Mustafa premton hapjen e fabrikave të vogla nëpër Kosovë

Kreu i ekzekutivit kosovar Isa Mustafa, ka qenë sot në Ferizaj, ku ka prerë shiritin e një rruge, e cila lidh fshatrat Zllatar dhe Dardani me magjistralen Ferizaj-Gjilan.




Ai ka premtuar hapjen e fabrikave të vogla nëpër Kosovë.

«Së bashku me Ministrin Zharku dhe Kryetarin Muharrem Sfarqa, vizituam fshatrat Dardani dhe Zllatar të Komunës së Ferizajt ku edhe përuruam rrugën që lidhë këto fshatra me magjistralen Ferizaj-Gjilan. Vlerën më të madhe të kësaj rruge sot e pashë në pjesëmarrjen e madhe të qytetarëve gjatë përurimit të saj», ka thënë Mustafa.

Mustafa ka thënë se është duke u punuar për zhvillimin ekonomik.

«Siç po ndërtojmë rrugë do të ndërtojmë edhe fabrika të vogla nëpër Kosovë, në mënyrë që të ketë punë për të rinjtë dhe që fëmijët që janë këtu të gjejnë ardhmërinë e tyre dhe perspektivën e tyre në vendin e tyre, në fshatra, në komunë, në Kosovën që e duam kaq shumë dhe që se zëvendësojmë me asnjë vend tjetër».