MAShT: I gëzohemi fitores, por mos-mbajtja e mësimit është e papranueshme

Ministria e Arsimit, me shqetësim ka pranuar informatat e raportuara nga Inspeksioni i Arsimit, që sot në disa institucione shkollore në Komunën e Prishtinës nuk është realizuar procesi mësimor sipas kalendarit shkollor.




MASHT, përmes një komunikate për media, ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës që të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe të krijojë kushtet për mbarëvajtjen e procesit mësimor në institucionet shkollore në Prishtinë.

«Drejtoria Komunale për Arsim në Komunën e Prishtinës duhet të marrë të gjitha veprimet e nevojshme për zëvendësimin e orëve të humbura dhe të mos lejojë përsëritjen e situatave të tilla. Komunat në Kosovë kanë përgjegjësi ligjore për organizmin e procesit mësimor në arsimin parauniversitar dhe dështimi si rasti i sotëm në Prishtinë, për të realizuar këto detyrime është i pajustifikueshëm dhe cenon interesin e nxënësve», thuhet në komunikatën e MASHT-it, raporton Koha.net.

«MAShT bashkëndjen gëzimin me të gjithë nxënësit tanë për fitoren e djeshme të kombëtares së futbollit dhe kualifikimin për Kampionatin Evropian, mirëpo në një rast të tillë, mosrealizimi i procesit mësimor është i papranueshëm», theksohet më tej në komunikatë.

Në fund, MASHT thotë të ketë pranuar shumë ankesa nga mësimdhënësit dhe prindërit, për rastet e abuzimit të subjekteve politike me nxënësit tanë brenda hapësirave shkollore.

«Abuzime të tilla për qëllime politike, përkatësisht, nënshkrimit të peticioneve të karakterit politik, paraqesin shkelje të rëndë të Ligjit për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës dhe si të tilla janë të papranueshme dhe të dënueshme. MAShT iu bën apel të gjitha subjekteve politike në vend, që të shmangin veprime të tilla dhe të mos cenojnë më tutje sistemin arsimor dhe interesin e nxënësve tanë», vijon reagimi i MASHT-it.

Në fund, MASHT thotë se institucionet dhe subjektet politike nuk guxojnë të përdorin nxënësit për qëllime politike, në asnjë rrethanë dhe në asnjë mënyrë.