Në Tiranë bashkohen shkencëtarët e diasporës

Në fund të shtatorit në kryeqytetin shqiptar mbahet konferenca «Kërkimi shkencor në hapësirën mbarëshqiptare dhe roli i diasporës shkencore».

Tirana.



Më 27 dhe 28 shtator 2019 mbahet në Tiranë konferenca «Kërkimi shkencor në hapësirën mbarëshqiptare dhe roli i diasporës shkencore», organizuar nga Instituti Alb-Shkenca, një strukturë shkencore joqeveritare e jofitimprurëse që bashkon studiues të të gjitha disiplinave nga diaspora dhe mbarë trojet shqiptare në Ballkan, si dhe Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës, një institucion publik, me objektiv kryesor mbështetjen e anëtarëve të diasporës, për të mundësuar kontributin e tyre në çështjet ekonomike, arsimore, kulturore etj.

Është hera e 14-të që Instituti Alb-Shkenca organizon këtë konferencë, por është hera e parë që një institucion publik bëhet bashkëorganizator i këtij takimi dhe kjo është për t’u përgëzuar dhe inkurajuar.

Përveç prezantimeve shkencore, koleget shkencëtarë pjesëmarrës nga diaspora dhe trojet shqiptare në Ballkan ftohen dhe inkurajohen të paraqesin dhe diskutojnë ide apo projekte konkrete për zgjidhjen e shumë problemeve me të cilat ballafaqohet vendi ynë.

Diaspora shkencore është një potencial real, por pak i shfrytëzuar për zgjidhjen e problemeve të shumta të ekonomisë, shkencës, kulturës apo historisë në vendin tonë. Kjo kërkon, në radhë të parë, që qeveria shqiptare të zhvishet nga komplekset e mbivlerësimit të rolit të shkencëtarëve të huaj dhe të vlerësojë seriozisht potencialin e diasporës duke bashkëpunuar konkretisht me shkencëtarët shqiptarë të cilët kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në vendet ku jetojnë dhe punojnë.

Ne e konsiderojmë këtë konferencë si një rast të mirë për ballafaqimin midis mundësive që ofron mendimi shkencor në diasporë dhe nevojave të shumta që ka vendi. Duke vlerësuar bujqësinë si një degë të rëndësishme të ekonomisë, si shkencëtarë të kësaj fushe, mendojmë se koordinimi midis shkencëtarëve të diasporës dhe atyre në trojet shqiptare në Ballkan për diskutimin e një projekt-ideje për formulimin dhe zbatimin sistematik të një studimi strategjik kombëtar për zhvillimin e bujqësisë në Shqipëri, do të ishte me interes.

Suksesi i formulimit dhe zbatimit te këtij studimi mundësohet vetëm nëse ekziston një vullnet i përbashkët, mbështetja e qeverisë dhe politikës në tërësi si dhe një bashkëpunim objektiv midis diasporës dhe kolegëve në trojet shqiptare në Ballkan.

Prof. Dr. Sokrat Sinaj, Agroscope, Zvicër
Prof. Dr. Pandi Zdruli, IAMB, Itali
Dr. Zamir Libohova, USDA, SHBA