Lukas Mandl – një kandidat edhe i Kosovës në Parlamentin Europian

Politikani austriak Lukas Mandl është një mbështetës i madh i Kosovës në Parlamentin Europian. Që kjo përkrahje të vazhdojë, Mandl meriton përkrahje nga komuniteti shqiptar në Austri në zgjedhjet për Parlamentin Europian këtë fundjavë.




Lukas Mandl është anëtar i Partisë Popullore të Austrisë (ÖVP) dhe që nga viti 2017 ka përfaqësuar këtë parti në Parlamentin Europian (PE-së). Por në Bruksel e Strassburg, në dy selitë e PE, Mandl e ka përfaqësuar edhe Kosovën, duke përkrahur çdo nismë për integrimin e saj në BE. Mandl ka qenë ndër politikanët më të zëshëm me kërkesa për heqjen e vizave të Schengenit ndaj qytetarëve të Kosovës.

Ndonëse Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret, regjimi i vizave mbetet në fuqi, përfshirë edhe procedurat e komplikuara dhe pritjet e gjata para ambasadave, ka deklaruar Mandl. Falë deputetëve si Mandl Parlamenti Europian ka miratuar me shumicë të madhe planin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Tani gjithçka varet nga vendet anëtare të hapësirës së Schengenit.

«Austria ka një traditë të gjatë të ndërmjetësimit të qasjes së ndershme dhe krijimit të shanseve për njerëzit në Europën Juglindore. Edhe shtetet e tjera duhet ta kenë të qartë se identiteti europian i qytetareve dhe qytetarëve në këtë pjesë të Europës është i pandashëm me seriozitetin e veprimit të BE-së», ka deklaruar Mandl.

Ai i përket krahut socialliberal të Partisë Popullore të kancelarit Sebastian Kurz dhe angazhohet për një Europë të popujve të integruar. Qëllimi i tij nuk është barrikadimi në istikame partiake, por bashkëpunimi, rrjedhimisht Mandl nuk përton të thotë disa fjalë të mira për një libër të raportueses shumëvjeçare të Parlamentit Europian për Kosovën, Ulrike Lunacek, e cila i përket Partisë së Gjelbër, dhe të angazhohet për një Austri pa energji bërthamore.

Mandl është themelues dhe kryetar i Shoqatës së Miqësisë Austri-Kosovë, e cila përpiqet të jetë urë mes dy vendeve dhe për këtë qëllim vazhdimisht organizon aktivitete të ndryshme. Që miqësia mes Kosovës e Austrisë të jetë sa më kuptimplotë, Mandl dhe Johann Günther, ekspert i mediave dhe po ashtu themelues i Shoqatës së Miqësisë Austri-Kosovë, kanë njoftuar se firma austriake e farishtave Stekovics ka prezantuar në treg një lloj të domateve me emrin «Kosovë». Që në të ardhmen të vazhdojë përkrahja për Kosovën dhe në Austri të rriten edhe domatet me këtë emër, Mandl meriton përkrahje nga komuniteti shqiptar në Austri në zgjedhjet për Parlamentin Europian këtë fundjavë.