Më të shpejtë se jeta

Kudo në viset shqiptare ekziston një krijesë e tmerrshme – quhet shofer. Nganjëherë ai i vret të tjerët, nganjëherë veten. Koha e fundit për masa radikale kundër huliganëve në timon.

Foto: Shutterstock



A janë shoferë më të papërgjegjshëm ata të diasporës apo këta të Kosovës dhe viseve të tjera të banuara me shqiptarë në Ballkan? Kjo duket një pyetje e tepërt. Shoferë idiotë ka kudo. Të tillë që nuk janë të vetëdijshëm mbi rrezikun. Të tillë që veturën e shohin si zgjatim të egos, si instrument për të demonstruar potencën e tyre – jo atë mendore, sepse atë nuk e kanë.

Sipas të dhënave të autoriteteve kosovare vetëm në 6 muajt e fundit kanë humbur jetën në aksidente trafiku mbi 40 persona. 40 varre të reja! Të rinj e të moçëm, gra, fëmijë e burra. Shumica krejtësisht të pafajshëm, viktima të huliganizmit në komunikacion. Në komunikatat e institucioneve thuhet se fajtor është kryesisht «faktori njeri», por edhe «faktori rrugë» dhe «faktori automjet». Çka është kjo gjuhë burokratike, gjuhë që nuk thotë asgjë, gjuhë fyese edhe për publikun.

Më saktë do të ishte të thuhej: kudo në viset shqiptare ekziston një krijesë e tmerrshme – quhet shofer. Nganjëherë ai i vret të tjerët, nganjëherë veten. Koha e fundit për masa radikale kundër huliganëve në timon. Nuk mjaftojnë më gjobat, nuk mjaftojnë më qortimet, nuk mjafton tronditja e opinionit. Masa radikale do të ishin këto: shoferët e moshës së re, të prirë më shumë për të fluturuar me vetura, duhet të llogarisin se drejtësia mund t’ua marrë patentën e shoferit për 3 deri 5 vjet. Do të duhej të miratohej një ligj që mundëson konfiskimin e veturave të shoferëve që luajnë me jetën e tyre dhe të të tjerëve. Nëse policia e Kosovës ia konfiskon veturën një hajvani me banim në Zürich apo Frankfurt, i cili për t’iu bërë përshtypje kushërinjve apo ndonjë vajze të lodhur nga fukarallëku në Kosovë, e ngatërron automjetin me avion dhe veten e konsideron pilot, atëherë ky do të ishte hapi i duhur.

Kur lexon lajmet këto ditë, Kosova të duket si zonë e luftës. Një i vdekur në Podujevë, tetë të lënduar. Tre të vdekur në Rahovec. Politikanët që bëjnë apel për kujdes në trafik – dhe janë ata vetë që nuk shquhen për kujdes. Kush i ka parë kolonat me xhipa të politikanëve të Kosovës, nuk i duhet shumë fantazi për të marrë me mend sjelljen e tyre. Para disa ditësh policia arrestoi një shofer që goditi tre punëtorë të mirëmbajtjes së autostradës. Në fillim të muajit një 19-vjeçar vdiq në Gjilan për shkak të vozitjes me shpejtësi të papërshtatshme. Në fund të qershorit në një fshat të komunës së Suharekës u lënduan nëntë persona nga një aksident në trafik. Lista është e gjatë, kjo listë do të mund të zgjatej pa fund. Por ndoshta mjafton shifra që u përmend me lart në këtë shkrim: 40 të vdekur për 6 muaj. Një arsye për alarm.