Mbi ikjen nga debati dhe rastin e 6 tetorit

Dy mësime nga fushata elektorale.




1. Ikja nga debati është ideja më e keqe që mund të ketë një kandidat për kryeministër. Në vend të refuzimit të dialogut duhet zgjedhur dialogun. Le të ketë garë të ideve, pastaj njerëzit mund të vendosin se kujt do t’ia falin besimin më 6 tetor. Ikja e Ramush Haradinajt dhe Kadri Veselit nga debati nuk është kurrfarë befasie. Çfarë kanë për t’i thënë opinionit këta dy? I pari mund të vijë në studio me çifteli apo lahutë dhe t’ia marrë ndonjë këngë për alpet e Zvicrës dhe hotelet e St. Moritzit, i dyti mund të belbëzojë ndonjë togfjalësh monoton mbi «luftimin e korrupsionit». Mungesa e Vjosa Osmanit në debatin e sotëm është veprim i pamenduar mirë. Por ajo e ka shansin të dalë në debat me Albin Kurtin në ditët në vijim. Le t’i bëjë një ofertë. Kurti do ta pranojë. Qëllimi nuk duhet të jetë një përballje e shpifur «titanësh». Qëllimi duhet të jetë gara e ideve.

Kush i ka idetë më të mira? Sa është e bindshme Vjosa Osmani kur thotë se do të luftojë korrupsionin? Dhe sa është i bindshëm Albin Kurti kur njëherë thotë se do të ndajë 150 milionë euro për ushtrinë, pastaj këtë shifër e zbret në 100 milionë? Natyrisht, tifozët e VV-së dhe Kurtit do të përpiqen ta shndërrojnë këtë debat (nëse organizohet) në betejë për jetë a vdekje – duke e ngritur idhullin e tyre në sfera joreale. Nganjëherë mbështetësit e VV-së po e krijojnë përshtypjen që Kurti do të bëhet jo kryeministër i Kosovës, por i Izraelit (me bombë bërthamore). E vërteta është e frikshme: Kosova është një vend që mezi qëndron në këmbë, e varur jetësisht nga Perëndimi, një vend me buxhet sa një firmë mesatare gjermane apo zvicerane. Paraqitja shpeshherë e mirë e Kurtit në debate nuk mund ta maskojë një problem të VV-së: disa nga eksponentët e VV-së që janë shfaqur në debate – më mirë të kishin qëndruar të struktur në zyra. E udhës do të ishte që VV dhe LDK të kishin një pakt për ta kthyer vendin në rrugë të mbarë. Dhe këtë do të mund ta bënin A. Kurti dhe V. Osmani si përfaqësues të një gjenerate të re. A do e bëjnë? Shpejt do ta marrim vesh.

2. Më 6 tetor Kosova është mirë të shkëputet nga partitë që e kanë kriminalizuar dhe korruptuar jetën publike, politike dhe institucionale. Dhe më 6 tetor votuesit e LDK-së duhet ta shkëpusin partinë e tyre nga argatët e SHIK-ut në LDK. Sepse LDK, përkundër historisë së bujshme dhe nganjëherë edhe të ndritshme, e ka një problem të madh. Ai problem i madh quhet: kredibilitet. Ose me fjalë shqipe: besueshmëri. LDK e ka humbur besueshmërinë duke i shërbyer PDK-së. Ndoshta më 2008 koalicioni i LDK-së me PDK-në për të shpallur pavarësinë ka qenë i domosdoshëm për shkaqe historike (si mund të shpallej Kosova e pavarur me partinë e Ibrahim Rugovës në opozitë?), por më vonë LDK pa ndonjë zor të madh është bërë bashkëfajtore në keqqeverisje. Kur e ka kryer argatinë, LDK është hedhur në kosh si një leckë. Nëse pas 6 tetorit LDK e vazhdon agoninë politike duke lidhur aleancë me PDK-në, Vjosa Osmanit nuk i mbetet rrugë tjetër përpos të largohet nga LDK dhe – ose të formojë parti të re politike, ose t’i bashkangjitet Vetëvendosjes.