«Miqtë nga Franca» me guerilët e UÇK-së në malet e Kosovës

Pas disa takimeve formale, udhëheqësi i ri më ftoi për darkë. Folëm me Hashim Thaçin për miqtë tanë të përbashkët, amerikanët dhe për disa punonjës të shërbimeve të fshehta franceze, që kishin shoqëruar guerilasit në male. Detaje nga libri i Bernard Kushner «Luftëtarët e Paqes», Tiranë, Mësonjëtorja, 2004.

Bernard Kouchner, ish-shef i misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK) dhe ish-ministër i punëve të Jashtme të Francës.



Hashim Thaçin nuk e njihja përpara se ta shihja në televizor në Konferencën e Rambujesë. I përkiste brezit të armiqve të kompromiseve. Nuk kishte marrë pjesë në betejat paqësore dhe veprimtarinë e Rugovës e vlerësonte si bashkëpunim me regjimin e Millosheviqit. Për hir të së vërtetës, duhet thënë se vendimet e kryetarit të LDK-së nuk ishin gjithnjë të qarta, sepse vetë Rugova ishte një burrë i ndërlikuar, një intelektual që ngatërronte popullaritetin e tij me miratimin dhe përbuzte çdo lloj autokritike apo shpjegimi. Hashim Thaçi dilte nga lufta me bindjen që kjo ishte fitorja e tij, jo e bombarduesve të NATO-s. Gëzonte besimin e amerikanëve, por vuante nga dyshimet e evropianëve dhe mosbesimi francez, të cilët ushqeheshin nga krimet e padënuara, që i viheshin në kurriz UÇK-së dhe kontrabandave të ndryshme, veçanërisht kontrabandës së armëve, me të cilat qenë ngatërruar disa anëtarë të gueriles.

Pas disa takimeve formale, udhëheqësi i ri më ftoi për darkë. Ishte një mbrëmje e rëndësishme, që përmirësoi marrëdhëniet tona për një farë kohe. Thaçi përdorte fjali të buta me gjithë ashpërsinë e argumenteve: ishte burrë i ndershëm. Vajta me Erik Shevaljenë. Shtëpia e huazuar për ngjarjen ishte një shtëpi tipike e borgjezisë kosovare, e mbingarkuar, ngjyrë ari, e madhe. Ballkanasit pinë rëndshëm dhe myslimanët e Kosovës nuk bëjnë dallim, përjashto Thaçin që nuk pi as duhan, as alkool. Si në të gjitha vendet që kishin vuajtur nga uria, tryeza ishte e mbingarkuar, për të nderuar mikun. Thaçi flet gjermanisht, gjuhë që e kuptoj aq sa për të më ngatërruar. Një shok përkthente në një anglishte të përafërt. Folëm për miqtë tanë të përbashkët, amerikanët dhe për disa punonjës të shërbimeve të fshehta franceze, që kishin shoqëruar guerilasit në male. Në fund, folëm për Drenicën, luginën ku ishte lindur Thaçi, pseudonimi i të cilit ishte «Gjarpri».

Bashkëbisedimi nuk qe i lehtë, kishte shumë rëndësi gjesti: ftesa, mikpritja, tradita. Nuk të ndodhë asgjë e rrezikshme në shtëpinë e mikut, por – kujdes! – me të dalë nga pragu i derës, mbrojtja zhduket dhe të gjitha goditjet janë të lejuara. Kështu ndodhi, përleshja ishte e ashpër.

Gjatë tre muajve pa fund, larë me krime dhe mëri etnike, ndoqa politikën e afrimit midis dy llojeve të nacionalizmit kosovar, atij me armë dhe pacifizmit.

Jan Kikert, diplomat austriak, i hollë e shumë i gjatë, burrë këmbëngulës e me humor, luftarak e i pasionuar, kishte shërbyer në Bosnjë si kërkues krerësh për Konferencën e Rambujesë. Ai ishte i pari që zbuloi talentet e një të riu që përfaqësonte mirë guerilin, Hashim Thaçin. Kjo lidhje e veçantë, shto edhe talentin e Janit për marrëdhëniet me njerëzit, si dhe aftësinë e tij prej futbollisti për të gëlltitur birra, gjë që krijonte besimin te bashkëbiseduesi, na ndihmuan që të mos humbnim asnjëherë lidhjet, me shefin e kryengritësve, më pas kryetar i qeverisë së përkohshme.

Në të njëjtën zyrë me Janin, në tryezën përballë, qëndronte Aksel Ditman, tjetër diplomat, gjerman, që kishte qenë i pranishëm në Rambuje dhe njihte përbërjen politike të Kosovës në hollësitë më të imta. Tryezën e tretë e zinte një kërkues në shkencat politike, djaloshi grek Aleksandros Janis, i cili merrej me serbët.

Shpesh braktisja zyrën time gjigante e të zymtë të stilit të Evropës Lindore, të cilën, në mungesë parash, nuk e ktheva dot në zyre moderne, për të bërë një pushim gazmor apo që të shkëmbeja ndonjë përshtypje politike me bandën e të treve, që ishin vetëquajtur the monkeys, majmunët. Kishin mbushur muret me karikatura dhe fotografi të kësaj kafshe piktoreske. Duhet thënë që kishte edhe një arsye tjetër për t’u shfaqur në zyrën e majmunëve: prania e bollshme e femrave që i vizitonin. Në organizmat e OKB-së, ku shakatë mbi këtë temë janë rreptësisht të ndaluara, i quajmë tender balance, pra, baraspeshë gjinore.

Nuk kishte ditë që të kalonte pa një mbledhje në baret dhe restorantet që frekuentonte Thaçi, te La Spaghettaria në veçanti, që gjendej poshtë zyrës së tij. Bashkëpunëtorja e tij kryesore ishte në kontakt të përhershëm me ne.

Gjatë kësaj periudhe manovrash e befasish, krizat ishin të shpeshta. Më e rëndësishmja u zhvillua rreth një operacioni delikat: çmilitarizimi i UÇK-së, ushtrisë së Hashim Thaçit e Agim Çekut.

UÇK-ja kërkonte të shndërronte strukturat ushtarake në bërthamën e një ushtrie të ardhme të Kosovës, që kundërshtohej nga Rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara, sepse krahinës nuk i njihej statusi i shtetit. Kur nuk ka shtet, nuk ka ushtri. Ç’t’bënim me këta burra që kishin luftuar si trima, që ishin kthyer në heronj të popullsisë shqiptare, sidomos të rinisë?

Konvertimi i luftëtarëve do të duhej të kryhej me ndihmën e katër strategjive ndihmëse. Në radhë të parë, të nxiteshin luftëtarët, pa i lutur, por edhe pa arrogancë, të formonin lëvizje politike e të pranonin lojën e demokracisë. Së dyti, t’iu jepnim mundësinë që disa prej tyre të futeshin në një strukturë «me uniformë», duke respektuar rezolutën 1244. Së treti, të ndihmoheshin të tjerët për të gjetur një jetë aktive. Dhe, së fundi, t’u siguronim një njohje zyrtare për sakrificat e tyre duke vënë jetën në rrezik.

Struktura që mendonim ne s’duhej të ishte as ushtri, as polici. Dikush kishte propozuar një lloj garde kombëtare alla amerikane ose një lloj shërbimi francez. Ky lloj propozimi i hollë lejonte që të mos kalohej vija e kuqe dhe t’i jepej mundësia gjeneralit Agim Çeku dhe gjysmës së njerëzve të tij për të krijuar një forcë ushtarake.

Diskutonim për numrin e luftëtarëve që do të ishin të interesuar, hierarkitë, kontrollin e funksionimit nga KFOR-i, tipin dhe numrin e armëve të lejuara, e deri te shenjat dhe gradat; gjithçka ishte temë e bashkëbisedimit, në të cilin Thaçi dhe Çeku do të tregoheshin negociatorë të fortë. UÇK-ja u shndërrua në TMK. Dy partitë e dala nga UÇK-ja: PDK-ja e Hashim Thaçit dhe AAK-ja e Ramush Haradinajt morën pjesë në zgjedhje. Të mundura në kutitë e zgjedhjeve nga konkurrenti i tyre, LDK-ja e Ibrahim Rugovës, u detyruan të lënë, pas shumë incidentesh, vendet që kishin zënë me forcë në shumë komuna të Kosovës.

Zyrës së Migrimit Ndërkombëtar (IOM) i lashë detyrën e regjistrimit dhe ndihmës së kthimit në jetën civile të të gjithë luftëtarëve që nuk ishin futur në TMK. Vlerësimet e mëparshme kishin parashikuar afro 10 mijë luftëtarë: nga regjistrimet dolën më shumë se njëzet mijë. Konstantë e vjetër e historisë njerëzore: ka shumë më tepër ish-luftëtarë pas lufte, sesa kishte luftëtarë në kohën e luftimeve.

Në fund, kaluam një rregullore që njihte zyrtarisht statusin e luftëtarit të lirisë, disa prej tyre të sëmurë rëndë, me gjymtyrë të prera, të shkatërruar, demonstronin shpesh në rrugë.

Përgatiti: Shkëlzen Gashi

Copyright: Shkëlzen Gashi dhe Dialogplus. Ndalohet rreptësisht ribotimi nga mediumet tjera.