Nga kuzhina e komunikatave

«Marrëveshja» që qenka arritur mes Albin Kurtit dhe Kadri Veselit për bashkëqeverisje të kujton një komunikatë të rrejshme të lëshuar gjoja nga një organizatë militante, e cila në nëntor të vitit 2008 mori përgjegjësinë për sulmin kundër Zyrës Civile Ndërkombëtare. Më parë Hashim Thaçi ishte përpjekur me krejt arsenalin propagandistik që për këtë sulm të fajësojë shërbimin sekret gjerman.

Ilustrimi: Shutterstock



Në nëntor të vitit 2008, pak muaj pasi Kosova e shpalli pavarësinë, policia e Kosovës, e kontrolluar edhe atëherë nga PDK dhe strukturat e saj nëntokësore të SHIK-ut, burgosi në një aksion spektakular tre gjermanë. Gjermanët u kapën afër Zyrës Civile Ndërkombëtare në Dragodan. Ata u akuzuan se mund të jenë të përfshirë në sulmin kundër Zyrës Civile Ndërkombëtare, e cila atëherë drejtohej nga diplomati holandez Pieter Feith. Gjermanët ishin punëtorë të shërbimit sekret të vendit të tyre (Bundesnachrichtendienst – BND). Sipas të gjitha fakteve të mbledhura nga gazetat gjermane, ata kishin shkuar në vendin e ngjarjes pasi kishin marrë lajmin se është sulmuar Zyra Civile Ndërkombëtare.

Është e mundshme që autoritetet e atëhershme të Kosovës të jenë trimëruar nga ndonjë shërbim tjetër perëndimor për «t’ua futur gjermanëve». Hashim Thaçi, atëbotë kryeministër, kishte një llogari të hapur me BND-në, i cili në raportet e tij e kishte përshkruar si pjesë të strukturave të krimit të organizuar. Raportet e BDN-së ishin cituar gjerësisht nga mediat gjermane. Kjo kishte ndikuar që politika gjermane të mbajë distancë ndaj Thaçit, por edhe figurave të tjera të dyshimta të UÇK-së.

Por Gjermania nuk ishte apriori kundërshtare e krerëve të UÇK-së. Përkundrazi: ka edhe sot oficerë gjermanë që flasin me respekt për Ekrem Rexhën (Komandant Drinin), me të cilin kishin bashkëpunuar ngushtë në qetësimin e gjendjes në Prizren në vitin 1999 dhe në fillim të vitit 2000. Në maj të vitit 2000 Ekrem Rexha u vra me 12 plumba nga «persona të panjohur». Revista «Der Spiegel» e quante Ekrem Rexhën oficer poliglot dhe të shkolluar, i cili menjëherë bashkëpunoi me forcat perëndimore që u stacionuan në Kosovë. Drini, vazhdonte «Der Spiegel», me gjasë ra viktimë e luftërave për pushtet brenda ish-UÇK-së. Në varrimin e tij morën pjesë 50 mijë veta.

Çfarë synohej në nëntor 2008 me arrestimin e tre gjermanëve? «Kemi fakte që njëri nga gjermanët është i përzier në vrasjen e komandant Drinit», tha atëherë njëri nga ish-krerët e UÇK-së dhe figurë drejtuese e PDK-së. Kjo ishte një përpjekje e mjerë, absurde, cinike e perverse që për një vrasje që me gjasë e kishin kryer kriminelë nga radhët e UÇK-së faji t’u lihej gjermanëve.

Agjentët gjermanë u mbajtën disa ditë në burg, ndonëse prokurori i çështjes, një burrë i matur dhe profesionist, thoshte se nuk ka asnjë dëshmi që i rëndon gjermanët. Por, shefi i tij, ish-prokuror i epokës jugosllave, ishte një mashë e SHIK-ut. Gjykatësi hetues, ndërkaq, ishte aq injorant, saqë në zyrën e tij i pyeti gazetarët gjermanë: «Pashë zotin, edhe në Gjermani po interesohen për këtë rast?» Në fakt arrestimi ishte shndërruar në aferë shtetërore. «Po u dëshmua që zyrtarët gjermanë në botën e jashtme kanë kryer sulm terrorist, këtu në Berlin bie qeveria», thoshte një koleg gjerman me përvojë të gjatë si reporter i çështjeve të sigurisë.

E vërteta ishte se agjentët gjermanë kishin shkuar në vendin e ngjarjes te selia e Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe rastësisht ishin zbuluar. Në raste të tilla shtetet mike i rregullojnë këto punë në heshtje, larg syve të opinionit. Qeveria e Hashim Thaçit kishte nevojë për shou, sepse Thaçi kishte një zemërim personal ndaj BDN-së. Sa më gjatë që mbaheshin në burg agjentët gjermanë, aq më shumë rritej presioni nga Berlini. Një javë pas arrestimit kryeministrin Thaçi e mori në telefon Thomas de Maizière, shef i kabinetit të kancelares Angela Merkel. Mesazhi i de Maizière pak a shumë ishte ky: po nuk u liruan menjëherë shtetasit gjermanë, atëherë ju (pra, Hashim Thaçi) dhe jo populli i Kosovës do të keni punë me Gjermaninë.

Tani ministrat e PDK-së, vetë kryeministri, të fortit në PDK dhe komisarët e SHIK-ut të alarmuar nisën të kërkojnë një rrugëdalje nga skandali që kryesisht e kishin shkaktuar vetë me sjelljet e tyre amatore. Befas mediat e kontrolluara nga PDK botuan një komunikatë të njëfarë grupi të armatosur shqiptar, i cili merrte përgjegjësinë për sulmin ndaj Zyrës Civile Ndërkombëtare. Më 28 nëntor 2008 gjermanët duhej liruar. Por, ministri i atëhershëm i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, s’arriti atë ditë të gjejë asnjë gjykatës kosovar, ata po pushonin sepse ishte ditë feste. Në mbrëmje Kosovën e shpëtoi një gjykatës i UNMIK-ut nga Afrika. Ai lëshoi vendimin dhe i pari që e mori vesh dhe na tregoi ishte Nebi Qena i agjencisë AP. Kosova ishte bërë e pavarur në shkurt të vitit 2008, por në nëntor pushteti i PDK-së e rikthente rolin vendimmarrës të UNMIK-ut.

Mund të merret me mend se kush e kishte sajuar këtë organizatën që mori përgjegjësinë për sulmin kundër Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe kush e kishte përpiluar komunikatën: natyrisht ata që përpiqeshin ta mbyllnin tani skandalin, sepse nuk u dolën kalkulimet. Ishin kalkulime të mësuara nga doracakët e shërbimit sekret të regjimit të Enver Hoxhës. Shërbimi sekret gjerman, BND, në raportin për Thaçin dhe shokët e tij shkruante: «Ata nuk kanë interes të ndërtojnë rend funksional shtetëror, sepse një sistem i tillë do t’i pengonte bizneset e tyre që po lulëzojnë».

Çka na tregon ky rast nga viti 2008? Na tregon se PDK nuk zgjedh mjete për të shkaktuar tensione dhe prodhuar mjegull. Në këtë funksion duket se është shkruar edhe përhapur edhe një komunikatë që tregon se qenka arritur një marrëveshje mes Albin Kurtit dhe Kadri Veselit për bashkëqeverisje. Mënyra e të shkruarit, keqpërdorimi i logos së gazetës «Express» (dikur portal i pëlqyer, e tash i urryer nga Kadri Veseli) dhe plasimi i kësaj komunikate që në fillim të fushatës elektorale ka për qëllim të shkaktojë huti në opinion – një sport ku PDK del fituese përherë. Por sa herë që në këso betejash hutishkaktuese fiton PDK, humb Kosova. Kësaj radhe, më 6 tetor, PDK duhet të përfundojë së paku në opozitë, ndërsa komunikatat me gjuhë nëntokësore t’i takojnë të kaluarës dhe një antikulture politike që është instaluar pikërisht nga PDK në sistemin politik të Kosovës.