Një dekadë salltanet

Kulla e Babelit, stoqet dhe parajsat e sigurta. Një analizë mbi gjendjen e tregjeve globale.




U bë tashmë një dekadë prej se tregjet financiare filluan të këndellen nga kriza e viteve 2007-2009. Por, kjo nuk ishte një këndellje e natyrshme. Ajo u përkrah më të madhe nga shumica e bankave qendrore në tregjet e rëndësishme, të cilat filluan të hedhin sasi marramendëse të të hollave në treg, duke blerë veçanërisht letra me vlerë të ndërmarrjeve prodhuese. Që nga viti 2008, bankat qendrore po ashtu filluan t’i ulin normat e interesit, me synimin e njëjtë – rritjen e likuiditetit në treg.

Me këto masa pamë një rënie të normave të interesit deri në atë shkallë, saqë në disa vende ato hynë edhe në nivele negative. Bankat komerciale u detyruan t’i paguajnë bankave qendrore norma negative të interesit. Investitorët nuk kishin më mundësi tjetër investimi me një kthim pozitiv, veçse të investonin në tregun e stoqeve (stock markets). Tani më gati një dekadë jemi dëshmitarë të një zhvillimi pozitiv të këtyre tregjeve. Kthimet e mëdha në investime në shumicën e rasteve – në rrafshin makroekonomik – nuk përkonin me gjendjen reale të ekonomisë. U bë një ndarje mes ekonomisë reale dhe tregjeve financiare. Përderisa më herët tregjet financiare deri në një masë pasqyronin zhvillimet në tregjet reale, tani ato u bënë mjet në vete për t’i ofruar investitorëve një treg ku ata mund të investonin atë likuiditet të madh, i cili e kishte vërshuar tregun.

Gjendja e sotme është se investitorët vazhdojnë të përfitojnë pandërprerë, likuiditeti në treg po shtohet, normat e interesit ende po sillen afër zeros, ndërtimet po bëhen gjithandej – shpesh edhe pa një hulumtim të tregut. Me një fjalë, ndërtohet e investohet duke pritur se edhe e ardhmja do të jetë si e kaluara – një rritje kjo e bazuar në bindjen se çdo gjë do të vazhdoj sikur deri më tani. Mirëpo, në çka u bazua rritja?

Në tregimin biblik të Kullës së Babelit rrëfehet se si një popull, i cili e fliste gjuhën e shenjtë, filloi të ndërtojë një kullë e cila do të prekte majën e qiellit dhe do t’i afrohej kështu Perëndisë. Fundi i këtij tentimi është po ashtu i njohur. Ngjashëm duket edhe zhvillimi në tregjet investive, posaçërisht në tregjet e stoqeve. Ditëve të fundit i shohim shenjat e para të një çarjeje në muret e kullës. Sinjali për këtë çarje është ajo që ekonomistët e quajnë «lakore inverse e normës së interesit» të bonove të thesarit amerikan, e cila disa herë në të kaluarën ka qenë sinjal i sigurt i recesionit dhe krizës në ardhje. Zakonisht normat e interesit për bono me afat të shkurtër maturimi janë më të ulëta se ato me afat të gjatë. Kjo është shumë normale, pasi që në afat të gjatë, rreziku është çdoherë më i madh. Kjo që ka ndodhur ditëve të fundit, e që i ka shqetësuar akterët e tregjeve investive, është fakti se normat e interesit të maturimit në afat të shkurtër për herë të parë janë ngritur mbi ato të afateve më të gjata. Kjo quhet lakore inverse e normës së interesit.

Stërmbujsha e tregjeve me likuiditet, paqartësia rreth zhvillimeve gjeopolitike – me theks të posaçëm në luftën fiskale mes SHBA dhe Kinës – zhvillimet politike në Europë, ku ende nuk mund të kuantifikohen pasojat e Brexitit, si dhe hovi i partive të djathta populliste, të gjithat këto dëmtojnë rëndë themelin e kullës së lartë.

Çdo krizë përcillet edhe me një fluks të largimit nga vendi i krizës drejt vendeve të sigurta. E njëjta ndodhë edhe në tregjet financiare. Në këto tregje janë disa pak vende të cilat konsiderohen si «parajsa të sigurta» për investitorë. Zakonisht bëhet fjalë për frangun zviceran dhe dollarin amerikan. Këto ditë shihet një fluks i madh i kapitalit nga tregjet e stoqeve drejt bonove të thesarit zviceran. Kjo, edhe pse normat e interesit në frangun zviceran janë negative. Investitorët janë të gatshëm edhe të paguajnë diçka, vetëm e vetëm të zhvendosen në një treg të sigurt.

Gabimi më i madh që mund të bëhet në çdo krizë është të merren vendime emocionale dhe të ngutshme. Si çdo stuhi, edhe kjo e ardhmja, kurdo që të vijë, do të kalojë. Deri atëherë mbështilluni mirë, përgatitni ndonjë koktej me frutat e verës dhe vëzhgoni stuhinë.