Nënkancelari austriak Strache: Serbia është vend fantastik, atje jam i popullarizuar gati sa Putini

Një takim me një gjoja investitore ruse në një ishull spanjoll e ka futur në vështirësi nënkancelarin popullist austriak Heinz-Christian Strache. Në takim Strache premton tenderë shtetërore nëse rusja i jep para për të financuar fushatën elektorale. Sipas agjencisë gjermane të lajmeve DPA kancelari Sebastian Kurz do t’i japë fund sot bashkëpunimit me Strachen.

Heinz-Christian Strache gjatë një takimi të mëhershëm me presidentin serb Tomisllav Nikoliq. Për të treguar afërsinë me ortodoksinë serbe, Strache bart në dorë një «brojanica», njëfarë tespihe-byzylyku që e bartin sidomos popët ortodoksë dhe besimtarët e përkushtuar. Strache po ashtu është deklaruar si adhurues i muzikës së Cecës, ish-gruas së kriminelit të vrarë të luftës Arkan.



Gjatë takimit me një milionere të rrejshme ruse në një vilë në Ibiza të Spanjës, politikani austriak Heinz-Christian Strache thotë se Austria duhet të hapet gjerësisht ndaj vendeve të Europës Lindore dhe Rusisë. «Në Perëndim e kemi dekadentizmin, në Lindje ata janë normalë», thotë Strache sipas «Der Spiegel». Kjo revistë gjermane bashkë me gazetën «Süddeutsche Zeitung» kanë publikuar të shtunën artikuj të gjatë që përshkruajnë një takim të Straches me një grua ruse në Ibiza. Takimi është regjistruar nga persona të panjohur dhe incizimi i është dorëzuar këtyre dy mediumeve të fuqishme gjermane.

Strache, aktualisht nënkancelar i Austrisë, është kryetar i partisë së djathtë populliste FPÖ. Gjatë takimit në Ibiza ai thotë se para 10 vitesh ka takuar një këshilltar të Vladimir Putinit dhe me të kanë diskutuar planet për bashkëpunim strategjik. Edhe Serbia, shton Strache, është vend fantastik, disa miq të tij kanë investuar shumë atje. Për veten Strache thotë se në Serbi, sipas anketave, është gati po aq i popullarizuar sa Vladimir Putini.

Në takimin e zhvilluar në vitin 2017 në Ibiza përveç Straches dhe ruses së panjohur morën pjesë edhe politikani i FPÖ-së, Johann Gudenus, si dhe bashkëshortja e tij serbe Tajana Tajçiq. Strache i premton milioneres së rrejshme ruse se nëse FPÖ del e para në zgjedhjet parlamentare, atëherë ajo mund të marrë të gjithë tenderët shtetërorë. Gjatë bisedës flitet për licenca të kazinove, shitjen e një hoteli luksoz, tenderë për ndërtimin e autostradave. Palët flasin madje edhe për një plan që rusja të blejë gazetën «Kronen Zeitung», e cila ka shumë ndikim në opinionin austriak.

Sipas agjencisë gjermane të lajmeve kancelari Sebastian Kurz do t’i japë fund sot bashkëpunimit me Strachen. Pritet që Kurz të dalë para mediave sot rreth orës 11:00. Çështja është nëse Kurz do të vazhdojë të qeverisë me një pasardhës të Straches apo do të shpallë zgjedhje të reja parlamentare. Partia e Kurz ÖVP qeverisë bashkë me FPÖ-në e Straches që nga dhjetori i vitit 2017. Mes partnerëve të koalicionit ka pasur shpesh tensione për shkak të afërsisë së FPÖ-së me qarqet neonaziste. (dialogplus.ch)