Në prag të samitit në Berlin Vuçiq e quan Kosovën «djep të rrjeteve të tregtarëve të drogës», nuk distancohet nga mediat fashiste që fyejnë shqiptarët

Në një intervistë tepër të gjatë dhënë gazetës gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung» (FAZ), presidenti serb Aleksandar Vuçiqi nuk pranon të dënojë gazetat serbe që shqiptarët vazhdimisht i etiketojnë si «šiptari» dhe thotë se sikur ai ta pranonte Kosovën mund të arrestohet për shkelje të Kushtetutës. Intervista është një shou pa shumë përmbajtje.

Aleksandar Vuçiq dhe Hashim Thaçi.



Gazeta gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung» (FAZ) ka botuar të dielën në orët e mbrëmjes një intervistë të gjatë me kryetarin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Një version i shkurtuar i bisedës do të botohet në numrin e nesërm. Lidhur me porosinë e presidentit amerikan Donald Trump se normalizimi i raporteve mes Serbisë dhe Kosovës nënkupton njohje të ndërsjellë, Vuçiq thotë se «kjo është pikëpamje e tij (Trumpit) dhe prej nesh nuk mund të pranohet ashtu thjeshtë. Por e kemi marrë parasysh interesimin e tij që ta zgjidhim këtë temë të vështirë për të gjithë dhe këtë e respektojmë». Pastaj Vuçiq u ankua se Kosova nuk e ka zbatuar Marrëveshjen e Brukselit, gjë që, sipas tij, Serbia e ka bërë «100 për qind», madje Kosova, tha Vuçiq, ka marrë vendim për tarifa ndëshkuese ndaj prodhimeve serbe – «100 për qind». Si pengesa për dialogun Vuçiq i sheh edhe themelimin e ushtrisë së Kosovës dhe miratimin e platformës për dialog me Serbinë nga ana e Kuvendit të Kosovës. Kjo platformë përjashton ndryshimin e kufijve, gjë që është në kundërshtim me planin e Vuçiqit të përkrahur nga kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Nëse Kosova do të hiqte tarifat ndëshkuese ndaj prodhimeve serbe dhe nëse do të themelonte asociacionin e komunave serbe, a do ta pranonte Vuçiq Kosovën? Vuçiq nuk përgjigjet, vetëm thotë: «Kjo është pyetje e vështirë. Po të pranoja këtë, unë do të mund të arrestohesha nesër me arsyetimin se kam shkelur Kushtetutën serbe». Vuçiq po ashtu nuk pranoi të flasë për pozicionin serb në negociata: «Por mund të them: nëse i heqin tarifat, mund të flasim. Pa parakushte, për të gjitha temat. Por Serbia natyrisht do të ketë vijat e saj të kuqe». Cilat janë ato vija të kuqe? As këtë përgjigje nuk e jep Vuçiq. Në vend të kësaj arsyetohet duke thënë se fakti që shumica e serbëve kanë mendim negativ ndaj BE-së ka të bëjë me presionin që BE po ia bën Serbisë lidhur me Kosovën. Megjithatë, Vuçiq thotë se Serbia nuk ka arsye të ankohet ndaj BE-së për dallim nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja.

Gjatë intervistës Vuçiq nuk është distancuar nga gazetat serbe që shqiptarët vazhdimisht i etiketojnë si «šiptari», as nga ministri i tij i Mbrojtjes, i cili përdorë të njëjtën gjuhë. Sidomos gazeta «Informer», pronar i së cilës është biznesmeni i njohur për denoncime primitive Dragan Vukiçeviq, shkruan për «šiptari», të cilët duan ta sulmojnë dhe shkatërrojnë Serbinë, por shyqyr që është Vladimir Putini këtu dhe e pengon këtë. Vuçiq tha se Vukiçeviq është mik i tij qe 25 vjet. Presidenti serb nuk pranoi ta dënojë as artikujt e gazetave të kontrolluara prej tij, të cilat shkruan se djegia e Katedrales Notre Dame në Paris është ndëshkim nga zoti kundër Francës për shkak të pranimit të pavarësisë së Kosovës. Vuçiq thotë se janë mediat si televizioni N1 që atë po e quajnë tradhtar. Por gazeta gjermane nuk ka gjetur asnjë fakt që N1 e ka quajtur Vuçiqin tradhtar.

I pyetur rreth vrasjes së Oliver Ivanoviqit, Vuçiqi thotë: «Unë nuk jam ai që e ka vrarë dhe këtë e dinë të gjithë», pa dashur të flasë për krimin e organizuar në veri të Kosovës, ku dominojnë kriminelët serbë me vetura pa targa. «Përse disa njerëz po ngulin këmbë se në Kosovë përherë bëhet fjalë për veriun? Thua se në jug jetuakan shenjtorët, ndonëse atje është djepi i mafies, atje veprojnë rrjete të tregtarëve të drogës. Por përherë flitet për veriun. Pse? Sepse ai është pengesa e vetme e shqiptarëve të Kosovës në rrugën e pavarësisë së plotë në veri të Kosovës».

Në prag të samitit politikanët nga Kosova dhe Shqipëria nuk kanë qenë të pranishëm në mediat gjermane. Por lajm i madh nëpër portalet iliriane ka qenë se Edi Rama, Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj kanë fluturuar në Berlin me avionin privat të një biznesmeni të dyshimtë që vërtitet si ministër i Jashtëm i Kosovës. (dialogplus.ch)