Macron – një president i vogël i një kombi të madh

NATO është duke vdekur, Amerika i tha lamtumirë Europës, shqiptarët mund të shkaktojnë tollovi në rajon, Bosnja vatër e xhihadistëve – të gjitha këto i tha Emmanuel Macron në një intervistë për «The Economist». Dhe të gjitha këto janë marrëzi të një politikani popullist që po e dëmton Perëndimin.




Emmanuel Macron i ka dhënë një intervistë revistës globale britanike «The Economist». Ka folur për shumë tema dhe, me këtë rast, presidenti i «grande nation», i kombit të madh, e ka lëshuar gjuhën aq shumë, aq poshtë, aq marrëzisht, saqë lexuesi mund të pyesë: a bëhet fjalë për një president të një shteti të madh me armë bërthamore dhe me veto në Këshillin e Sigurimit të OKB-së apo për një pronar të një kafehaneje në provincën franceze?

Tri deklarata të Macron tërheqin vëmendjen.

E para: Rajoni (Ballkani) mund të destabilizohet nëse turpërohet Shqipëria, sepse kudo ka komunitete shqiptare. Kjo është një analizë absurde. Nuk janë shqiptarët ata që po e destabilizojnë Ballkanin, por në radhë të parë Serbia me politikat e saj hegjemoniste – duke mos pranuar pavarësinë e Kosovës, duke hapur debate për ndryshim të kufijve, duke shkaktuar tensione në Bosnjë, duke provokuar trazira në Mal të Zi. Pasi me mendjelehtësi dhe pa dije gjeostrategjike Macron i bllokoi negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ai tani, në mungesë argumentesh, i shënjon shqiptarët si faktor destabiliteti. Këtë e thotë një president që nga prapaskena e ka pritur mirë idenë e ndryshimit të kufijve të Kosovës. Një president që në Samitin e Berlinit me vendet e Ballkanit, Kosovës i bëri një ofertë prej tyxhari politik: ju hiqni tarifat ndaj Serbisë, ne po ua heqim vizat – ndonëse kushtet për heqjen e vizave janë plotësuar qëmtoi nga Kosova dhe tani ky vend ndëshkohet për arsye politike, ndërkohë që qytetarë të vendeve si Ukraina dhe Gjeorgjia gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë në Zonën e Schengenit. Kosova ballafaqohet me shumë probleme, por sa i përket sundimit të ligjit nuk është nën nivelin e republikave postsovjetike.

Deklarata e dytë: NATO është duke vdekur, tha Marcon. Këtë e thotë presidenti i një vendi që ndaj NATO-s historikisht ka mbajtur qëndrim ambivalent. Për Donald Trumpin NATO është një «projekt komercial», shtoi Macron. Trump mund të mos i pëlqejë Macronit, mund të mos u pëlqejë francezëve, gjermanëve, ballkanasve. Por, le të shihen së pari faktet. Trumpi nuk është (krejt) Amerika. Në Kongresin amerikan ka qindra përfaqësues që prioritet kryesor të angazhimit të tyre politik e kanë ruajtjen dhe forcimin e aleancës së Amerikës me Europën. Siç thekson gazeta gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung» (FAZ) në një koment, në tri vitet e fundit Amerika ka investuar gjithnjë e më shumë miliarda dollarë në sigurinë e Europës. Trupat amerikane nuk e kanë braktisur Europën, por janë kthyer në numër më të madh. Vitin e ardhshëm, shkruan FAZ, në Europë do të vijnë 20 mijë ushtarë për të marrë pjesë në një manovër të madhe. Në çerekshekullin e fundit nuk është shënuar një ardhje e tillë e ushtarëve amerikanë në Europë. Kur kësaj i shtohet rritja e pranisë amerikane në Poloni, Rumani, Bullgari dhe vendet baltike, atëherë deklarata e Macron për vdekjen e NATO-s është qesharake. Këto ditë, në 30-vjetorin e rrëzimit të Murit të Berlinit, në Gjermani po qëndron ministri i jashtëm amerikan Mike Pompeo. Pasi kreu akademinë ushtarake në West Point më 1986, Pompeo ishte komandant i një njësie tankiste në kufirin gjermano-gjerman. Macron është i ri, 41-vjeçar, ky është fat i tij i mirë. Por për të bërë politikë të mençur Macron e ka një mangësi: kur ka filluar lufta në Jugosllavi, ai ka qenë gjimnazist, rrjedhimisht deklaratat e tij mbi Ballkanin janë aq absurde. Mund të shtrohet një pyetje ndoshta cinike: çfarë ka bërë Franca për sigurinë e Europës? Macron flet shumë për «autonominë strategjike» të europianëve, por kur së fundi amerikanët tërhoqën trupat nga Siria veriore, edhe ushtarët francezë ikën – Parisi nuk ishte gjendje t’u garantojë sigurinë atyre. Në këtë gjendje Macron gjuan me kallashnikov retorik kundër Amerikës dhe i ngjan vetëm një figure që vendoset në kopshte për frikësimin e korbave.

Deklarata e tretë: Macron e përshkroi Bosnjën si vend që ballafaqohet me problemin e xhihadistëve të kthyer nga Siria. Kështu ai u përpoq ta prezantojë Bosnjën si vatër të islamistëve agresivë. Bosnja ka shumë probleme, por vatër e fanatikëve dhe terroristëve islamikë nuk është. Më shumë islamistë nga Franca i janë bashkuar milicisë terroriste ISIS se sa nga Bosnja. Fashizmi i gjelbër i islamistëve duhet të luftohet si në Francë, si në Bosnjë, por ta etiketosh një vend me histori tragjike si Bosnja se na qenkësh vatër e xhihadistëve tregon për një injorancë kolosale presidenciale. E ky president është i Francës. Një vend që me dekada ka injoruar rrezikun që vjen nga fanatikët myslimanë, që me dekada nuk ka bërë gati asgjë për integrimin e myslimanëve dhe ka lejuar që ata të jetojnë në geto. Kur së fundi një islamist që punonte në policinë e Parisit, vrau disa kolegë, ministri i Brendshëm i Macronit u përpoq ta fshehë prapavijën islamiste, pastaj, nën presionin e fakteve, Macron u përbetua se Franca duhet t’ia heq qafën hidrës islamiste. Kësaj hidre vërtet duhet t’i hiqet qafa, por kjo nuk mund të bëhet me akuza pushalle kundër një vendi të dobët si Bosnja. Dhe të dobët këtë vend e kanë lënë sidomos europianët duke iu nënshtruar agresionit serb në Bosnjë. Bie në sy që në analizat fluturuese të Macron Serbia nuk përmendet fare. Me sa duket agresori është amnistuar. Mirë, së paku, që kancelarja gjermane Angela Merkel kundërshtoi gjuhën e pathemeltë të Macronit kundër NATO-s dhe Amerikës.