Mbreti Salomo vendosi për Kosovën

Gjykata Kushtetuese u jep të drejtë të gjithëve nga pak sa i përket themelimit të Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe. Vendimi është shuplakë për qeverinë, por as opozita nuk ka arsye për festë. Tash është koha për veprime racionale.



Mbreti biblik Salomo ishte sundimtar i Izraelit. Njëherë ai mori një vendim që në histori njihet si «gjykim salomonik»: dy gra u shfaqën me një fëmijë para Mbretit Salomo. Që të dyja thoshin se fëmija është i saj. Në atë kohë mjekësia nuk ishte në nivelin e sotëm dhe analizat e ADN-së të pamundshme, andaj Salomo urdhëroi që fëmija të ndahet dhe secila grua të marrë gjysmën. Njëra grua që nuk donte t’ia linte fëmijën tjetrës, pranoi që fëmija të ndahet në dysh. Gruaja tjetër u lut që fëmija të lihet gjallë dhe t’i jepej gruas së parë. Mbreti gjykoi se nëna e vërtetë duhet të jetë ajo e cila më shumë i kushtonte rëndësi jetës së fëmijës se sa përfitimit.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me themelimin e Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe në Kosovë i ngjan një vendimi salomonik. Gjykata u jep të drejtë të gjithëve nga pak sa i përket themelimit të Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe dhe thotë se fëmija që ka lindur duhet të jetojë – me disa ndërhyrje. Vendimi është shuplakë për qeverinë, por as opozita nuk ka arsye për festë. Kushtetuesja thotë se Bashkësia nuk është në kundërshtim me Ligjin Themeltar të Kosovës. Kësisoj Gjykata mbështetet në Dokumentin e Martti Ahtisaarit, i cili parasheh krijimin e bashkësive të komunave, por pa theksuar komponentin etnik. E keqja e marrëveshjes së arritur nga qeveria e Kosovës është se i mundëson pakicës serbe të krijojë asociacion një-etnik, ndërsa krejt propaganda ndërkombëtare dhe vendore kur diskutohej për planin e Ahtisaarit theksonte se qëllimi është krijimi i një Kosove multietnike.

Pala shqiptare – po të ishte e sinqertë – do të duhej ta pranonte se këtë situatë e ka krijuar vetë me sjelljen e papërgjegjshme ndaj pakicave pas luftës. Këtu kanë dështuar si LDK (deri në zgjedhjet e vitit 2007 partia e parë) dhe PDK (në vitet e para pas luftës forcë pothuaj paramilitare me ambicie të marrjes së pushtetit me çdo mjet). Në vitin 2015 Kosova, mes tjerash, po e paguan çmimin e trazirave të marsit të vitit 2004, kur u dogjën shtëpi serbe, u shkatërruan kisha ortodokse dhe u vranë gati 20 veta, serbë e shqiptarë. Kjo tronditje e bindi bashkësinë ndërkombëtare se çështja e statusit të Kosovës duhet të zgjidhet. Njëkohësisht e bindi bashkësinë ndërkombëtare se shumica shqiptare nuk është e pjekur për të marrë përgjegjësi për garantimin e të drejtave të pakicave. Rrjedhimisht, diplomati norvegjez Kai Eide dhe ai finlandez Martti Ahtisaari u morën kryesisht me të drejtat e pakicave. Çështja e Kosovës u zgjidh me një pavarësi gjysmake. Të gjithë, si bashkësia ndërkombëtare, ashtu edhe pala shqiptare, ranë në grackën e Beogradit: pala serbe negocioi dhe siguroi shumë të drejta për pakicën serbe në Kosovë dhe Brukseli, Washingtoni e Prishtina lëshuan pe me shpresën se Serbia do të pajtohej pastaj me pavarësinë e Kosovës. Kjo nuk ndodhi. Përkundrazi, kur u shpall pavarësia e Kosovës nacionalistët serbë, të ndërsyer nga qeveria e Vojisllav Koshtunicës, dogjën ambasadat e vendeve perëndimore. Më së voni atëherë elitat politike të Prishtinës është dashur të vënë kushte për bisedime të reja me Serbinë. Dhe kryekushti duhej të ishte: nuk negociojmë për asnjë çështje derisa Serbia nuk pajtohet me pavarësinë e Kosovës.

Në vitin 2008 Kosova kishte kryeministër Hashim Thaçin, i cili pasi kishte ndrequr flokët disa herë dhe bërë shumë pisllëqe, më në fund e shihte shansin historik për të nisur aksionin e madh të plaçkitjes së vendit. Kujt i interesonte formulimi i një strategjie për ballafaqim me Serbinë. Askujt! Prioritet kishte pushtimi i ndërmarrjeve publike, futja e kriminelëve në strukturat e policisë, blerja e gazetarëve, futja nën kontroll e mediumeve, kurdisja e tenderëve. Pjesë e shumë këtyre veprimeve të pista ishte edhe LDK, siç kishte qenë më parë edhe AAK e Ramush Haradinajt. Duke bredhur në mjegull arritëm këtu. Dhe për këtë përgjegjësinë duhet ta bartin edhe votuesit – ata që votuan partitë e pista dhe ata që nuk votuan fare, por preferuan të rrinë në kafehane ose pranë oxhakut duke pirë çaj.

Në vendimin e saj salomonik Gjykata Kushtetuese thekson se disa prej parimeve të Bashkësisë së Komunave serbe nuk janë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. I mbetet qeverisë që gjatë shkrimit të statutit të Bashkësisë të ketë parasysh korrigjimet e duhura. Tejet problematike duket të jetë formulimi se Bashkësia ka të drejtë të mbikëqyrë praktikisht të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me pakicën serbe. Qeveria duhet të shpjegojë se çfarë domethënë «mbikëqyrje e plotë» e çështjeve që kanë të bëjnë me pakicën serbe. Më tutje Gjykata Kushtetuese vlerëson se kapitulli për strukturën organizative, kapitulli mbi kornizën ligjore, ai për objektivat, kapitulli për marrëdhëniet me autoritetin qendror, pjesa për buxhetin dhe dispozitat e përgjithshme, nuk i plotësojnë tërësisht standardet kushtetuese. Thënë shkurt: negociatorët e Kosovës në Bruksel kanë dështuar gati plotësisht. Ky është një skandal i madh dhe nuk duhet të kalojë pa konsekuenca. E pakta që duhet të ndodhë është dorëheqja e Hashim Thaçit, Edita Tahirit dhe Blerim Shalës. Më e mira që duhet të ndodhë është largimi i Isa Mustafës nga posti i kryeministrit, i cili për interesa të ngushta, meskine, e futi Kosovën në aventura të rrezikshme politike. Duket se asnjëra nuk do të bëjë vaki, sepse partnerët e koalicionit e kanë varur fatin e tyre politik te njëri-tjetri dhe në dëm të vendit. Ka shumë aktivistë edhe në PDK që nuk pajtohen me marrëveshjen e arritur nga Thaçi. Do të ishte e ndershme që të kërkojnë llogari prej tij. Fatkeqësisht ekziston rreziku që vendimi i Gjykatës të kalojë në heshtje apo me tautologji të krerëve të PDK-së dhe LDK-së. Nuk është rastësi: në ditën kur demaskohet si shkelës Kushtetute Isa Mustafa i uron shumë fat Hashim Thaçit në postin e presidentit.

Është makabre që çështja e Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe u problematizua tek pasi opozita përdori mjete të dhunshme, përfshirë edhe hedhjen e gazit lotsjellës në parlament. Pas vendimit të Gjykatës ka ardhur koha që të gjithë të veprojnë në mënyrë racionale dhe të gjejnë rrugëdalje nga ky qorrsokak jo vetëm politik. Le të jetë mësim për të gjithë se vendimet e mëdha nuk mund të futen përmes deriçkave, por pas debatit publik dhe në konsultim me qytetarët. Nëse sllovenët vendosin në referendum për martesat mes personave me gjini të njëjtë, atëherë është absurde që çështje kaq delikate si puna e Bashkësisë së komunave serbe në Kosovë të kalojë e imponohet me gogolin se kështu po na thotë bashkësia ndërkombëtare. Mbreti Salomo (Gjykata Kushtetuese) vendosi për Kosovën, por problemin tani duhet ta zgjidhin politikanët.