Mustafa s’e di se kur do të shkojë në veri të vendit

Shefi i ekzekutivit, Isa Mustafa, ka shpeshtuar daljet në terren.




Ai herë në cilësinë e kryeministrie, e herë si kryetar i LDK-së, ka vizituar shumë qytete e fshatra të Kosovës, por jo edhe komunat në veri të vendit, raporton KTV.

Një vizitë të mundshme në veri, ai ka thënë se do ta realizojë shumë shpejt, por nuk ka mundur ta konfirmojë datën.

Mustafa ka thënë se ka shumë projekte, në të cilat po realizohen në veri nëpërmjet marrëveshjeve të drejtpërdrejta të ministrive përkatëse dhe komunave atje.

Sa i përket përcaktimit të vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, kryeministri ka thënë se një çështje e tillë nuk e rrezikon liberalizimin e vizave për kosovarët.

Sa u përket emërimeve të reja në Kabinetin qeveritar, Kryeministri ka thënë se javën e kaluar kanë emëruar ata emra të cilët i kanë marrë si propozime nga partneri i koalicionit, derisa propozime të tjera, tha të mos ketë pasur.

Shefi i ekzekutivit ka thënë se janë marrë vesh që të punojnë në rikonstruimin e Qeverisë, në mënyrë që të shohin se a është i nevojshëm ndonjë ndryshim, që Qeveria të jetë më efikase.