Një fushatë bajate kundër futbollistëve shqiptarë të Zvicrës

Shkoni, nëse s’ju pëlqen këtu: me këso fjalë të denja për rrugaçë gazeta zvicerane «Blick» ka nisur një fushatë kundër Shaqirit, Xhakës dhe të tjerëve që luajnë për kombëtaren e Zvicrës dhe tani po akuzohen se mund t’i bashkohen përfaqësueses së Kosovës.

Foto: Shutterstock



Prej muajsh në mediumet zvicerane vërehet një pakënaqësi në rritje me kombëtaren e futbollit. Së pari për shkak të trajnerit. Vladimir Petkoviq, një kroat nga Sarajeva, nuk ka arritur t’i pushtojë zemrat e fansave të futbollit, as të komentatorëve të sportit. Ai ka marrë drejtimin e kombëtares në vitin 2014, por s’ka arritur të ngjallë entuziazëm të madh në mesin e lojtarëve. Mes rreshtave mediumet dyshojnë në kompetencën e tij, madje tërthorazi është shtruar edhe pyetja nëse Zvicra është e gatshme të ketë një të huaj trajner apo një ministër me origjinë të huaj. Kjo është qasje perfide jo vetëm e gazetarëve, por edhe e ndonjë zyrtari të Federatës së Futbollit të Zvicrës, që plason në mediume deklarata të tilla. Kur të merret parasysh se kombëtarja zvicerane dominohet edhe nga futbollistët me origjinë nga Ballkani, atëherë shtypi bulevardesk e humb kontrollin. Që nga e diela gazetat «SonntagsBlick» dhe «Blick» po zhvillojnë një fushatë kundër futbollistëve shqiptarë nga Kosova, duke ua mbajtur atyre nën hundë disa citate të mëhershme, ku ata nuk kanë përjashtuar mundësinë të braktisin kombëtaren e Zvicrës dhe të mbrojnë ngjyrat e kombëtares së Kosovës. Lojtarët tani kanë një përvojë nga aferat artificiale të krijuara nga disa mediume zvicerane, andaj nuk preferojnë të flasin për këtë temë. Të dielën gazeta «SonntagsBlick» i kishte nxjerrë nga fuçia e turshive disa citate të vjetra për të alarmuar se Xhaka e Shaqiri me shokë po ia mbathin për në Kosovë – menjëherë pasi Kosova gjatë këtij muaji të pranohet në UEFA dhe në FIFA. Sikur kjo s’mjaftoi, gazeta u hodh në sulm pothuaj huliganesk me një koment që për nga toni i shkon më mirë rrugaçëve se sa një debati të mençur publik. Thelbi i komentit është ky: shkoni, nëse s’ju pëlqen këtu. Gazetari vajton se lojtarët do t’ia kthenin shpinën Zvicrës, e cila ka investuar shumë në talentin e tyre. Por në anën tjetër ai ankohet se fansat zviceranë po kanë probleme të identifikohen me kombëtaren e tyre për shkak se vetë lojtarët nuk po identifikohen me ekipin, pra nuk janë zviceranë sa duhet. Se çfarë domethënë kjo nuk shpjegohet. Gazetari nuk e thotë qartë se Zvicra ka një problem me numrin e madh të futbollistëve me origjinë të huaj, por kjo vetëkuptohet nga gjuha e komentit.

Futbollistët shqiptarë me shtetësi zvicerane mund të neveriten, por nuk duhet të habiten nga kjo fushatë primitive. Ata, për shembull, nuk e këndojnë himnin, por s’janë të vetmit. Fundja, në një shoqëri të globalizuar si Zvicra këndimi i himnit nuk është dëshmi për integrim. Fakti që krahas shqiptarëve në kombëtaren e Zvicrës ka lojtarë që kanë origjinë në rreth 20 vende të botës, tregon realitetin demografik të këtij vendi. Prej 8,3 milionë banorëve mbi 2 milionë janë të huaj. Në vitin 1985 kishte 2200 futbollistë nga Jugosllavia e atëhershme të licencuar në Zvicër, tani janë mbi 20 mijë. Futbolli shpesh është një mundësi që të rinjtë të arrijnë sukses të shpejtë. Me ton polemist madje mund të thuhet: çfarë bëjnë bio-zviceranët, përse nuk luajnë ata futboll më mirë se të huajt, në mënyrë që kombëtarja të jetë e mbushur me Wilhelm Tella dhe jo me adhurues të Skënderbeut?

Fushata kundër futbollistëve shqiptarë është aq e padrejtë, sepse prej tyre kërkohet lojalitet, të cilin e kanë dëshmuar jo vetëm kur janë përcaktuar të luajnë për Zvicrën, por edhe në të gjitha ndeshjet e kombëtares. Por përkundër talentit të Xhakës e Shaqirit dhe të tjerëve edhe komentatorët gjaknxehtë të Zürichut duhet ta pranojnë se Zvicra nuk është superfuqi e futbollit, ashtu siç nuk ka qenë dhe nuk është as Shqipëria, përkundër ndihmës evidente nga diaspora kosovare në Zvicër. Komenti i gazetës «SonntagsBlick» është primitiv edhe për një arsye tjetër: kur vendosin ballkanasit të luajnë për Zvicrën, ata megjithatë akuzohen se nuk janë sa duhet lojalë. Kur ia kthejnë shpinën Zvicrës dhe përcaktohen për Kroacinë si Ivan Rakitiqi më 2007, atëherë britmat mediale dëgjohen nga Zürichu në Gjenevë. Kur Rakitiq vendosi të luajë për Kroacinë, një koleg shkroi në gazetën «Tages Anzeiger»: «Futbolli është platformë për shovinizëm, dhe shovinizmi çakërdiset edhe atëherë kur nuk luhet futbolli si gjatë këtyre javëve në Zvicër. Vendimi i Ivan Rakitiqit, qytetar me shtetësi të dyfishtë zvicerano-kroate, për të mos luajtur për Zvicrën, por për kombëtaren e atdheut të prindërve të tij, ka provokuar në shumë gazeta të këtushme letra tërbuese të lexuesve. Gazeta <Blick> i përmendi më zë më të lartë gjoja instinktet e ulëta të Rakitiqit: lakmi për para, shkelje premtimi, mosmirënjohje ndaj Zvicrës, andaj edhe tradhti. Njëjtë u tha edhe kur para jo larg kohësh Zdravko Kuzmanoviq dhe Mladen Petriq u përcaktuan kundër Zvicrës dhe për Serbinë, përkatësisht Kroacinë». Atëbotë gazeta «Blick» nuk kishte arritur të dëshmonte se Rakitiq i kishte premtuar Federatës së Futbollit të Zvicrës se nuk do të luante për Kroacinë. Si atëherë, më 2007, edhe sot shtypi bulevardesk nuk i ka ndryshuar metodat. Një arsye më shumë për të demaskuar këtë marrëzi.