Në anën e duhun të drejtësisë

Na nuk guxojmë me leju që ata me kërku amnisti për veprimet e tyne mes nesh, ndaj nesh, e në emnin tonë, përmes lojnave politike në fakt me e marrë dhunshëm këtë amnisti tue i keqpërdorë plagët e mijërave njerëzve të pafajshëm që u viktimizuen dhe tue e rreziku punën e palodhshme ndër vite të njerëzve të tjerë që u qëndruen në krah viktimave civile të luftës tash e njizet vjet në sfidat e mëdhaja të rehabilitimit dhe luftës së tyne për drejtësi.

Foto: Shutterstock



Ndër të tjerash, në reagimet publike të politikanëve kosovarë, veçanërisht të njerëzve në pushtet, në lidhje me skandalin e orkestruem nga PDK-ja, të publikimit të fotografisë nga deputetja F.B. dhe debatit në Kuvend që pasoi, u dëshmu edhe njiherë ma shum që edhe mas njizet vjetëve Kosova me këtë klasë politike nuk asht në gjendje as me u mundu me i dëgju zanat e viktimave civile të luftës, e le ma me i kuptu pasojat psikologjike të përjetimeve të luftës. Kjo klasë politike jo vetëm se heshti ndaj vuejtjeve të viktimave civile të luftës, por ndër vjet viktimizoi sistematikisht tanë popullin.

Nji nivel i tillë politik mundet me miratu ditë e natë rezoluta për qefin e vetes. Por për me kërku drejtësi e fitu drejtësi për viktimat civile të luftës nuk asht i denjët. Qoftë edhe për arsye të thjeshta sikur mungesa e dijes. Deputetja e PDK-ës F.B. tha nga foltorja e Kuvendit: «Le të traumatizohet kush të dojë». Çka duhet këta me thanë tjetër, që na me u çu prej gjumit?

Nji pytje që më shqetëson mu asht, po kur nji klasë politike nuk ka as dije e as vullnet me i kuptu pasojat psikologjike të traumave të luftës tek gjenerata e parë, e me i mbrojtë njerzit nga ritraumatizimi, po qysh ka me i kuptu pasojat ndërbreznore të traumatizimeve të tilla?

Për çashtje të tilla të ndërlikume kjo shtresë politike aktuale, e paditun (por me libra të botume e me doktoratura në biografi), nën udhëheqjen e pamohueshme të Hashim Thaçit e Kadri Veselit me shokë, si duket as nuk ka mendu kurrë, dhe asht e qartë që nuk ka as idenë ma të vogël për ndonji strategji ndërgjegjësuese mbarëkombëtare për përpunimin me të kaluemën si politikë që do t’i kushtonte vëmendjen e duhun mirëqenies e shëndetit të gjeneratave të ardhme.

Apo ndoshta ideja e tyne për këtë asht me ndërtu përmendore, me shkrujtë statusa që lavdojnë herojtë dhe me shenjtëru luftën, edhe natyrisht me shkepë dekorata?

Asht e domosdoshme me e theksu, që nuk asht e randësishme a ishte apo s’ishte fotografia, që u publiku, origjinale. Njana ishte, tjetra s’ishte. Problemi kryesor në këtë teatër politik asht fakti që akterë politikë nën ndikime të interesave partiake ia lejojnë vetës të publikojnë pa asnji konsideratë ndaj mirëqenies së njeriut fotografi që lëndojnë dinjitetin dhe ringjallin kujtesa traumatike tek mijëra njerëz që vujtën tortura të ndryshme gjatë luftës.

Ndërkaq, po e njajta klasë politike e cila tani e përqëndron debatin rreth autenticitetit të fotografisë, në nji narrativë politike me shtriga e lugata nga dhenat e hueja, vazhdon të nënçmojë nji popull të tanë me gjuhën patriarkale të protagonizmit të shpëtimtarëve të kombit e mbrojtësve të së drejtës. Me këtë gjuhë filloi ky mjerim, a ju kujtohet? Injoranca brina s’ka. Por, pytja s’asht sa janë ata injorantë, por sa jemi na që po i durojmë?

Injoranca e thellë e këtyne njerzve, pa i llogaritë hiç ambiciet e tyne kriminele, asht në vetvete arsye e mjaftueshme që të shqetësohemi për të ardhmen e vendit tonë e të themi boll ma. Sepse, jo veç që jemi keq na, por gjenerata të tana që do vijnë pas nesh, do të vuejnë pasojat e injorancës së kësaj klase politike dhe heshtjes sonë përballë saj.

Çkana duhet me e diskutu sot asht pytja se deri kur na si shoqni do të shpërfillimin lojna të tilla politike që po bahen pa fije respekti në dam të shëndetit e mirëqenies së njerëzve? Deri kur na si shoqni civile do të lejojmë të bijmë pre e këtyne mashtrimeve poltike? Tue qenë se jemi dëshmitarë të gjallë të udhëheqjes së shtetit nga nji klasë politike e papërgjegjshme, veprimet dhe retorika e të cilës nuk kanë as nji lloj kompasi etik e moral, pytja asht kur do t’i thërrasim me dhanë llogari? Përfundimisht, a nuk ishim dashtë na si shoqni që pagujti shtrejtë çmimin e lirisë me qenë gjyqi ma i rreptë dhe i parë i çdokujt që guxon me ia leju vetes me na e cenue lirinë në këtë mënyrë?  A nuk ish dashtë kjo me qenë përgjegjësia jonë si shoqni? Nëse jo na, kush? Deri kur do të presim shpëtimi me na ardhë prej jasht?

Veç të mbijetuemët e torturave të luftës kanë të drejtë të paraqesin publikisht dëshmi aty ku zgjedhin, e si zgjedhin, e kur të dojnë. E edhe nëse s’dojnë, edhe nëse s’mujnë, në rregull asht. Asht e drejtë e tyne që duhet me u respektu pa asnji dyshim dhe pa asnji debat. E drejtë që ma së pari na si shoqni duhet me e mbrojtë me çdo kusht, sepse para gjithçka tjetër duhet me u vendosë mirëqenia, shëndeti, dhe liria e njeriut. Kurrkush tjetër, përveç të mbijetuemve e familjarëve të viktimave civile të luftës, nuk ka të drejtë pa miratim të tyne me ba publikime të tilla të fotografive apo çfarëdo dëshmie që cenon të drejtën e tyne për dinjitet, e as me i shfrytëzu e manipulu njerëzit drejt miratimeve nën presione politike të ndryshme. Mirëqenia e njerëzve duhet me qenë prioritet, e jo politikat e ndyta gjoja se patriotike, as të shtetit, as të grupeve të caktume.

Të vërtetat po piskasin qe njizet vjet. Ata që kanë dashtë me i ni, i kanë ni. Ata që s’kanë dashtë, sot me zhurmën e tyne po mundohen me na shurdhu ndaj nji të vërtete tjetër: asaj që për njizet vjet rresht kurrgja nuk banën për viktimat civile të luftës, veçanërisht për gratë, dhe nuk ndihen bile as përgjegjës për këtë dështim kolosal. Përveç me i nënçmu aty ku mujtën.

I përmendën natyrisht në fushata zgjedhore «të fillimeve të reja» e përrallave të tilla. Dhe qe ku vazhdojnë sot, tue mendu që me zhurmën e tyne në mikrofona të Kuvendit dhe në studio televizive pronarë të së cilës janë vetë, kanë me na e largu vëmendjen prej kësaj të vërtete e me na mashtru prej fillimit, sikur qysh na mashtrunë për njizet vjet, se ata ia dojnë të mirën këtij vendi.

Me krijimin e iluzioneve të unitetit politik, e budallakinave tjera në Kuvend, veç janë tue dëshmu edhe njihere ma shum sa të aftë janë me ba krejt çka asht e mundshme për me mbetë ose ardhë në pushtet. Asht e qartë që krejt çka i lidhë udhëheqësit politik në pushtet me drejtësinë asht zori qysh ata vetë me i ikë asaj. E ndoshta edhe i ikin, por gjyqit të historisë tonë nuk ishin dashtë me mujtë me i ikë. Në shum aspekte të dyjat varen prej neve.

Pra, ma së voni tash që e pamë, për të satën herë ma, tash që e kemi të qartë si qëndrojnë ata përballë drejtësisë, duhet të fillojmë t’ia bajmë vetes pytjen se ku qëndrojmë na si shoqni në raport me drejtësinë? Pyetja asht e thjeshtë: a jemi për, apo jemi kundër drejtësisë? Nëse jemi për, duhet të jemi kundër njerëzve të tillë në politikë në radhë të parë. Nuk guxojmë me ia leju vetes me ba pazar me drejtësinë, sikur që banën ata tash e sa vjet. Kjo nënkupton, nëse kanë ba krime na duhet të jemi të parët që ua vnojmë prangat në dorë. Dhe kjo gjithashtu nënkupton që nuk guxojmë me u verbu para tendencave të tyne me i instrumentalizu thirrjet për drejtësi të viktimave civile të luftës, për rehabilitim të burrnisë apo heroizmit të tyne politik. Jo kjo, jo ajo; ata nuk e kanë ndërmend me u ndalë. Na nuk guxojmë me leju që ata me kërku amnisti për veprimet e tyne mes nesh, ndaj nesh, e në emnin tonë, përmes lojnave politike në fakt me e marrë dhunshëm këtë amnisti tue i keqpërdorë plagët e mijërave njerëzve të pafajshëm që u viktimizuen dhe tue e rreziku punën e palodhshme ndër vite të njerëzve të tjerë që u qëndruen në krah viktimave civile të luftës tash e njizet vjet në sfidat e mëdhaja të rehabilitimit dhe luftës së tyne për drejtësi. Aq ma shum kur ke parasysh qysh përvojat e grave të përdhunueme gjatë luftës u ndeshën në norma kanunore dhe paragjykime shoqnore që i detyruen ato me heshtë e vujtë në vetmi, dhe i viktimizuen në forma të ndryshme për së dyti. Paragjykime të cilat pa asnji konsideratë ndaj dhimbjes njerzore u shprehën haptas edhe në Kuvend kur diskutohej plotësimi i ligjit për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale si viktima civile të luftës.

Pra, pytja ishte a jemi për, apo jemi kundër drejtësisë? E nëse jemi kundër, atëherë jemi edhe kundër nji të ardhme ma të mirë për fëmijët tanë. Atëherë i meritojmë këto bisha me na udhëheq. E nëse jemi për, dorëheqja e pa kusht e tyne asht minimumi çka ishim dashtë me e kërku. Ani pse, edhe pas dorëheqjes së tyne, mirë menjiherë nuk ka me u ba. Por së paku t’u japim nji shansë gjeneratave të ardhshme me lexu në libra të historisë që ndërgjegjja nuk na lejoi me heshtë përballë mashtrimeve e poshtnimeve të tyne politike.

T’iu tregojmë gjeneratave të ardhshme, që Kosova i dashti, dhe kur ishte në pytje ajo u radhitë në anën e duhun të drejtësisë: në anën e dinjitetit dhe mirëqenies së njeriut; në anën e tyne. Por edhe t’u tregojmë të gjithë atyne që ia mësyjnë pushtetit, që nuk do të tolerojmë shtypje e padrejtësi ma, që nuk ka gjykatë në botë që do t’i vijë radha me i ndëshku para neve nëse i shkelin të drejtat dhe liritë tona. Së paku kaq i kemi borxh edhe të kaluemes e edhe të ardhmes.