Ministri i Brendshëm i Bavarisë kundër heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës

Liberalizimi i vizave mund të nxit migrimin e njerëzve nga Kosova, supozon Joachim Herrmann, ministër i Brendshëm i landit të Bavarisë. Deklarata të ashpra kundër heqjes së vizave kanë dhënë edhe deputetë konservatorë dhe socialdemokratë të Bundestagut.

Joachim Herrmann, ministër i Brendshëm i landit të Bavarisë.



Përfaqësues të dy partive kryesore në Gjermani (CDU dhe SPD) kanë shprehur rezerva ndaj heqjes së vizave për Kosovën, Gjeorgjinë dhe Ukrainën. Ministri i Brendshëm i landit të Bavarisë, Joachim Herrmann, ka deklaruar për gazetën «Welt am Sonntag» se urgjentisht tërheq vërejtjen të mos liberalizohet regjimi i vizave për tri vendet e përmendura. Herrmann, i cili njihet si politikan tejet i ashpër kundër të huajve, ka thënë se pas heqjes së vizave për vendet e Ballkanit në të kaluarën, numri i kërkesave për azil në Gjermani është rritur pa masë. Ai ka bërë thirrje për krijimin e mekanizmave, të cilat do të pengonin njerëzit nga Balkani të keqpërdorin të drejtën e azilit.

Në pyetjen e deputetëve gjermanë se përse në Gjermani po shtohet numri i plaçkitjeve të banesave, ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Thomas de Maizière, ka përmendur bandat nga Gjeorgjia si shumë problematike. Sipas «Welt am Sonntag» Gjermania dhe Franca po angazhohen për një klauzolë suspendimi, e cila parasheh që vendet anëtare të BE-së të anulojnë heqjen e vizave. Ndonëse ishte planifikuar që këtë javë ministrat e Drejtësisë dhe të Brendshëm të BE-së të japin dritë të gjelbër për liberalizimin e vizave, kjo s’do të ndodhë, shkruan gazeta gjermane, e cila citon qarqe qeveritare në Berlin të kenë thënë se është shumë vështirë të bindet populli për heqjen e vizave për Kosovën, Ukrainën dhe Gjeorgjinë.

Deputeti i CDU-së Wolfgang Bosbach deklaroi se heqja e vizave shton rrezikun e rritjes së numrit të migrantëve dhe humbjen e sigurisë. Edhe më ashpër ka folur Peer Steinbrück nga partia socialdemokrate SPD. Në cilësinë e anëtarit të Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit gjerman, Steinbrück ka deklaruar: «Derisa nuk janë zgjidhur problemet brenda euro-zonës, nuk është përballur kriza e refugjatëve brenda BE-së dhe nuk është gjetur një modus vivendi stabil në raportet mes Europës dhe Rusisë, unë së pari jam për një moratorium për anëtarësim në euro-zonë, së dyti kundër zgjerimit të BE-së, së treti kundër pranimit të anëtarëve të rinj në NATO, siç ka ndodhur tani në rastin e Malit të Zi, dhe së katërti: kundër marrëveshjes për viza me vendet e përmendura». (-lli)