Mirësevini në hotel «Victory»!

Shfrytëzimi gati 20-vjeçar i hotelit «Victory» nga një individ i afërt me Hashim Thaçin e shpjegon trishtueshëm modelin e sundimit në Kosovë. Tash duhet të jemi të lumtur që «çlirimtarët» po na «çlirojnë» sërish.

Statuja e lirisë në New York paraqet figurën e perëndeshës romake të lirisë, që njihet me emrin Libertas. Statuja e vendosur mbi hotelin «Victory» në Prishtinë është një «zonjë» me kumashe, që në mënyrë të figurshme shpreh dhunimin e këtij vendi.



Ndërsa policët dhe zyrtarët e Agjencisë së Privatizimit të premten në mëngjes po e çlironin objektin e njohur si hotel «Victory», në webfaqen për rezervim të hoteleve booking.com ende bëhej reklamë për këtë bujtinë. Për 52 euro mund të rezervoje një natë për të fjetur në këtë hotel që është më shumë se hotel.

Hoteli gjendet një kilometetër larg qendrës së Prishtinës, njofton booking, ai ofron një restorant à-la-carte, një bar, internet dhe vende për parkim të veturës – falas. «Si mysafir i hotel <Victory> ju keni qasje falas në një studio fitnesi në qendër të qytetit», thuhet më tutje. Të gjitha dhomat dhe suitat e hotelit janë të klimatizuara dhe kanë një tavolinë pune dhe një karrige, minibar dhe televizor. Kanë edhe dush. Përveç kësaj, dhomat kanë edhe ballkon(e). Hoteli disponom me një sallë banketesh dhe konferencash, recepsioni punon 24 orë, mysafirët mund t’i lajnë teshat në pastrimin kimik të hotelit. Afër hotelit, na mëson booking, mund të luani tenis, nja 30 metra larg bujtinës gjendet një firmë që jep vetura me qira. 60 metra larg hotelit është një stacion autobusësh. «Ne flasim gjuhën tuaj!» Ky sllogan i hotelit, i cituar nga booking, duket si apel drejtuar të gjithë mafiozëve dhe plaçkitësve të botës: ejani se «ne flasim gjuhën tuaj!»

Hoteli «Victory» që nga viti 1999 më së paku ka qenë hotel. I zaptuar në emër të «vlerave» të luftës, objekti shërbeu para së gjithash si qendër e bizneseve të firmës aksionare «PDK», e cila merret me politikë vetëm kur sheh ndonjë mundësi për tregti me pasuritë e vendit dhe me fatet e Kosovës. Këtu «PDK» mbajti kongrese e konventa, organizoi pritje, shtroi dreka, darka, syfyre e iftare, bëri plane për zhvillimin e Kosovës, hartoi strategji për hapjen e 200 mijë vendeve të punës, përgatiti projektet për privatizimin e Kosovës dhe shndërrimin e saj në pronë të krerëve të «PDK»-së, këtu, në këtë hotel, punuan shumë për Kosovën «kumanira» e «luftarë», kodoshë e kriminelë.

Hoteli «Victory» duhet të shpallet objekt i trashëgimisë kulturore, i asaj kulture të grabitjes që e imponoi «PDK» dhe që e kopjuan pak a shumë të gjitha partitë (me përjashtim të Vetëvendosjes). Shfrytëzimi gati 20-vjeçar i hotelit «Victory» nga një individ i afërt me Hashim Thaçin e shpjegon trishtueshëm modelin e sundimit në Kosovë. Tash duhet të jemi të lumtur që «çlirimtarët» po na «çlirojnë» sërish. Portali insjaderi.com njoftoi se «uzurpatori (Bedri) Selmani ka qenë deputet i Partisë Demokratike të Kosovës dhe zëvendësministër dhe këshilltar i Hashim Thaçit, aktualisht president i Kosovës». Pikërisht për këtë arsye duhet marrë shumë seriozisht paralajmërimin e Thaçit për dekriminalizimin e politikës. Është politikani i duhur për të bërë një gjë të tillë, sepse ka përvojë. Dhe çfarë përvoje!

Hoteli «Victory» duhet të mbrohet edhe për një arsye tjetër: ai është simbol i «miqësisë sonë të përjetshme me Amerikën». Në kulmin e hotelit jo rastësisht është vendosur një kopje e Statujës së Lirisë. Shumë turpe e krime në Kosovë janë bërë duke (keq)përdorur simbole amerikane. Statuja e Lirisë në New York paraqet figurën e perëndeshës romake të lirisë, që njihet me emrin Libertas. Statuja e vendosur mbi hotelin «Victory» në Prishtinë është një «zonjë» me kumashe, që në mënyrë të figurshme shpreh dhunimin e këtij vendi. Ndërsa skulptori francez Frédéric-Auguste Bartholdi kishte punuar 21 vjet për t’ia dhënë formën Statujës së Lirisë, Bedri Selmani me shokët e tij të partisë gati dy dekada – në emër të lirisë dhe vlerave amerikane, të cilat me gjasë i njohin vetëm ai dhe partia e tij – i mbushi strajcat me para duke shfrytëzuar pronën publike.

Plaçkitën, grabitën, vodhën, rrëmbyen gati 20 vjet pandërprerë. Tash bëjnë pak shou për t’i hedhur hi syve opinionit – ndërkohë plaçkitja, grabitja, vjedhja, rrëmbimi vazhdon, vetëm ekipet ndërrohen dhe rinohen, trajnerët dhe padronët janë të njëjtit – qe 20 vjet. Madje tash padronët janë modernizuar, komunikojnë me publikun përmes Twitterit, Instagramit, Snapchatit, Facebookut. Familja, prona, shteti. Vazhdojmë – nga «Victory» në «Victory».