«Mahmut Bakalli e kuptonte gjuhën politike të Perëndimit dhe mund ta përdorte atë»

Christine von Kohl, gazetare e njohur daneze, e cila me dekada shkroi për mediat gjermane për zhvillimet në Ballkan, portreton liderin socialist të Kosovës, Mahmut Bakallin.

Për dallim nga kolegët e tij në strukturat udhëheqëse, karakteristikë e Mahmut Bakallit ishte edhe të folurit pa fraza.



Mahmut Bakalli në vitet 60, 70 dhe 80 ishte një figurë e pazakonshme në radhët e politikanëve udhëheqës të kohës së Titos dhe pas vdekjes së tij. Ai nga jashtë dhe nga brenda ishte ndryshe pak a shumë nga zotërinjtë e vjetër, me merita nga koha e luftës partizane, apo nga më të rinjtë në mesin e tyre, të cilët para së gjithash dukeshin si funksionarë tipikë të partisë.

Bakalli me mish e me shpirt ishte politikan dhe një luftëtar për Kosovën dhe popullatën shqiptare. Gjithmonë kam pasur përshtypjen se me siguri ishte meritë personale e tij se ai ka bindur Titon për domosdoshmërinë e ndryshimit të kushtetutës në vitit 1974.

Se si ka argumentuar ai detajet, dhe pse pikërisht në këtë kohë plaku vendosi që t’i hyjë një rreziku, duke hidhëruar serbët me një autonomi më të zgjeruar për Kosovën, thënë të drejtën nuk e di, por shpresoj që një ditë ta kuptoj një gjë të tillë saktësisht.

Sipas të gjitha gjasave, një nga argumentet e tij që u përdorë gjatë bisedave me Titon mbështetej në domosdoshmërinë e parandalimit të trazirave sociale, të cilat kishin filluar të vlojnë që nga koha e rrëzimit të Aleksandër Rankoviqit, e të cilat kulminacionin e tyre të parë e arritën në vitin 1968.

Gjatë bisedave me ne, me bashkëshortin tim dr. Wolfgang Libal dhe me mua, Bakalli u dëshmua si një mendimtar politik me vizion: synimi kryesor ishte që me përmirësimin e zhvillimeve të brendshme në Kosovë dhe të pozicionit të saj përbrenda Jugosllavisë, kosovarët të shndërrohen në qytetarë të kënaqur të Jugosllavisë.

E pazakonshmja në mënyrën e të menduarit të Bakallit, atëbotë të ri, ishte se ai ëndërronte që të ketë vizione politike, por në realitet ai i mendonte dhe i planifikonte lidhjet pragmatike. Në këtë kontekst duhet të kuptohet edhe synimi i tij atëbotë, që t’i mohojë dhe t’i shtypë të gjitha informatat për trazira në Kosovë, ngase ngjarje të tilla mund të çonin ujë në mulli të serbëve, të cilët vetëm prisnin momentin e volitshëm për të ndërhyrë.

Në interes të serbëve ishte që të dëshmojnë se popullata shqiptare nuk ishte e aftë që në mënyrë të pavarur të udhëhiqte punët e Krahinës së Kosovës, në të njëjtin nivel me republikat.

Për palën serbe ishte me të vërtetë fat kur paraqiteshin parullat si Enver Hoxha për të gjithë shqiptarët. Në atë kohë bëheshin pyetje: cili është qëllimi i vërtetë i kosovarëve: Shqipëria e Madhe apo avancimi i pozitës së Kosovës. Pikërisht kështu ndodhi në vitin 1981. Bakalli tentoi që me ndihmën e policisë shqiptare t’i shtypë protestat e studentëve, por, siç dihet, ai nuk ia arriti qëllimit. Ai vetë u bë viktimë e zhvillimeve, pasi që ndaj tij u bë presion që të largohet nga funksioni i kryetarit të partisë dhe që para opinionit të shpjegojë që ai vullnetarisht ka ndërmarrë një hap të tillë. Kështu për serbët duket se u konfirmua ajo që vazhdimisht e theksonte edhe Rankoviqi: Në Kosovë, ballistët, të cilët kanë bashkëpunuar me gjermanët gjatë Luftës së Dytë Botërore, edhe sot e asaj dite luajnë një rol të rëndësishëm politik.

Kjo në Jugosllavinë e atëhershme mjaftonte për ngritjen e aktakuzës: aktivitete revolucionare dhe antikomuniste. Pas Bakallit, siç e dinë kosovarët më së miri, me qindra të rinj u bënë viktima të proceseve dhe të dënimeve drakonike.

Për dallim nga kolegët e tij në strukturat udhëheqëse, karakteristikë e Bakallit ishte edhe të folurit pa fraza. Ai nuk përdorte floskula partiake, të cilat e ngarkonin dhe e bënin të mundimshme pothuajse çdo bisedë me të tjerët. Ai e kuptonte edhe gjuhën politike të Perëndimit, ai mund ta përdorte atë. Ndoshta pikërisht Bakalli, menjëherë pas vitit 1989, së bashku me Rugovën, apo edhe pa të, ishte një zëdhënës i mirë në skenën ndërkombëtare për çështjen e Kosovës.

Përgatiti: Shkëlzen Gashi

Copyright: Shkëlzen Gashi dhe Dialogplus. Ndalohet rreptësisht ribotimi nga mediumet tjera.