Një burrështetas i madh, një vizionar i mençur dhe njohës i pavarësisë së Kosovës

Me rastin e vdekjes së Sulltanit të Omanit, Kabus bin Said al-Said.

Kabus bin Said al-Said.



Në fillim të shkurtit të vitit 2011 zëvendësministrja e punëve të jashtme, Vlora Çitaku, njoftoi opinionin se Republikën e Kosovës e kishte pranuar Omani. Mbretëria e Omanit bëhej kështu shteti i 75-të që po e pranonte pavarësinë e Kosovës. Ishe një kohë kur Kosova i numëronte njohjet. Në shtator të vitit 2011 diplomacia serbe u mundua të gënjejë opinionin, duke thënë se Omani kishte tërhequr njohjen e Kosovës. Atëherë ministër i Jashtëm i Serbisë ishte «demokrati» Vuk Jeremiq. Sot është «socialisti» Ivica Daçiq. Në luftën e ndyrë kundër pavarësisë së Kosovës asnjëri nuk dallojnë. Por Mbretëria e Omanit mbeti besnike ndaj Kosovës, nuk e tërhoqi njohjen.

Meritat për këtë i kishte sidomos Sulltani i Omanit, Kabus bin Said al-Said, i cili vdiq të premten, pas një sundimi gati 50-vjeçar. Kabus bin Said al-Said u lind më 18 nëntor 1940. Falë të ardhurave nga nafta Sulltani e nxori vendin nga varfëria. Kur e mori pushtetin më 1970 Kabus bin Said al-Said ishte 29-vjeçar. Me ndihmën e britanikëve ai e kishte dëbuar nga froni të atin. Siç shkruan gazeta gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung», kur Kabus bin Said al-Said u bë Mbret, Omani kishte tri shkolla, 75 për qind e fëmijëve të sapolindur vdisnin, në jug të vendit buçiste lufta kundër rebelëve komunistë. Sot gjendja e Omanit është dukshëm më e mirë. Banorët janë mjaft tolerantë, rrjedhimisht në qytete të Omanit ka gjithnjë e më shumë turistë të huaj.

Kur gjatë fundjavës banorët e Omanit u njoftuan se Sulltani kishte vdekur (ai vuante qe disa vite nga kanceri), në kryeqytetin e vendit, në Muskat, nisën të patrullojnë tanket dhe ushtarët. Tronditja e popullit është e madhe. Sulltani ishte një lider i madh dhe në krahasim me diktatorët e rajonit një autokrat relativisht liberal. Edhe në çështjet fetare Sulltani nuk ishte fanatik.

Kabus u shkollua në akademinë ushtarake Sandhurst në Britaninë e Madhe. Ai nuk ndërtoi vetëm projekte infrastrukturore, por u kujdes që si ndërmjetësues gjakftohtë të hapë rrugën për arritjen e Marrëveshjes Bërthamore mes SHBA-së dhe Iranit (ndërkohë kjo marrëveshje është hedhur në ajër nga Donald Trumpi). Sulltani kultivoi raporte pak a shumë korrekte me Izraelin dhe ndërtoi marrëdhënie të ngushta me Gjermaninë. Simbol i këtij bashkëpunimi është edhe Universiteti Gjerman i Teknologjisë në Muskat, kryeqyteti i Sulltanatit të Omanit. Si dashamirës i muzikës Sulltani themeloi një orkestër simfonike – ky ishte një mesazh ndaj fanatikëve fetarë në rajon, të cilët dëgjimin e muzikës e konsiderojnë haram. Trashëgimtar i Kabus bin Said al-Said u emërua kushëriri i tij, Sul¬ltan Haitam bin Ta¬rik al-Said. Sulltani i vdekur një burrështetas i madh, një vizionar i mençur – dhe njohës i pavarësisë së Kosovës.