Moçali maqedonas dhe faji i BE-së

Sundimtari i Maqedonisë dhe kryeministri shumëvjeçar Nikola Gruevski e ka shndërruar vendin në pronë të klanit të tij dhe ka përgjuar mbi 20 mijë qytetarë. Tani presidenti Gjorgje Ivanov ka paralajmëruar se do t’i amnistojë të gjithë ata që janë nën hetime për shkak të skandalit të përgjimeve. BE duhet të kujdeset që një pushtet i tillë të mos ketë vend në Europë.

Gjorgje Ivanov, president i Maqedonisë.



Nikola Gruevski duhet të jetë njëri nga ata sundimtarët ballkanikë që s’i trembet syri para çdo vendimi për shkatërrimin e demokracisë. Ndonëse Gruevski gjendet në shoqëri të mirë, megjithatë në shumë aspekte të kapjes së shtetit ai prin në Ballkan. Bashkë me kushëririn e tij, i cili me vite ishte shef i shërbimit sekret dhe me gjasë inskenues i përleshjes së armatosur në Kumanovë në maj të 2015, Gruevski e ka shndërruar si partinë VMRO ashtu edhe tërë shtetin në pronë të një klani.

Janë mbyllur media dhe kërcënuar gazetarë, janë vrarë refugjatë të pafajshëm për t’iu prezantuar opinionit rrejshëm si terroristë të al-Kaidës, shumë privatizime janë kryer me gjasë vetëm me qëllim të përfitimit të paligjshëm, administrata publike është mbushur me militantë partiakë – dhe kulmi i skandaleve: mbi 20 mijë qytetarë maqedonas, praktikisht të gjithë ata që marrin pjesë në jetën publiko-politike, janë përgjuar me vite. Regjistri i mëkateve i Nikola Gruevskit është pafund i gjatë, këtu hyn edhe mikpritja që ai i kishte bërë në prill 2013 në aeroportin e Shkupit një krimineli maqedonas të luftës – Johan Tarçullovskit, i cili u dënua nga Gjykata e Hagës për vrasje të shqiptarëve gjatë konfliktit të vitit 2001 dhe vuajti 8 vjet burg. Me këtë Gruevski tregonte se në Maqedoni nuk ka ndodhur kurrfarë pendimi mbi krimet e kryera. Tarçullovski u prit si hero dhe edhe sot e kësaj dite shumica sllave nuk ka ndjenjën se civilët e vrarë afër Shkupit janë shtetas maqedonas.

Opozita maqedonase e prirë nga ish-komunistët që quhen socialdemokratë ka arritur të sigurojë një pjesë të madhe të përgjimeve dhe kryetari i LSDM-së (socialdemokratëve) Zoran Zaev i ka prezantuar ato vazhdimisht para mediave. Me kalimin e kohës publikimi i përgjimeve mori emrin «bombat e Zaevit», të cilat për nga përmbajtja pak a shumë u përngjajnë bisedave që zhvillonin eksponentë të PDK-së në Kosovë në atë që ka hyrë në histori si «afera pronto». Mijëra njerëz kanë protestuar kundër shtetit përgjues të Gruevskit dhe drejtësia ka nisur hetimet kundër atyre zyrtarëve që supozohet se janë fajtorë për skandalin më të madh prej se Maqedonia është pavarësuar më 1991.

Të martën kryetari i Maqedonisë Gjorgje Ivanov në një paraqitje publike ka paralajmëruar se do t’i amnistojë të gjithë ata që janë të përzier në aferën e përgjimeve. Ivanov tha se me këtë hap ai dëshironte t’i jepte fund «vuajtjes politike» të Maqedonisë. Shefi i opozitës Zoran Zaev reagoi menjëherë duke e quajtur paralajmërimin e presidentit si përpjekje për grusht shteti. Ai po ashtu kërkoi dorëheqjen e Ivanovit. Komisioneri i BE-së për zgjerim Johannes Hahn, një figurë e zbehtë politike dhe tepër tolerantë ndaj politikanëve të korruptuar ballkanikë, kësaj radhe dha një deklaratë pak më të ashpër duke e quajtur «të papranueshëm» synimin e Ivanovit për amnisti.

Bashkimi Europian e ka injoruar krizën në Maqedoni një kohë të gjatë. Tek pas vrasjeve në Kumanovë komisioneri Hahn filloi të interesohej më shumë, por duke ia mbajtur anën pushtetit. Gazeta gjermane «Frankfurter Rundschau» madje e pati akuzuar austriakun Hahn se po minimizon krizën në Maqedoni duke e trajtuar si kacafytje në kafehanen ballkanike. Me rritjen e presionit publik edhe BE ishte e shtyrë të veprojë dhe e bindi Nikola Gruevskin që të largohet nga posti dhe deri në mbajtjen e zgjedhjeve kryeministër të jetë dikush tjetër. Kjo ka ndodhur ndërkohë, në krye të qeverisë ka ardhur Emill Dimitriev nga partia e Gruevskit. Por kriza nuk është zgjidhur fare. Plani për mbajtjen e zgjedhjeve në prill ka dështuar, tani si termin i ri është caktuar 5 qershori. Por lojërat e ndyra politike, beteja për pushtet që zhvillohet gati me çmim gjaku, shpifjet e qelbësirave mediale (këtu Shkupi dallon pak nga Prishtina, Tirana apo Beogradi), mosgatishmëria e qeverisë për të pastruar regjistrin e votuesve e vënë në dyshim serioz mbajtjen e zgjedhjeve më 5 qershor.

Në kampin politik shqiptar – si përherë – mbizotëron një polarizim tepër i madh, një egërsi e pashembullt në komunikim, një garë për gozhdim të kundërshtarit politik me gënjeshtra («Ti je spiun! Jo, ti je spiun»). Në një përpjekje dëshpëruese kryetari i BDI-së Ali Ahmeti i ka tërhequr të gjithë ministrat e deritanishëm dhe në vend të tyre ka dërguar në qeveri djem (dhe një vajzë) që nuk janë aq të njohur për opinionin publik. Meqë bëhet fjalë për ministra të moshës së re, një aktivist ngucakeq pyeti publikisht se kur do të mbahet mbledhja e prindërve e ministrave të rinj, siç e tregojnë edhe emrat: Festim, Arbër, Valdet, Pishtar, Driton, Bashkim, Arlind, Agim, Faton, Gëzim, Bekim. Parimisht angazhimi i të rinjve në qeveri duhet përshëndetur, por hapi i Ali Ahmetit duket i vonuar. Cila është alternativa? PDSH e Arbër Xhaferit që tani drejtohet nga hazarderi politik Menduh Thaçi e ka vështirë të bind masat në Maqedoninë shqiptare. Një parti e re e quajtur Lëvizja Besa akuzohet jo vetëm nga oponentët politikë se është instrument i partisë AKP të kryetarit të Turqisë Reccep Taip Erdogan. Përtej këtyre akuzave (të drejta apo të padrejta) evidente është se Turqia nuk po investon në hapjen e fabrikave në qytetet dhe fshatrat shqiptare në Maqedoni, por në forcimin e identitetit fetar dhe ngjalljen e kulturës osmane – krejt kjo në emër të ruajtjes së trashëgimisë kulturore.

Në këtë situatë të rëndë jo vetëm politike, kur shumica sllave dhe pakica shqiptare janë të përçara keq brenda vetes, kur presidenti tenton t’ia amnistojë të dyshuarit për vepra penale, kur kryeministri pret si hero një kriminel lufte që ka vrarë shqiptarë, kur shqiptarët pothuaj çdo vit themelojnë një parti të re pa ofruar asnjë alternativë të re, Bashkimi Europian do të duhej të ndërhynte vendosmërisht. Por kjo lehtë thuhet dhe vështirë është e pritshme. Pushteti i Gruevskit e luan rolin e mbrojtësit të Europës nga refugjatët dhe shumë politikanë europiane janë të gatshëm të mbyllin së paku njërin sy nga krimet e pushtetit në Shkup. Këtu dallojnë sidomos austriakët, të cilët dallohen për nepotizëm dhe korrupsion edhe në vendin e tyre. Për ta kultura e korrupsionit në Ballkan është vetëm pak më brutale se kultura e nepotizmit dhe ryshfetit subtil në Vjenë.