Ndalohen përkohësisht punimet në hidrocentralin privat mbi Lepenc

Autoritetet komunale të Shtërpcës nga e hëna kanë ndaluar përkohësisht punimet në ndërtimin e hidrocentralit privat mbi lumin Lepenc.




Ky hap është ndërmarrë pasi kryetari i kësaj komune ka takuar një delegacion të Bitisë së Poshtme, me të cilin ka pasur një marrëveshje për të ndalur edhe protestat, shkruan sot «Koha Ditore».

Nënkryetari i Shtërpcës, Beqir Fejzullahu, e ka konfirmuar të hënën për «Kohën Ditore» se punimet janë ndërprerë përkohësisht.

«Kryetari ka marrë vendim që të ndërpriten përkohësisht punimet derisa të shqyrtohet në detaje projekti për hidrocentralin. Pasi të njoftohet kryetari me të gjitha detajet, atëherë do të ketë edhe një takim me delegacionin nga Bitia dhe do të shohim hapat e mëtejmë», ka thënë ai.

Të kënaqur nga ana tjetër me këtë hap janë ndarë banorët e Bitisë së Poshtme, të cilët me bllokada rruge e me protesta që nga java e kaluar kanë shprehur kundërshtimin e tyre lidhur me ndërtimin e hidrocentralit.