Mbrohen në heshtje 7 të akuzuarit për 1.600 udhëtarët e lënë në aeroport më 2009

Besnik Mustafa, djali i kryeministrit Isa Mustafa, si dhe gjashtë të tjerë, të cilët po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe mashtrim, nuk kanë dashur të deklaroheshin lidhur me gjykimin që është zhvilluar deri tash ndaj tyre.




Gjatë seancës, të hënën, të mbajtur në Gjykatën Themelore në Ferizaj, që të gjithë kanë zgjedhur të mbrohen në heshtje, shkruan sot «Koha Ditore».

Mustafa dhe gjashtë të tjerët: Ismail Berisha, Nexhat Bala, Sibush Haziri, Hamzi Rrahimi, Seladin Ujkani dhe Shefqet Qerkini po përballen me drejtësinë lidhur me ngjarjen e anulimit të fluturimeve të më shumë se 1.600 udhëtarëve në vitin 2009, të cilët kishin mbetur në Aeroportin e Prishtinës.

Sipas Prokurorisë, këta udhëtarë kishin ardhur për pushime nga Gjermania dhe kishin ngelur në aeroport verën e 2009-s, pasi që kompania spanjolle «Pronair» nuk e kishte dërguar aeroplanin për t’i bartur ata në Gjermani. Ata ishin detyruar të blinin bileta të tjera shumë të shtrenjta.

Në anën tjetër, po sipas aktakuzës, Ministria e Transportit dhe Telekomunikacionit nuk i kishte dëmshpërblyer ata, edhe pse kishte mundësi që me garancinë bankare prej 500 mijë eurosh që kishte lënë kompania «Kosova Air BIZ» të kompensoheshin udhëtarët.