Një festë për ardhmërinë tonë

Shqipëria në Kampionatin Europian? Një ëndërr – realitet! Po aq sa Kosova shtet i pavarur!

Diaspora shqiptare e çoi Zvicrën në Francë! Diaspora shqiptare e Kosovës, Maqedonisë shqiptare dhe Luginës së Preshevës e çoi edhe Shqipërinë në Francë! Imazhi: Shutterstock



Pas fitores së përfaqësueses së Shqipërisë në Armeni ia vlen të shikohet në fqinjësi. Janë këto ngacmimet e bukura pas ndeshjeve të futbollit që mbrëmjen e bëjnë edhe më të mirë. Po e lexoj gazetën Jutarnji list (online). Në një raport për ndeshjen mes Serbisë dhe Portugalisë (të cilën serbët e humbën 2:1) po thuhet: «Serbia palavdishëm i dha fund debaklit në kualifikime: dy përjashtime, humbje në zemër të Beogradit dhe – Shqipëria shkon në Kampionatin Europian». Këtu gazeta kroate u jep një shuplakë fqinjëve serbë me vetëm një vizë. Dhe Shqipëria shkon në Francë – me një shuplakë subtile kroate nga Zagrebi.

Suksesi dhe dështimi janë afër. Kur e mposhtën Shqipërinë në Elbasan brohoritja ishte e madhe në Beograd. Të dielën në mbrëmje, pas humbjes nga Portugalia, po aq e madhe ishte klithma: gazeta «Blic» shkruante për «fundosjen e shqiponjave». Serbët në flamur kanë një shqiponjë të bardhë – një përzgjedhje e çuditshme, sepse shqiponja e bardhë është e pazakonshme, për të mos thënë joekzistuese. Ishte mbrëmje e rekordeve në Beograd. Përveç humbjes: dy përjashtime dhe katër lojtarë që morën rolin e kapitenit.
Në Zvicër gazeta «Blick», pronë e kompanisë «Ringier», e cila e boton edhe «Blic»-in e Beogradit, që në titull paralajmëron se «zviceranët» e çuan Shqipërinë në Kampionatin Europian.
Pa dyshim është fitore historike. Dhe një moment që kallëzon për vetëbesimin e ri të shqiptarëve në Ballkan. Ky vetëbesim duhet të shpërndahet. Në ekonomi, në politikë, në sport, gjithsesi, në kulturë, në jetën e përditshme. Për këtë fitore meritorë janë shumë, sidomos ata që s’kursyen asgjë për të mbështetur përfaqësuesen e Shqipërisë (në mendje i kam këtu edhe dy miq nga Zürich-u: Albanin dhe Përparimin; madje ky i fundit jo që shkoi në Elbasan, por i ndikuar nga rrëfimet e mia fluturuese për Thethin tash provokon edhe me fotografi nga Thethi).

Janë disa fakte që duhet të përmenden: diaspora shqiptare e çoi Zvicrën në Francë! Sonte diaspora shqiptare e Kosovës, Maqedonisë shqiptare dhe Luginës së Preshevës e çoi edhe Shqipërinë në Francë! Tash radhën e ka Kosova. Burimi i të gjitha emocioneve tona, zanafilla e krejt krenarisë sonë: Republika jonë! E vetmja dhe më e mira! Sepse është vetë liria jonë! Kësaj lirie kosovare më së miri i ka kënduar Hil Mosi. Poezia e tij «Kosova në luftë» më vonë u këndua nga Dervish Shaqa. Të gjithëve na kujtohet: «Ah, Shqypni, mos thuj mbarova, / Se djelmt tu edhe jan’ gjall’, / N’kam asht çu e rrebt’ Kosova / E ban luftën ball për ball».

Ekzistenca e Kosovës si shtet është dashuria më e madhe që shqiptarët e Kosovës mund t’i falin Shqipërisë. Dhe po i japin. Pandërprerë. Nga prizmi i Prishtinës do dëshironim që kjo dashuri të jetë e dyanshme. Larg paragjykimeve! Duhet të njihemi më mirë. Por edhe të respektohemi më shumë.

Por sonte, sonte, sonte – duhet folur për diasporën. Derisa shkruaj këtë tekst Përparimi më dërgon një video nga Helvetiaplatz (sheshi i Helvetia) në Zürich. Një shesh i mbuluar me ngjyrat kuq e kaltër. Kush e ka menduar? Dilnim në sheshin Helvetia në vitet 80-të të kërkojmë liri e republikë për Kosovën dhe s’na shikonte kush, përveç ndonjë majtisti zemërmirë zviceran. Dilnim në vitet 90-të të protestojmë kundër terrorit serb. Dhe dilnin, ata që ishin më trima, në Limmatplatz, merrnin autobusin dhe shkonin në Durrës dhe tutje drejt Kosovës – të luftojnë për liri pa asnjë ditë përvojë ushtarake. Zemrat e tyre të mëdha sot janë inspirim për shumë ata djem që luajnë për Shqipërinë (dhe mendjen e kanë edhe te Kosova dhe te të gjithë shqiptarët e tjerë).

Gjithçka që vjen prej Zürichu s’ka si të jetë ndryshe veçse mirë për shqiptarët: Armando Sadiku luan për një ekip të Zürichut; në restorantin e Letzigrund-it, në stadiumin e Zürichut, kur isha herën e fundit të gjithë flisnin shqip: prej kamerierit te shefi i sallës; më duket se prej asnjë qyteti Kosova dhe Maqedonia shqiptare nuk kanë marrë më shumë miliona se nga Zürichu; në Zürich mund të dilni për darkë dhe përballë jush do të shihni një ndërtesë të tërë të mbuluar me flamuj të Shqipërisë dhe Kosovës (ta hanë dreqi: mund të jetë edhe shtëpi publike apo sallon lojërash, ama është legale, me siguri); në Zürich për herë të parë në një gazetë të hapësirës gjermane është botuar që më 1998 një koment me titullin: «Për Republikën e Kosovës»; nga asnjë qytet në botë nuk ka më shumë fluturime për në Prishtinë se nga Zürichu; krahas New Yorkut në Zürich gjenden restorantet më të mira të drejtuara nga shqiptarët; shqiptarët më të lumtur jetojnë në Zvicër; edhe futbollistët më të mirë shqiptarë; librat më të mira të Ismail Kadaresë (për nga përgatitja teknike) janë botuar në Zürich; romani i parë i Fatos Kongolit në gjermanisht është botuar në Zürich; Zürichu është qyteti ku ka jetuar Agim Ramadani para se të nisej në rrugën e përgjakshme për çlirimin e Kosovës!

Sonte festoni për këta njerëz dhe për këto fakte. Dhe për diasporën tonë të pashkëputshme nga vatra e vet!

Dhe jo vetëm për Zürich-un. Sepse: gjithçka që vjen prej Baselit është e mirë për shqiptarët: Shkëlzen Gashi (ky që dha gol sonte në Armeni, pak me ndihëm e një armeni); zoti Feigenwinter – mësues i Eqrem Bej Vlorës në Vlorë (e përmend vetë Eqrem Bej Vlora në kujtimet e tij); më 1556 në Basel u ribotua «Rrethimi i Shkodrës» i Marin Barletit; në Basel është bërë i njohur Xherdan Shaqiri (që përfundoi aty ku është sot – nuk i ka faj Baseli); edhe vëllezërit Xhaka janë bërë të njohur në Basel; gati të gjitha ilaçet më të rëndësishme vijnë nga Baseli; Erazmo i Roterdamit i kaloi vitet e fundit të jetës në Basel; Albert Hofmann, kimist i famshëm, zbulues i LSD-së, jetoi dhe veproi në Basel; në Basel ka jetuar Hermann Hesse, njëri prej shkrimtarëve më të popullarizuar të letërsisë gjermane; dhe studio ndoshta më kreative në botë e arkitekturës gjendet në Basel: Herzog & de Meuron.

Dikush mund të thotë: po Bernën pse e harruat?
Jo.
Berna është qershia mbi tortë.
Në Ministrinë e Jashtme në Bernë është marrë vendimi që ambasadorit të Zvicrës në OKB në New York t’i jepet urdhri që për herë të parë në organin më të lartë të OKB-së të thotë se pavarësia e Kosovës është zgjidhja e vetme. Pas kësaj nisme qëndronte ministrja e jashtme Micheline Clamy-Rey. Që Zvicra ishte ndër vendet e para që pranoi Kosovën shtet – nuk është befasi. Edhe për shumë arsye duhet ta kujtojmë Bernën. Sidomos për Elina Dunin. Dhe… Për pjesën e vjetër të qytetit, të mbrojtur nga UNESCO, aty ku duam ta shohim Kosovën së shpejti. Dhe për miliona arsye: Bernë! Një këngë në dialektin e gjermanishtes së Zvicrës ka këtë titull: «Bärn, i ha di gärn». Të gjithë juve që po e lexoni këtë tekst – fjalinë e fundit në gjermanisht nuk do t’ua përkthej. Pyetni ndonjë familjar në Zvicër.