Në kujtim të Marte Tunaj

Marte Tunaj.



Asht vjeti 2019. Lufta u kry në vjetin 1999. Shih ti tash statusat në Facebook! Politikanëve tanë iu paska dashtë nji dëshmi para kongreseve të hueja, për me e pa, mas njizet vjetëve, vujtjen e krimeve të luftës në oborrin tonë. Dhe qysh kanë fëtyrë sot politikanët tanë me u çu me piskatë «drejtësi», ndërkohë që deri dje kanë punësu përdhunues në institucione shtetnore po pvet a? Un nuk e di. Por nashta pytja asht krejtësisht gabim. Sepse, kjo çashtje nuk asht punë fëtyre.

Për politikanët tanë çdo politikë bahet sipas momentit që atyne iu konvenon me mbetë në pushtet. Pushteti për ta nënkupton: pasuni dhe liri me ble p.sh. kravata me pare të shtetit. Pse mos menduet që nënkupton përgjegjësi? Dhe natyrisht, me punësime e emnime të kriminelëve të luftës në institucione shtetnore vazhdohet edhe sot nën zhurmën e «kërkesave për drejtësi» për viktimat civile të luftës. Në korrin politik nëpër Facebook dhe para kamerave piskamat mburrëse vazhdojnë me nënçmu faktin që drejtësia asht mohu tash e njizet vjet ma së pari prej tyne. Dhe pa fije marre, dojnë me na e shitë përrallën që shteti i Kosovës, që ata si kapës të paluhatshëm të këtij shteti, qe njizet vjet paskan kërku drejtësi për viktimat civile të luftës. Nuk pat drejtësi, po thojnë, as vendore as ndërkombëtare? Pse kujt ia kërkuet ju bre këtë drejtësi? Kur? Ku ishim na që s’e paskemi ni? E ku ketë ju me dhonë drejtësi vendore? Dhe kështu pytja: ku ke ti kur un kam luftu? – do të bahet: ku ke ti kur un kërkojsha drejtësi?

Shum shpejtë kanë me ia nisë me u shty mes vete, në fakt veç ia kanë nisë, me na rrejtë cili e kërkoi i pari drejtësinë. ASNJANI! Tash e njizet vjet, «herojtë» tanë në pushtet, vijnë e shkojnë, e zgërdhihen para kamerave vendore e ndërkombëtare, drejtësi për viktimat civile të luftës as nuk i kërkuen askujt, as nuk i dhanë askujt. Drejtësisë i ikën vet kur mujtën, kjo po.

Të mbijetuemit, ose familjarët e viktimave civile të luftës, ata po, ata kërkuen drejtësi dhe morën shuplakë nji heshtje të madhe. Thirrjet për drejtësi kanë shum fëtyra. Dhe shum emna. Disa s’janë ma mes nesh. Po më kujtohet Marte Tunaj. A e mbani në mend ju? Ajo luftoi për drejtësi. Ajo e çeli nji rrugë që iu pre në gjysë, tue thy krejt tabutë në shoqninë tonë patriarkale (=burrnore, heroike, patriotike) rreth krimeve seksuale të luftës, për të cilat politikanët tanë (Isa, Alma) as në përurimin e përmendores «Heroinat» (e cila «nuk» i asht dediku grave të përdhunume gjatë luftës, por për këtë nji herë tjetër ma shum) nuk patën guxim me i quejt çka ishin. Përdhunime sistematike = armë lufte = krime të luftës. Pikë. Iu pre në gjysë lufta zonjës Tunaj, sepse zani i saj nuk e zgjoi prej gjumit as popullin e as klasën politike të saj (megjithëse kjo e fundit nuk asht në gjum, asht thjeshtë, në llogari të anktheve tona, tue e jetu andrrën ma të ambël të veten). Marte Tunaj luftoi për drejtësi, dhe luftoi për të vërtetën. Prandaj asaj, pavarësisht që dhunuesi i saj u dënu me burg, drejtësia që e meritoi nga shoqnia e nga ky shtet, nuk do t’i bahet kurrë. Në gjyqin ndaj kriminelit të luftës Millosh Jokiq, Marte Tunaj tha: «Dua të gjithë të dëgjoni, edhe burri edhe familja, edhe gazetarët».

Çka dëgjumë na? Ajo gjithashtu tha (citim nga koha.net:17 maj, 2016): «Tani kam 65 vite, dhe marr nga shteti një ndihmë prej 96 eurove. Përcjellë me vëmendje tërë debatin rreth femrave të dhunuara gjatë luftës dhe nuk më vije mirë që dikush flet me paragjykim për këtë kategori. Jam e befasuar dhe shumë e shqetësuar me ato diskutime në Parlament e Qeveri rreth asaj se a duhet apo nuk duhet të paguhen këto femra të dhunuara. Vërtet është turp për këtë Qeveri e këto institucione që ende pas 15 vitesh diskutohet se a duhet apo jo të kenë ndihma financiare femrat e dhunuara«». Por, diskutime pat. Ligji u miratu në vitin 2014. Marte Tunaj vdiq në vitin 2016. Procesi i aplikimit u hap në vitin 2018. Drejtësia e vonume, asht drejtësi e mohume. Ky asht nji parim ligjor që njihet. Dhe drejtësia e njohjes për Marte Tunaj u vonu. E vetmja zonja Jahjaga ishte në t’pame tek familja e saj. Institucionet shtetnore nuk e ngushlluen dhimbjen e kësaj familjeje as me nji vizitë, e natyrisht jo me pesëmdhetë mijë euro. Dhe ishte zonja Jahjaga e vetmja që përkrahi dhe bashkoi forcat me organizatat jo-qeveritare që kanë punu palodhshëm në këtë fushë për me e ngritë zanin publikisht e globalisht për drejtësi për familjarët e viktimave dhe të mbijetuemit e dhunës seksuale të luftës në Kosovë. Por, edhe mas krejt punës dhe mundit të tyne, institucionet shtetnore mësuen pak. Dhe sot, gratë e burrat që ishin viktima të përdhunimeve gjatë luftës (tue i përjashtu ligji ato/ata që janë përdhunu nga forca ushtarake pas qershorit 1999, a thu pse?!) me gjithë guximin që e gjejnë me apliku për njohjen e statusit si viktima civile të luftës, vazhdojnë me u refuzu për arsye të parandësishme, pasi që presin me muej të tanë deri sa të procehohet landa e të mirret vendimi. Dhe deri sa të kontestojnë vendimet e refuzimit nëpër gjyqe, ato që kanë fuqinë për nji betejë të tillë, ligji ka me skadu. Po po ligjet skadojnë. Veç pesë vjet u asht dhanë grave (e burrave) që janë viktima të përdhunime gjatë luftës me apliku për njohje të statusit. Pesë vjet. Merre me mend. Veç pesë vjet. Mas njizet vjet vetmi e torturë psiqike e fizike, përshkak të traumës së luftës dhe viktimizimit shoqnor të pas luftës, i cili vjen me traditë, veç pesë vjet u jipet kohë të mbijetuemve të përdhunime gjatë luftës, me gjetë forcën dhe guximin, dhe vullnetin për me apliku për njohje të statusit. Sa raste s’kanë me e mrri këtë afat? Pra po, Marte Tunaj foli. Edhe Vasfije Krasniqi Goodman foli. Pytja asht çka dëgjumë na?

Po gjithë ato që u heshtën deri në atë pikë sa mos me guxu as me folë? Dhunë asht kjo. Dhunë e masluftës. Dhe kjo dhunë asht dashtë me na shurdhu aq fortë, aq shum që ka piskatë tash e njizet vjet, në vetmi. Por shteti (ky të cilin e fitumë me qykë të zorit) nuk ke aty me i ngu. Përkundrazi njerzit u heshtën me grushtin kulturor të pushtetit i cili kujtesën për viktima e ka shndrru në maratonë të ndërtimeve të përmendoreve të herojve dhe garë se cili po e qet fotografinë ma të mirë (pse jo edhe me dorën në zemër, Kadria, Fatmiri e krejt me rend) në facebook para vorreve e dhimbjeve të hueja. Deri kur a? Deri sa të mujnë. E me mujtë kanë me mujtë deri sa na i lejojna ata vujtjen e këtij populli me e helmu me fjalor banal heroik, në të cilin i masakruemi quhet dëshmor dhe përdhunimi në luftë quhet kontribut i luftës. Po e shkruej këtë tue i kujtu krejt ata që përballë krejt këtij heroizimi s’mujnë me folë për vete e me bërtitë: Jo, nuk ia fala Kosovës djemtë, erdhën, mi morën prej shpisë, mi vranë e mi zhdukën. Jo, nuk e sakrifova veten në luftë. Më përdhununë në shpi teme. Jo, nuk rrash dëshmorë. Më masakruen në oborr të shpisë. Jo, drejtësi që njizet nuk pashë, sepse që njizet vjet ju nuk nini, ndërkohë që përkuleni (Hashimi) para pllakave përkujtimore të vorreve serbe që quejnë shqiptarët terrorista. Ndërkohë që ftoni (Hashimi) ish shërbëtor të Millosheviqit me mbajtë fjalime të Millosheviqit në Kosovë. Ndërkohë që dëbimin e dhunshëm të popullit e konsideroni (Ramushi) «piknik në Bllace». Ndërkohë që i fryni listat e veteranëve e prokurorët e shtetit duhet me ik në azil prej jush, sikur dikur qysh kena ikë prej Millosheviqit, e sipas juve edhe fëmija kanë pasë armë në dorë (Ramushi) gjatë luftës. Ndërkohë që me menxi e votuet ligjin për njohjen e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës si viktima civile të luftës, masi që hangrët shum m*t në proces dhe nuk e votuet nji herë. Jo, drejtësi që njizet nuk pashë, sepse që njizet vjet ju shëtiteni poshtë e naltë me kerre të shtrejta, e bani sefa në shpijat e jueja të shtrejta, bani pushime nëpër St.Moritza, bythën ul në lëkurë gjithë ditën e gratë tona urdhnohen dorzat higjienike me i pru prej shpisë kur të shkojnë me u malltretu, ofendu, keqtrajtu, diskriminu, pardon, me lind në spitale. Dhe jo ma pak, hiç ma pak edhe sepse, neve historia na ka msu me u mashtru me heroizmat politike e nuk e patëm hala nji njeri (as Albinin) mes nesh që i hynë politikës për me na nxjerr prej territ të këtyne mashtrimeve heroike. Jo ma pak edhe sepse, drejtësia për ju si koncept, asht veç nji pazarllëk politik i mundshëm. Nji mundësi ku ju mund të shkëmbeni fjalët e jueja të mëdhaja dhe veprat e jueja të vogla me nji karrigë mbreti dhe nji marrëveshje biznesi najkun. Nji mundësi me vazhdu me u rritë mbi dhimbjen e të tjerëve. Asht vjeti 2019, lufta u kry në vjetin 1999. Asht e qartë tash, ajo u kry veç për juve!

 

Dhimbjet e luftës nuk shnoshen me përmendore. Por në Kosovë ku përmendoret burrnore gufojnë historia jonë ka nevojë urgjente për nji përmendore grueje, me fëtyrë, jo anonime, me emën e mbiemën, për me i shnoshë, nëse asht vonë për neve, së paku gjeneratat e ardhshme prej dhunës historike ndaj grave e diskriminimit sistematik ndaj kujtesës së tyne në mesin e këtij populli. Kosova, ka nevojë për nji përmendore që regjistron në ndërgjegjjen e shoqnisë kujtesën e grave që ishin viktima të dhunës seksuale sistematike gjatë luftës, për me i mësu gjeneratat e ardhshme: qe çka asht lufta. Kosova ka nevojë për nji përmendore që nderon kujtesën e nji grueje që edhe përballë krejt normave shoqnore e sfidoi kulturën patriarkale në këtë vend dhe kur krejt të tjerët pritën ajo me u shemb në marren që ia dikton Kanuni përjetimit të saj të luftës, ajo u ngrit e tha: «Dua të gjithë të dëgjoni, edhe burri edhe familja, edhe gazetarët».

Un kam nevojë për nji përmendore të Marte Tunaj në vendin ma të mirë të mundshëm në Prishtinë. Por, për nji përmendore që nuk e nënçmon me heroizëm patriarkal të lavdimeve të luftës, as përjetimin e saj të luftës e as guximin e saj me luftu për drejtësi. Po, pse iu dashtë guxim asaj në paqe? Kjo asht nji pytje, që po i ikim të gjithë. Por, ballafaqimi me këtë pytje dhe përgjigjja mbi këtë pytje do t’i bante drejtësi shum grave. E vërteta asht që asaj iu dashtë guxim me folë, sepse, grushti i Kanunit nuk i kursen gratë prej prangave «të moralit» as përballë vujtjeve të luftës. Grave historia u kërkon me kërcy prej shkambijve, e me u murosë në mure kalajash për me i dhanë formë «nderit» burrnor. Dhe nuk mjaftohet me kaq, edhe pas murosjes, ia lypën gjinin me rritë trima. E keni parasysh? Krejve historia na mëson që nëse s’je hero, s’je kurrkushi. Sa përmendore ua ndërtuem viktimave të luftës tash e njizet vjet?

Marte Tunaj e ka sfidue këtë kulturë mu në mes të heshtjes kolektive, dhe kjo ishte diçka shum e guximshme. Dhe ky guxim, me respektin që e meriton duhet me u nderu tue i dhanë vend në histori me i shërby për inspirim gjeneratave të ardhshme. Kur po e ndërtojna nji përmendore ku i shkruhet zani, i shihet fëtyra, dhe i jehon emni nëpër breza përvojës së luftës së nji grueje, dy grave, qindra, mijëra grave nëpër histori që u ballafaquen me padrejtësi që iu kanosën prej anmiqve të jashtëm gjatë luftës, e çiftelisë të shpisë gjatë paqes? Po nji emën rruge? Nji emën shkolle? Po, nji faqe në libër të historisë, nji libër ku gratë kanë fëtyrë, gratë kanë emën, gratë kanë za?

A do të flasim najherë për dështimin dhe papërgjegjësinë e politikanëve tanë me i ofru drejtësi viktimave civile të luftës për gjithë këto vjet? Sepse, drejtësia ka shum forma. Dhe njana prej tyne që ka mujtë me u ofru tash e njizet vjet Kosova, e kurrkush nuk e ka nalë Kosovën, pavarësisht qëndrimeve të Sërbisë ndaj krimeve që ka ba në Kosovë, asht përkrahja financiare dhe ndihma psiko-sociale për viktimat e luftës, jo vetëm, por edhe përmes njohjes së statusit ligjor. Por kjo u vonu aq shum, sa shum gra nuk e pritën dot. Pra, mos thueni kurrë nuk asht vonë për drejtësi. Natyrisht që asht vonë, për ata që nuk janë ma. A do të kërkoj dikush falje najherë familjarëve të tyne? A do të përgjigjet najkush ligjërisht për faktin që me mijëra viktimave civile të luftës për njizet vjet sistematikisht u janë mohu të drejtat elementare për rehabilitim, riintegrim dhe pjesëmarrje të barabartë në jetën shoqnore?  Natyrisht që duhet dikush me u ndi përgjegjës ma së pari për me mujtë me kërku falje. E kush po pritni që ka me u ndi përgegjës në mesin e kaq shum trimave?

Po na si shoqni që e lejuem këto parada nënçmuese? Qysh dojna me kërku falje na? Nuk mendoj që mujna me i kërku falje atyne që nuk janë ma. Por, nji përmendore me e kujtu Marte Tunaj, asht ma e pakta çka mujna me ba për me i kërku falje brezave që tek do të vijnë, për mënyrën qysh e trajtuem gruen e kësaj shoqnie, tue ia lanë kështu nji gjurmë qysh ata me u ba ma të mirë se na e mos me harru as mas shekujve çka na harruem dy ditë masi që u kry lufta, dhe harruem çdo ditë ndër shekuj. Në mes të krejt luftave, e heshtëm luftën e grave me Kanunin. A heshtëm boll?