Një debakël!

Kur postet janë më të rëndësishme se programi. Mbi dështimin – tani për tani – të koalicionit mes dy partive fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit. Dhe mbi një dekadë të humbur (2010-2019).




Njëri me videomesazh, tjetri me intervistë. Të dy folën për poste dhe vetëm për poste. Pothuaj fare për programin qeverisës, me të cilin e kanë ndërmend ta lumturojnë popullin në katër vitet e ardhshme. Postet janë më të rëndësishme se programi për prosperitet. Unë ia dhashë atij këtë post, por ai e kërkoi edhe atë. Zgjidh ti i pari, pastaj i dyti i zgjedh dy ministri. Ose: ti një, unë një. Ama, nëse ti e merr atë, unë e dua këtë. Pastaj do të vijë dita kur ti e merr edhe atë, edhe këtë. Kunguj e tranguj. Hesape pazari.

5:5, 6:4, 7:5. Taktizime, lojëra, intriga, kurthe, gracka – nga të dyja anët. Publiku tashmë i ka mësuar përmendsh kombinimet e mundshme dhe të pamundshme, dëshirat dhe ambiciet, kërkesat dhe refuzimet. Ti nuk më tregove që po e kandidon filanin për kryetar kuvendi, jo të tregova, jo nuk më tregove, po, po, po të kam treguar, ta kam bërë me dije. Kakofoni. Dramë. Komedi. U befasuam, por e votuam, thotë njëra palë. Këso arsyetimesh zor të jenë dëgjuar në ndonjë skenë politike të Europës. Ndërkohë militantët e palës tjetër kërcejnë përpjetë me arrogancën e triumfatorit të rrejshëm: «Ky është vetëm fillimi». Loja vazhdon me eksperimente. Qe, merrni krejt, thotë njëra palë. Jo, nuk i marrim, thotë i sapozgjedhuri si kryetar Kuvendi. Nuk duam të qeverisim vetëm, nuk është mirë kështu, sqaron ai.

Më 6 janar bëhen tre muaj nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare. Në afat rekord, të dy partitë fituese, i hodhën në ajër urat e bashkëpunimit. Çka fillon mbrapsht, nuk përfundon mbarë. Çka niset me mosbesim, nuk mund të vazhdojë e mbarojë me besim të plotë. Çka niset me nënçmim, nuk shndërrohet në respekt. Se kush ka faj më shumë – me këtë le të merren militantët e partive.

E vërteta e hidhur për qytetarët që besuan e votuan për ndryshim është kjo: nga ky debakël askush nuk do të dalë i padëmtuar, as folësi në videomesazh, as zhytësi në lumin Rubikon. Dëmin më të madh sërish e kanë pësuar institucionet. Kjo republikë po demontohet nga dita në ditë. Loja vazhdon sot. Një president i përgjegjshëm së pari e sqaron nëse ai të cilit dëshiron t’ia japë mandatin për krijimin e qeverisë mund të vijë në filan orën në zyrën e presidentit. Pastaj publikohet ftesa. Takimi, megjithatë, nuk do të realizohet sot, sepse, siç ka njoftuar partia «më e madhe dhe më fitimtare që nga koha e Skënderbeut», lideri suprem gjendet «jashtë Prishtinës», një përgjigje nonshalante kjo, joserioze, pa asnjë shpjegim të besueshëm se çka nënkupton kjo «jashtë Prishtinës» dhe për çfarë termini bëhet fjalë, nëse jo për punë krejtësisht private, e po të jetë ashtu, edhe kjo do të duhej thënë, pa hyrë në detaje, kuptohet. Po ndoshta Kosova është e madhe sa Rusia me gjashtë zona të ndryshme kohore dhe lideri nuk mund të kthehet nga Vladivostoku. Kjo sjellje është hedhje e gazit lotsjellës pa tym.

Kush bëhet merak pse nuk ka qeveri. Po qeveri as Belgjika nuk ka pasur një kohë të gjatë, tha shefi i partisë së dytë, e cila e sheh veten si të barabartë me të parën. E vërtetë, vetëm se t’i kishte Kosova punët si Belgjika, ndoshta do bënte edhe pa qeveri fare. Presidenti na takon neve, tha ai. Të tjerët nuk duhet të përzihen. Thua ti se posti i presidentit është pronë partiake dhe jo përfaqësues i unitetit të popullit.

Bukë e lojëra: kështu e pati quajtur shkrimtari satirik Juvenali politikën e Perandorit romak. Jepi popullit bukë dhe argëtoje nga pak, qetësia është e garantuar. Perandori Trajan ishte i bindur se populli romak fluturon nga gëzimi nëse i jep drithë dhe nëse mund të shijojë ndonjë shfaqje (teatri). 200 mijë banorëve të Romës u shpërndahej drithë, ndërsa për hare kujdeseshin ndeshjet e gladiatorëve, ndërsimi i zagarëve, çlodhja në ujëra termale. Klasa politike e Kosovës as bukë nuk i jep popullit, por vetëm helm e dëshpërim.

Kosova po e lë pas një dekadë të humbur. Kjo çfarë ndodhi në tre muajt e fundit me kinse negociatat për qeverisje është zhvillim paradigmatik që ilustron krejt dekadën. Në vitin 2010 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë i vuri vulë të rëndësishme pavarësisë së Kosovës, duke e konsideruar atë në pajtim me të drejtën ndërkombëtare. Në vitin 2019 po numërohen shtetet që kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës. Në vitin 2010 nuk u mor seriozisht raporti i Dick Marty-it, në vitin 2019 një gjykatë ndërkombëtare, por e themeluar me ligje të Kosovës, po merr në pyetje dhjetëra figura të luftës. Në vitet 2014/2015 mijëra kosovarë ikën ilegalisht në Perëndim, kryesisht Gjermani dhe Francë. Në vitin 2019 është shënuar progres: Gjermania po i merr krejt legalisht profesionistët e Kosovës, mjekë e inxhinierë. Djem e vajza që shkolluar me taksat e qytetarëve të Kosovës. Kjo dekadë do të mbahet në mend për «dialogun me Serbinë», negociata pa cak, marrëveshje absurde (fusnota, mbulimi i targave të veturave me karton, kopjet – jo origjinali – i dokumenteve të Kosovës të vjedhura nga Serbia, ku nuk guxon të tregosh pasaportën e Kosovës, por vetëm letërnjoftimin). Në fund të dekadës që po lëmë pas ra edhe tabuja e ndryshimit të kufijve të Kosovës. Edhe pa e thënë Emmanuel Macroni në vitin 2019, tashmë ishte kuptuar se nuk vlente premtimi i Samitit të Selanikut (2003) për perspektivën e hyrjes në BE të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kjo dekadë na tregoi se shqiptarët nuk janë imunë ndaj ekstremizmit fetar. Qindra shkuan në Siri për të luftuar në krahun e organizatave terroriste. Në fillim ishte Bashkësia Islame e Kosovës që me një mesazh krejtësisht të pamenduar i dha njëfarë legjitimiteti kësaj shkuarjeje në «vendin e Shamit», thua se bëhej fjalë për luftë fetare dhe jo për një kryengritje kundër një diktatori. Kjo ishte dekada kur u fol shumë për heqjen e vizave. Në vitin 2019 njerëzit, të dëshpëruar nga ky diskriminim, kur marrin vizë Schengeni postojnë në mediat sociale fotografi të vizës.

Në këtë dekadë pamë politikanë që hodhën gaz lotsjellës në Kuvend, sprej e gjësende të tjera. Pamë edhe të tillë që qerasnin me raki kolegët – në sallën e Kuvendit. Pamë e dëgjuam fyerje, nënçmime e seksizëm burrash që gratë i shohin si dekor. Ishte dekadë e vazhdimit të dhunës ndaj grave, por – dhe kjo është pozitive – edhe dekadë e pranisë më të madhe të vajzave dhe grave aktiviste që nuk durojnë më arrogancën toksike të burrave burracakë. Kjo ishte dekada e debateve mbi rezultatet fatale të testeve të PISA-s, por ishte edhe dekada kur arsimtarët e Kosovës i shihje duke i shitur votat për një sahan me qofte. Kjo ishte dekada e veteranëve të rrejshëm. Dekada e zëvendësministrave (ku keni parë qeveri në botë që ka rreth 90 zëvendësministra?) Një dekadë e humbur me dy autostrada të shtruara me paratë e taksapaguesve kosovarë (sa milionë u keqpërdorën, kjo le t’i mbetet drejtësisë ose – ky rrezik ekziston – do t’i mbetet vetëm historisë). Pak shpresë ofruan sportistet dhe sportistët, medalja e parë në Lojërat Olimpike, hyrja e Kosovës në FIFA dhe UEFA, reprezentacioni i Kosovës që shkëlqeu sidomos falë djemve nga diaspora dinamike shqiptare.

Çfarë do të sjellë dekada e re? Ekziston rreziku që në mungesë të një agjende se si të ndërtohet shteti i Kosovës, shoqëria të mbetet vetëm spektatore e polarizimit, popullizmit dhe përçarjeve të thella. Por edhe spektatorët mund të pakësohen – sepse shumë njerëz të ardhmen e tyre po e shohin në ndonjë qytet të zbehtë të Gjermanisë lindore se sa në Kosovë. Zhvillimet demografike kudo në Ballkan do të jenë temë e madhe në dekadën e ardhshme. Liderët e Kosovës kanë halle të tjera: flasin për poste, jo për demografi. Ndërkohë loja vazhdon. Presidenti paskësh dërguar ftesën e dytë. Ndeshja e titanëve pritet në orën 20:00.