak të koeficientit të ulët të inteligjencës

Gjykata Supreme e Zvicrës e ka bllokuar kthimin në vendlindje të një shtetasi kosovar.

Gjykata Supreme e Zvicrës.



Nuk ka asnjë dilemë: një kosovar 32-vjeçar paraqet rrezik për shoqërinë zvicerane. Ai është dënuar disa herë për delikte të ndryshme. Në vitin 2012 ai mori pjesë në një rrahje. Me atë rast viktima pësoi një çarje të kafkës. Rrahësit e lanë viktimën të shtrirë për toke, pa ndihmë ai do të kishte vdekur. Burri nga Kosova është dënuar për shtytje në kryerjen e veprave penale, për vjedhje dhe dëmtim prone. Drejtësia e kantonit Basel-Landschaft vendosi më 2018 ta dënojë kosovarin, i cili ka ardhur në Zvicër në moshën 7-vjeçare. Por tani Gjykata Supreme e Zvicrës e ka anuluar vendimin e gjykatës në Basel-Landschaft, njofton gazeta Neue Zürcher Zeitung.

Gjykata Supreme e Zvicrës në arsyetim shkruan se kosovari nuk mund të dëbohet në Kosovë për shkak se, sipas një ekspertize psikiatrike, niveli zhvillimor i tij është i një fëmije mes moshës 9 dhe 12-vjeçare. Ai ka vështirësi të kuptojë shkrim-lexim, ndërsa nuk mund të punojë më shumë se dy orë. E kufizuar është edhe aftësia e tij për të jetuar vetëm dhe për t’u kujdesur për veten. Gjykata dyshon që kosovari është në gjendje të ndërtojë një ekzistencë të re në Kosovë – edhe për shkak se ka njohuri modeste të gjuhës shqipe. Deficiti i tij kognitiv ia bën me gjasë të pamundur të mësojë gjuhën.

Gjykata Supreme e Zvicrës thekson se instanca paraprake nuk e ka marrë sa duhet parasysh gjendjen familjare të kosovarit. Ai ka dy fëmijë, njëri vuan nga zemra. Ndarja e kosovarit nga partnerja e tij, një austriake, dhe nga fëmijët do të ishte një ndërhyrje e rëndë në jetën familjare. Gjykatësit në Basel duhet ta shqyrtojnë edhe njëherë rastin. Nëse familja e kosovarit në Kosovë është e gatshme të kujdeset për të, ai megjithatë mund të dëbohet një ditë.