Lugina tregon ditën kur do ta themelojë Asociacionin e Komunave Shqiptare




Përfaqësuesit politikë shqiptarë në Luginë të Preshevës kanë paralajmëruar se këtë të shtunë do ta shpallin themelimin e Asociacionit të Komunave Shqiptare në Serbi, si kundërpërgjigje ndaj krijimit të Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë.

 

Këtë e ka konfirmuar për KTV-në kryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa, i cili ka thënë se për këtë do të vendoset në mbledhjen e Këshillit Kombëtar Shqiptar.

Mustafa ka thënë se këtë ua garanton edhe rezoluta e miratuar në Kuvendin e Kosovës në maj të 2013-ës.

«Ne kemi mbështetjen e Kosovës dhe të Shqipërisë, pasi këtë na e garanton rezoluta e Kuvendit të Kosovës dhe deklarata e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili në Preshevë pati deklaruar se shqiptarët e Luginës duhet t’i gëzojnë të drejtat sikur serbët në Kosovë», ka thënë kryetari i Preshevës, duke shtuar se është e drejtë e shqiptarëve në këtë pjesë që të vendosin për vete.

«Ne presim mbështetjen dhe njohjen e Asociacionit nga autoritetet e Kosovës dhe të Shqiptarisë si dhe më pas edhe të bashkësisë ndërkombëtare», ka thënë Mustafa.

Mediat në Serbi e kanë cilësuar si plan të ferrit mundësinë që shqiptarët të krijojnë Asociacionin e Komunave Shqiptare në Serbi.