Mos i votoni uzurpatorët e shtetit

Tani ka ardhur koha ta ndryshojmë edhe politikën. 6 tetorin mund ta bëjmë një moment të tillë që të mbahet në mend dimensioni i ndryshimit. Vendimi është i lehtë. Do ua japim votën atyre që e bartin përgjegjësinë kryesore të shkatërrimit dhe plaçkitjes së shtetit apo do ua japim votën atyre që shpresojmë se do të udhëheqin më mirë. Të gjithë jemi kureshtarë të shohim se çfarë drejtimi do të marrë Kosova më 6 tetor.

Hamit Zeqiri.



Në zgjedhjet e fundit më 2017 Lëvizja Vetëvendosje (VV) arriti të dyfishohej dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) arriti një rezultat solid. Në ditët e para pas zgjedhjeve ekzistonte një shpresë se po i vinte fundi udhëheqjes së Kosovës nga «komandantët» dhe uzurpatorët dhe Kosova po fillonte ngadalë një fazë të re më normale të historisë së saj.

Ndodhi edhe njëherë që dëshira dhe mesazhi i qartë i popullit nuk u përfill dhe u bënë pazare të ndyra të cilat për dy vite me radhë i kushtuan shumë shtrenjtë Kosovës. Kryeministër u bë një person që përveç muskujve dhe etjes për grabitje të pasurisë publike nuk ka as potencial intelektual, as moral e njerëzor për ta udhëhequr një vend. Në një vend funksional demokratik një njeri i tillë mund të bëhet eventualisht truproje e një kryeministri por kryeministër në asnjë rast. Zgjedhja e tij në këtë funksion është nënçmuese për një popull. Se ku i kishte prioritetet ky «patriot» u pa shpejtë.

Dyfishimi i rrogës së vet, afera të panumërta korruptive, dhurimin e parave publike për agjenda dhe qëllime private, planifikimin absurd dhe të panevojshëm të një autostrade prej mbi një miliardë euro në mënyrë që të vidhet në shifra sa më të larta dhe shumë e shumë skandale të tjera. Kryeministri i një vendi të varfër si Kosova kalon pushime në St. Moritz dhe jep shuma marramendëse parash për një javë.

Në të njëjtën kohë mungojnë barërat elementare në spitale dhe diaspora ndan parat e xhepit të vet (mbi një miliardë euro në vit) për t’u solidarizaur me njerëzit që kanë nevojë në Kosovë. Sjelljet e të ashtuquajturit kryeministër janë neveritëse dhe për këtë ai duhet të ndëshkohet.

Do të ishte mirë që fillimi i ndëshkimit të nisë me 6 tetor. Me një prokurori profesionale dhe të pakorruptuar këtë dhe «komandantë» të sojit të tij mund t’i dërgosh brenda një dite në burg. Llogaria është shumë e thjeshtë. Sa pasuri kishin para luftës dhe sa kanë sot dhe nga «erdhi» kjo pasuri? Kjo «qeveri patriotike» dhe e «fortë » ishte e varur kryekëput prej vullnetit dhe interesave të Beogradit. Pa mbështetjen e Listës Serbe kjo qeveri as që do të mund të zgjidhej.

Kosova është dërmuar njëzet vite të tëra nga «komandantët» dhe «patriotët». Një kastë politike që pjesërisht e dha një kontribut për çlirim, për ta uzurpuar pastaj vendin tonë dhe për ta katandisur në një gjendje që ndoshta as armiqtë e Kosovës nuk do të ishin kaq kreativ në shkatërrimin e tij. Sikur Kosova t’i kishte paguar disa mercenarë për ta udhëhequr luftën, Kosovës do t’i kushtonte shumë më pak se sa disa «komandantë», që e trajtuan Kosovën qe 20 vite si gjahun e tyre piratesk. Kësaj katrahure duhet t’i vijë fundi më 6 tetor.

Ky është një shans për një ndryshim thelbësor në politikë dhe një fillim shpresëdhënës në shoqëri në përgjithësi. E kemi obligim qytetar të marrim pjesë në zgjedhje dhe t’ua japim votën atyre personave në të cilët besojmë që do të punojnë për të mirën e vendit. Duke pasur parasysh tendencat populliste të Vetëvendosjes dhe bashkëpunimin e LDK-së në të kaluarën e afërt me shkatërruesit e shtetit, shumë njerëz kanë arsye të jenë skeptikë. Megjithatë me një logjikë të shëndoshë dhe të sinqertë atdhedashurie do të duhej të votohej Vetëvendosja apo LDK-ja.

Korrupsionin nuk mund ta lufton i korruptuari. Deklarimet e tilla nga Veseli, Haradinaj dhe Limaj janë më tepër sesa cinike. Kjo tregon më së miri se çfarë mospërfillje i bëjnë këta «atdhetarë» dhe aleatët e tyre të vegjël zgjedhësve. Njësoj sikurse Hashim Thaçi që do t’ia bashkangjes Kosovës, Luginën e Preshevës, Bujanovcin e Medvegjën pa i dhënë asgjë Serbisë. Mirë që nuk i është kujtuar se ky mund të «shkojë» edhe deri në Beograd po deshi.

Arsyetimet hipokrite të disa satelitëve që bënë koalicione me partitë e qeverisë në dorëheqje, tregojnë më së miri se deri ku ka mbërri degradimi i karakterit të tyre. Rasti më eklatant është PSD-ja e Shpend Ahmetit. Kur dëgjon deklarimet e bashkëpartiakëve të tij për Ramush Haradinajn, haraçin e krimin dhe i krahason me deklaratat aktuale duket shumë bizare ndërrimi i tillë i fytyrave dhe «bindjeve» brenda natës. Me këta njerëz në pushtet Kosovën e presin ditë shumë të vështira.

Mirëpo vendimin kësaj radhe, si asnjëherë më parë, e kemi në dorën tonë. Zgjedhjet që po vinë janë një moment i madh për ndryshime të mëdha. Të mos votosh është fatale. Është dorëzim para uzurpatorëve dhe është dorëzim i të ardhmes dhe ëndrrave të fëmijëve tanë, të mbesave dhe nipave tanë. Kosovën do ta bëjmë ngase kemi mundësi dhe resurse të mjaftueshme. Sa shpejtë do të bëhet varet prej nesh. Diaspora ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbijetesën, çlirimin dhe zhvillimin e Kosovës. Diaspora do të vazhdojë të kontribuojë edhe më tutje, por ajo nuk mund ta bëjë këtë me uzurpatorët e Kosovës. Duhet një ndryshim dhe transformim i thellë për t’u rritur kontributi dhe investimi.

Kosova ka potencialin të jetë një vend i zhvilluar dhe i emancipuar. Këtë e tregon edhe suksesi i shumë kosovareve dhe kosovarëve në nivel global në biznes, shkencë, artë dhe sport. Pas shumë viteve të fokusit negativ mediat botërore po shkruajnë për suksesin e djemve tanë në futboll. Këtë ndjenjë të krenarisë duhet dhe mund ta kemi më shpesh. Tani ka ardhur koha që ta ndryshojmë edhe politikën. 6 tetorin mund ta bëjmë një moment të tillë që të mbahet në mend dimensioni i ndryshimit. Një moment për të cilin pas shumë viteve mbesa apo nipi do ta pyes gjyshen apo gjyshin «për kë ke votuar më 6 tetor 2019».

Vendimi është i lehtë. Do ua japim votën atyre që e bartin përgjegjësinë kryesore të shkatërrimit dhe plaçkitjes së shtetit apo do ua japim votën atyre që shpresojmë se do të udhëheqin më mirë. Të gjithë jemi kureshtarë të shohim se çfarë drejtimi do të marrë Kosova më 6 tetor.