Lufta e tij: në kampin e shfarosjes së hebrenjve bashkë me nipin e komandantit nazist

Para 75 vitesh u çlirua Auschwitzi. Rainer Hössin, nipin e komandantit të kampit të shfarosjes, deri më sot e ndjek trashëgimia monstruoze e emrit të tij. Një reportazh nga gazeta zvicerane «NZZ am Sonntag».

Rainer Höss me një fotografi ku shihet gjyshi i tij, i cili ishte komandant i Auschwitzit.



Dikur, pak para Dresdenit, ne gjendemi në veturë, qielli ka një ngjyrë hiri, drunjtë mbi arat e papunuara janë të zhveshur, Rainer Höss thotë: «Jam i obsesionuar pas Auschwitzit». E thotë këtë fjali ndërsa ne kalojmë me shpejtësi pranë kamionëve, dyqaneve të pikave të karburantit, mbi pullazet e të cilave gjenden bredhat e Krishtlindjeve që bëjnë dritë. «Shkuarja në Auschwitz i jep kuptim jetës sime».

Një ditë më parë qemë takuar në banesën e tij në një qytezë idilike afër Stuttgartit. Adventi i dytë. Në vitrinën e librave gjendet gjithçka që duhet lexuar për Holokaustin. Nga «Mein Kampf» (Lufta ime) dhe «Mirëdashësit» e Jonathan Littell deri te atje poshtë në qoshe një vëllim i hollë me ngjyrë të të verdhë: «Teach Yourself to Read Hebrew» (Mëso të lexosh hebraisht).

Dhoma e tij e punës është e rregulluar me kujdes të madh, lapsat të renditur mirë e mirë, në mur qëndrojnë të varura fotografi, Höss në Amerikë, Höss në Izrael, Höss para telit me gjemba të kampeve të dikurshme të përqendrimit. Nisemi. Ai është i mbathur me atlete, ka veshur xhinsa, nyjat e këmbës i ka të zbuluar, thua se po shkojmë në një vend me diell, valixhja e tij me rrotëza është e hollë dhe e përshtatshme për ta bartur, por në të vërtetë ai bart me vete barrën e historisë të rëndë plumb.

Para se të futemi në veturën që e kishim marrë me qira, ai me nguti pi cigaren e fundit, nga largësia dëgjohen njerëz në tregun e Krishtlindjeve, tollovi me verë të zier, avull nga pjekja e specialiteteve gjermane prej brumi, rehati gjermane. Deri në Auschwitz janë 1000 kilometra, Höss e njeh mirë këtë rrugë. Ai thotë: «Atje përpara djathtas, mandej në rreth sërish djathtas dhe pastaj në të vërtetë vetëm drejt».

Rainer Höss, 54-vjeçar, është nipi i Rudolf Höss, komandantit të Auschwitzit, përgjegjës për vdekjen e 1,1 milionë burrave, grave dhe fëmijëve. Historianët, madje edhe vetë psikiatri polak Stanislaw Batawia, i cili e kishte marrë në pyetje Hössin në burg për disa orë, nuk e përshkruajnë atë si sadist, por si «ngurrues dhe të ndjeshëm». Për të me rëndësi ishte shërbimi dhe dëgjueshmëria dhe besnikëria e pakusht ndaj fyrerit (Adolf Hitlerit). «Urdhrat e Hitlerit për mua kanë qenë të shenjtë», shkroi Höss në kujtimet e tij.

Ai i donte qentë dhe kuajt dhe në Auschwitz krijoi një fabrikë të përsosur për eliminimin e njerëzve, një inxhinier, i cili mbante shënime të sakta mbi përdorimin sa më efektiv të gazit. Në dhomat e gazit ai i ngufati me helmin Ciklon B qindra-mijëra, trupat e tyre i dogji në furra dhe pasi kryente punën shkonte me fëmijët e tij të lahej në lumë, kur uji i lumit Sola nuk merrte ngjyrë të zezë nga hiri i njerëzve.

Nisemi, Heilbronn, Nürnberg, Höss tregon se si para disa vitesh në Auschwitz një kameriere e kishte pyetur nëse e do ujin me gaz apo pa gaz, dhe ai ishte përgjigjur: «Me gaz». Ai qesh dhe kështu dëgjohet zhurma mbytëse e mijëra cigareve. «Pa humor krejt jo të çmend», thotë ai, Bayreuth, Hof, Höss ka aksentin e njëjtë si trajneri i futbollit Jogi Löw. Plauen, Zwickau, pauzë për kafe.

Kampi i përqendrimit dhe i shfarosjes Auschwitz u çlirua para 75 vitesh nga ushtarët e Armatës së Kuqe. Më 27 janar 1945. Ata gjetën rrënoja që u dilte tymi, krematorë, kodra me flokë, syze, këpucë. Shumica e të burgosurve ndaheshin tashmë në marshet e vdekjes, nazistët lanë pas vetëm të sëmurët, mes tyre 700 fëmijë, të cilëve u thanë se mund të shkonin, por ku?

Binjakët Eva dhe Miriam Mozes atëbotë ishin 10-vjeçarë, ekzistojnë fotografi, në të cilat ata në atë ditë në fund të janarit shihen me rrobe të burgosurish para telave me gjemba. Ata u keqpërdorën për teste me njerëz nga mjeku i kampit të përqendrimit, Joseph Mengele, i quajtur «engjëlli i vdekjes i Auschwitzit». Dekada më vonë do të takoheshin Eva Mozes dhe Rainer Höss, e mbijetuara dhe nipi i komandantit u bënë miq. «Në shenjë respekti» Rainer e ka vënë me tatuazh në gjoks numrin që Eva e bartte në kampin e shfarosjes, A-7063, me bojë origjinale të Auschwitzit, të cilën e ka gjetur në trashëgiminë e gjyshit të tij, mbi tatuazh fjalët: «Never Forget» – dhe një Yll i Davidit.

Me rastin e 75-vjetorit të çlirimit në fund të janarit pritet të takohen edhe njëherë të mbijetuarit për të kujtuar viktimat. Nuk kanë mbetur shumë. Në përvjetorin e ’60 më 2005 erdhën 1500 dëshmitarë të kohës, nga Izraeli, SHBA-të, Amerika Latine, dhjetë vjet më vonë ishin 300 që morën udhën e mundimshme për të ardhur në Poloni. Tani pritet të vijnë vetëm 120 të mbijetuar, shumica mbi 80-vjeçarë, pleq që kanë përjetuar të papërshkrueshmen. Do të jetë hera e fundit.

Çfarë domethënë kjo? Çfarë ndodhë kur s’mbetet më askush që mund të rrëfejë si ka qenë me të vërtetë? Si do t’ua tregojmë historinë tonë gjeneratave të ardhshme pa dëshmitarë – dhe kush vendos se çfarë tregojmë?

Ka njerëz si puna e politikanit nacionalist gjerman Björn Höcke, prijës i listës së partisë Alternativa për Gjermaninë (AfD), të cilët bëjnë vërejtje duke pyetur nëse është e nevojshme e gjithë kjo, po, ky përkujtim i përhershëm. «70 vjet kemi ndërtuar memorialë. Ka ardhur koha të ndërtojmë përmendore», thotë Höcke dhe për këtë merr shumë përkrahje, sidomos në Gjermaninë lindore. Ballafaqimi i pandalshëm me të kaluarën «po e paralizon popullin», thotë Höcke, andaj, sipas tij, ka ardhur koha të shikohet përpara, jo pas, fundja moti kanë ndodhur këto gjëra.

A është kështu?

Hebrenjtë në Gjermani sërish kanë frikë për jetën e tyre, shkroi magazina «Der Spiegel» pas atentatit në qytetin Halle në tetor, kur një ekstremist i djathtë deshi të futej në një sinagogë për t’i vrarë rend me rend të gjithë të pranishmit. Sipas Raportit të Shërbimit Sekret Gjerman për vitin 2018 numri i akteve të dhunshme të ekstremit të djathtë është shtuar për gjashtë për qind, «bie në sy rritja e veprave penale me motiv antisemit». Jo vetëm në Gjermani.

Para disa ditësh në New York, gjatë Festës (hebraike) të Dritës (Hanuka) u lënduan pese veta. Pikërisht në qytetin që e konsideron veten si qendër tolerante ku shkrihen të gjitha religjionet dhe ku jeta hebraike është aq e pranishme, veprat penale antisemite në vitin e kaluar janë rritur për 20 për qind.

Në Zvicër hebrenjtë «nuk kanë pse të frikësohen» kur ecin në rrugë, thotë Dominic Pugatsch, drejtor i Fondacionit kundër Racizmit dhe Antisemitizmit, por në rrjetet sociale, thotë Pugatsch, «aty nuk ka më asnjë frenim». Njëkohësisht po zbehet dija për Holokaustin, thuhet në raporte, dhe po shndërrohet në një dramë të dhembshur të stilit të Steven Spielbergut, ku të gjithë nazistët janë përbindësha psikopatë, por pikërisht ky Rudolf Höss, gjyshi i Rainerit, dëshmon se krimi më i madh i historisë është kryer nga njerëzit krejtësisht të zakonshëm. Etër, inxhinierë, adhurues kafshësh. Njerëz si ne.

Darkë dhe bujtje në Zeitz, një qytezë në landin Sachsen-Anhalt, vatër e partisë nacionaliste AfD. Është bërë vonë, gjithçka është mbyllur, me përjashtim të një restoranti të vogël italian me emrin «Amigo Pizzeria», i cili drejtohet nga një indian. Höss porosit bërxollë dhe pomfrit dhe një birrë të madhe, në tavolina dekorime Krishtlindjesh.

Ai tregon se si gjyshi i tij është dënuar me varje nga një gjykatë polake. «Një copë të litarit», thotë Höss me krenari, thua se bëhet fjalë për një trofe, «është pronë e imja». Është dhuratë e një miku të mirë, Stanislaw Dubiel, një i burgosur i kampit, mirëmbajtësit të shtëpisë dhe kopshtarit të familjes së tij. Të nesërmen nisemi në orën 08:30. Höss është bërë gati herët, i ka palosur gjësendet, ka bërë dush, ka pirë duhan. «Përpikërinë e kam trashëguar nga gjyshi, a nuk është e neveritshme kjo?» Sërish kjo buzëqeshje.

Natyrë e rrafshët, në mjegullën lart mbi tokë shihen turbina të rrymës me ajër, Chemnitzi, Görlitzi, kufiri polak, pishnajë, motele të lira pranë autostradës, Wroclaw.

Nuk është njeri i thjeshtë Rainer Hössi. Ai duket se është përherë në siklet. Një i lënduar. Një që gjendet përtej shoqërisë, thotë ai për veten e tij. «Të gjithë duan që unë të heshtë, por unë ndjek rrugën time». Shumëçka çfarë thotë tingëllon aq tmerrshëm, saqë pothuaj s’mund të besosh, por biografia e tij është aq e tmerrshme:

Höss u rrit afër Ludwigsburgut, në jug të Gjermanisë. «Sekretarja e Adolf Eichmannit ka qenë fqinje e jona», thotë ai, «shoferi i Heinrich Himmlerit jetonte afër nesh, dhe Sepp Dietrich, truproja e Hitlerit, ka qenë hero në atë rajon». Kjo ka qenë në fillim të viteve ’70, askush s’donte të dinte gjë për luftën, njerëzit më shumë dëshironin të kursenin për të blerë një veturë VW Golf. Në televizion shfaqej emisioni «Dalli Dalli» (hajde, hajde) me Hans Rosenthal, vëllai i të cilit ishte vrarë në kamp të përqendrimit, dhe babai i Rainerit, Hans-Jürgen Höss, i biri i shfarosësit të njerëzve në Auschwitz, në deriçkën e kopshtit kishte varur një pllakë: «Këtu hebrenjtë janë të padëshirueshëm».

Edhe sot e kësaj dite i ati i tij është nazist i zjarrtë dhe Dëshmitar i Jehovait, tregon Rainer Höss në veturë, rrugët janë të lagura, Grodkow, Opole, Krapkowice, pauzë për drekë në një pikë karburanti, supë, kafe, cigare. Rrëfen se si fëmijë ai detyrohej të rrinte gatitu dhe ishte rrahur, nëna e tij disa herë ishte përpjekur të vrasë veten, vazhdon ai të tregojë ndërsa trafiku rreth Katovicës bëhet më i dendur. Edhe vëllai i tij, me të cilin nuk mban më kontakt, është «ekstremist i djathtë, saqë të vjen të vjellësh» dhe i minimizon krimet e gjyshit, thotë Rainer Höss. Nuk ka qenë aq keq atëherë, kështu flasin në familje edhe sot, hajde lini anash këto tregime të vjetra. Tingëllon si kur flet Björn Höcke.

Lejtënant-koloneli nazist Rudolf Höss kishte pesë fëmijë, mes tyre edhe babai i Rainerit, të cilët u rritën në Auschwitz në një vilë afër kampit nga dritaret e pullazit të së cilës mund të shihje krematorët dhe barakat. Ka fotografi në të cilat fëmijët e komandantit shihen mbi vetura lodra duke ndenjur në kopsht ndërsa pak metra larg tyre njerëzit në dhoma gazi bien në panik sepse ua zë frymën Cikloni B, pastaj ata fillojnë të hipin mbi njëri-tjetrin, më të fuqishmit lart, pleqtë dhe fëmijët poshtë, derisa pas 20 minutave vdesin nga ngufatja.

Edhe sot fëmijët e komandantit publikisht mohojnë se e kanë ditur se bëhej fjalë për një kamp shfarosjeje, thotë Raineri, nipi. Në realitet të gjithë ata janë «nazistë deri në palcë». Ingebritt Höss, të cilën e thërrasin «Püppi», sipas vajzës së Heinrich Himmlerit, jeton në Arlington në shtetin amerikan të Virginia, as 30 minuta larg Shtëpisë së Bardhë. Dikur ajo punonte në një dyqan kapelash në New York, i cili i takonte një çifti hebraik. Mbi shtratin e saj qëndron e varur një fotografi e babait të saj Rudolf Höss, i biri i saj thuhet se luan në një bend djathtist, tregon Raineri, dhe në paraqitjet e tij në skenë shfaqet me kostume naziste.

Kështu është me orë të tëra me Rainer Höss, anekdotë pas anekdote, disa mund të verifikohen, të tjerat jo, sepse familja e tij nuk përgjigjet në pyetje. Terrohet ndërsa braktisim autostradën dhe kalojmë pranë pyjeve me mështekna, kënetishtave, katundeve të vetmuara. «Një kushërirë e imja», tregon Höss, «jeton në Australi dhe është pjesë e skenës së atjeshme të ekstremit të djathtë. Çfarë familje të përzemërt kam». Höss qesh, pastaj arrijmë në cak: Oswiecim, kështu quhet qyteti në të cilin gjendet kampi, dyqane shumëngjyrëshe pranë siloseve sovjetike të banimit, një studio për rregullimin e thonjve ofron Brazilian Waxing (metodë braziliane për heqje qimesh) për 30 zlotë, këtu diku duhet të ketë jetuar kasapi Mengele.

Në moshën 15-vjeçare Rainer Höss shpëtoi nga moçali nazist, u bë kuzhinier, më vonë drejtoi një diskotekë, gati vdiq nga alkooli, kishte probleme financiare dhe ra në kurthin e ideve të marra të biznesit. Por para së gjithash ai u bë baba, «gjë që ma shpëtoi jetën», thotë ai, sepse tani duhej të pyeste veten: kush jam unë me të vërtetë. «Sa shumë Höss ka brenda meje?» Me ditë të tëra, me net të tëra ai kishte vendosur profilin e tij mbi fotografitë e gjyshit dhe kishte lexuar gjithçka çfarë mund të gjente. «A jam si ai? A mund të bëhem si ky njeri, i cili vret fëmijë me gaz dhe në mbrëmje loz kukafshehtas me djemtë e tij?»

Höss ka gjetur ngjashmëri, jo vetëm të jashtme. Kjo pedanteri, kjo ndërgjegje për të kryer detyrën, rendi e rregulli në dhomën e tij të punës. Dikur ai i kishte thënë vetes: «Duhet të ballafaqohem me krejt këtë bërllok. Po nuk e bëra, do të shkatërrohem», arrijmë në hotel Imperial, pas 1000 kilometrave. Edhe këtu shkëlqejnë dritat e bredhave, por kjo nuk e bën atmosferën më solemne. Dhoma e Höss është në katin përdhes. Kur i shtyn perdet, ai sheh direkt muret e kampit kryesor Auschwitz I.

Askush nuk vjen rastësisht në këtë hotel. Në vend të broshurave për turizëm gjendet një vitrinë plot me libra mbi shoan, gjenocidin nazist ndaj hebrenjve. Salla e ushqimit është e zbrazët, drita neoni, dyshemeja e ftohtë, disa turistë aziatikë janë përqendruar në menytë e ushqimit. Në skaj të sallës një plak, i cili fut një çeskë çaji në filxhan dhe shikon se si uji merr ngjyrë dhe kur e pyesim nëse mund të flasim, ai dridhet dhe na lut ta lëmë vetëm.

Höss fle herët, zgjohet në orën 6, vishet, del dhe ec nëpër terr, nuk shihet njeri i gjallë, ndez cigaren, palltoja e tij ngjyrë portokalli e mbërthyer deri te mjekra. Më vonë dhjetëra autobusë do të shkarkojnë këtu turistë, të cilët kanë paguar një vizitë dhe bëjnë selfie në dhoma gazi. Höss ende është vetëm.

Ai qëndron para portave, ec pranë gardheve, ai e di se ku depërton brenda, vetëm duhet ta ngrehësh pak barkun për t’u futur në kamp. Tani ai Auschwitzin e ka vetëm për vete. Ky është rituali i tij, ai e quan «vetë-ekzorcizëm», së shpejti do të bëhet ora 7, agu i mëngjesit.

Höss shkon te trekëmbëshi ku dikur ishte varur gjyshi i tij, qëndron para tij, pret, në prapavijë kalon një autobus. «Më duhet të sigurohem që ai plaku ka vdekur me të vërtetë». Për këtë arsye ai vjen vazhdimisht në këtë vend «për t’i luftuar demonët e mi të brendshëm».

Më shumë se dy milionë vizitorë kanë ardhur në vitin 2018 në Auschwitz. Dhe ky numër po rritet. Shumica udhëtojnë nga Krakova, për 35 euro me autobus, gjatë verës këtu duket si një park për kalimin e kohës së lirë: turistët qëndrojnë në rend para krematorit, shtyhen për të hyrë në dhomat e gazit dhe i postojnë fotografitë në Instagram.

Shumica kalojnë dy orë në kampin kryesor, shikojnë barakat dhe pastaj shkojnë në Birkenau, aty afër, ku i kalojnë edhe 90 minuta, të lodhur, të uritur, gjithë këta të vdekur, tela me gjemba dhe Mengele, ata vetëm duan të kthehet në hotel.

Auschwitzi është një pikë fikse në hartën e Dark Tourism, turizmit të errët. Në vend se të kalojnë pushimet pranë pishinës, gjithnjë e më shumë njerëz udhëtojnë në vendet e tmerrit, te Killing Fields të Kmerëve të Kuq, në Çernobil, por para së gjithash në kampet e përqendrimit. Ka agjenci që shpejt e shpejt kalojnë nëpër disa kampe naziste në Poloni, dhe ka ciceronë në të gjitha gjuhët. Ka librari dhe kartolina dhe një banak që shet pizza jo më larg se dy minuta nga mbishkrimi «Arbeit macht frei» (puna të çliron). Ky është komercializimi i së keqes. Dhe Höss përzihet edhe këtu, për çka është kritikuar shumë. Thuhet se ai po e komercializon veten si ndërgjegje e vrarë e gjallë. Thuhet se memorialit Yad Vashem i ka ofruar për shitje gjësende të gjyshit të tij, por këtë ai e mohon. A është roli i tij si i penduar vetëm pozë?

Më 27 janar, në 75-vjetorin e çlirimit të Auschwitzit, hotelet përreth kampit nuk kanë asnjë dhomë të lirë, prej muajsh janë zënë. Edhe Rainer Höss do të jetë këtu, për të kujtuar, për të takuar të mbijetuar dhe miq. Është si në një konferencë, lidhen kontakte, shkëmbehen kartëvizita, mendohet për projekte. Para 6 vitesh Höss ka themeluar një fondacion me emrin Footsteps, ai ka tre punëtorë, ata ofrojnë vizita në Auschwitz, ndihmojnë në hulumtime, jo vetëm sa i përket Holokaustit. Gjenocide, shtypje, trajtim traumash – tmerri është fusha e Hössit.

Para disa javësh Höss ka qenë në Kanada, pastaj shkoi në Mal të Zi, referate, projekte librash. Kudo ku shkon ai angazhohet kundër ekstremizmit të djathtë, duartrokitet për guximin e tij që të pozicionohet kundër familjes, tërheq vërejtjen para rritjes së ndikimit të popullistëve në Hungari, Poloni. Trumpi dhe AfD-ja, gjithçka përzihet dhe reduktohet në parulla. «Fashistët sërish po bëhen të pranueshëm», thotë ajo. «Këto kohëra më kujtojnë vitet ‘1930». Këto fjalë përherë bëjnë jehonë.

Ai thotë se deri në vitin 2021 «në fakt jam krejtësisht i zënë». Shto kësaj edhe një mjuzikëll mbi Höss dhe Mengele, bazuar në fotografitë që janë zbuluar më 2007 dhe në të cilat shihen disa nga udhëheqësit nazistë duke vallëzuar, pirë dhe ngrënë boronica. Në vjeshtë është premiera në New York, thotë Höss. «Broadway», thekson ai, «flakë po shkon puna».

Höss, i cili ka këputur të gjitha lidhjet me familjen e tij naziste, tani është me profesion – nip. Mallkimin e mbiemrit e ka shndërruar në biznes. Höss është gjithçka çfarë ka.

Ecim nëpër Birkenau, 192 hektarë, kjo hapësirë e madhe ta zë frymën. Fare në fund, në cepin perëndimor, atje ku shumica e turistëve nuk shkojnë, gjendeshin krematorët, ku nga mesi i vitit 1944 u eliminuan hebrenjtë hungarezë. Aleatët atëbotë dispononim me incizime nga ajri ku shiheshin edhe dhomat e gazit, megjithatë nuk intervenuan për të ndalur vrasjet masive.

Prej 438 mijë hebrenjve nga Hungaria, të cilët u deportuan në Birkenau, nazistët i mbytën me gaz 80 për qind të tyre, pa i regjistruar fare. Oxhakët punonin 24 orë në ditë, e meqë kjo s’mjaftonte ata hidheshin në zjarre të hapur në gropa, ku ne tani kalojmë ndërsa frynë një erë e acartë. Rainer Höss, me duar në xhepa, thotë se njëherë ka gabuar dhe me gishtin e madh ka përshkuar një mur, dhe pastaj vërejti se nën thua ishte mbledhur balta, «mbetje mortore», thotë ai, pastaj i ndalet zëri dhe fillon të qajë. «Më duhet të rri një minutë vetëm», thotë ai. Drekë në Oswiecim, supë, mish, verë.

Një vizitë në Auschwitz domethënë që sapo të tronditesh mbi atë se sa kanë vuajtur të burgosurit nga acari e uria, pak minuta më vonë rregullon ngrohjen në veturë dhe me aplikacion të telefonit kërkon një restorant me vlerësime të mira. Është njëkohësia e së djeshmes dhe të sotmes, që e shquan këtë vend: këtu ka çerdhe fëmijësh dhe diskoteka, fare afër kampit, dhe banorë në katin e tretë të banesave ngjyrë hiri dhe të marra me qira, të cilët nga ballkonet e tyre shohin barakat dhe pjekin mish në skarë.

Të nesërmen Rainer Höss udhëton në Pszczyna, 30 kilometra larg Auschwitzit. Lucia Janosz, e mbijetuar e kampit, dëshiron t’ia tregojë historinë e saj, mbi tavolinë qëndrojnë disa biskota me çokollatë. Ajo u burgos më 1943 dhe u dërgua në kamp, sepse babai i saj luftonte me kryengritësit polakë kundër nazistëve, vëllai i saj është vrarë nga gjermanët në Auschwitz, në bllokun numër 11, emrin e tij e kishte gërvishtur në tavan. Höss është lodhur, nën sy vërehen dukshëm shenjat e lotëve, ai ia shtrëngon duart Lucia Janoszit, kur ajo fillon të dridhet ndërsa flet.

Ai i njeh këto lloje bisedash, ka takuar mbi 100 dëshmitarë, mes tyre edhe nobelistin e letërsisë Imre Kertész, «disa më kanë pështyrë, por nuk hidhërohem». Më së shumti i ka lënë përshtypje takimi me Eva Mozes, numrin e kampit të së cilës ai e ka shkruar me tatuazh në trupin e tij, dhe me Jozef Paczynskin, berberin personal të komandantit, i cili gjyshit të Rainerit çdo javë ia shkurtonte flokët anash, katër vjet me radhë, pa folur kurrë një fjalë me të. Edhe numri i Paczynskit përgjithmonë është në gjoksin e Rainerit.

Höss është ndër të paktit që mbajnë kontakt edhe me familjet e dorasëve, me fëmijë e nipa të prijësve nazistë, të cilët rrallë flasin publikisht. Me Monika Göth ka pasur punë, me Bettina Göhring, e cila ka sterilizuar veten që të mos prodhojë «Göhringa të vegjël». Ai e bindi Simon Himmlerin, stërnipin e Heinrich Himmlerit, të shkojë në Auschwitz. Höss tregon se si të dy qëndruan nën rrezet e diellit në Birkenau, të dërrmuar nga nervat, kur Himmleri kishte thënë: «Rainer, më lë të vdes këtu».

Shumë pasardhës i kanë ndërruar mbiemrat, disa nga turpi, të tjerët për shkak se nuk duan të ballafaqohen vazhdimisht me të kaluarën, tregon Höss. «Por mendësinë e kanë ruajtur», tregon Höss. «Pas vitit 1945 gjermanët nuk kanë pushuar së menduari siç kishin menduar nën Hitlerin. Lidhjet e vjetra edhe sot ekzistojnë». Babai i tij kishte punuar në një fabrikë këpucësh të drejtuar nga një nazist, axha i tij gjeti vend te gaulajterët e dikurshëm (lloj prefekti nazist, v.j.). «Vetëm pak kriminelë janë dënuar».

Denacifikimi ishte, sipas tij, «një hajgare», Höss mendon se pak është bërë sa i përket ballafaqimit kritik me të kaluarën në Gjermani. «Edhe sot më shkruajnë njerëz që e minimizojnë Holokaustin». Kur e vizitonte në azilin e pleqve të ëmën tashmë të vdekur, disa seniorë që cilët e njihnin mbiemrin e tij, pëshpëritnin: një Hitler i vogël do të na duhej tani përballë gjithë këtyre emigrantëve. Kështu tregon Höss.

«Nazistët janë në mesin tonë», thotë Höss, «dhe po u kape me ta, duhet të kesh shumë nerva». Webfaqja e ekstremit të djathtë «Störtebeker-Netz» ka premtuar 500 mijë euro për kokën e Rainer Höss, por policia, sipas tij, është e pafuqishme, sepse serverët e faqes janë diku në Amerikë. «Po më kërcënojnë dhe njollosin, por kjo nuk më ndalë në misionin tim», thotë Höss, i cili me dëshmitarë të kohës dhe me avokatë në Gjermani e Amerikë po lufton që vrasësit e fundit të gjallë të nxirren para gjyqit. Höss i është qepur kësaj pune, kur fillon diçka, ai edhe e mbaron. Përpikëria është traditë familjare.

Nga fundi i luftës gjyshi i tij Rudolf Höss – tok me nazistë të tjerë – iku në Schleswig-Holstein bashkë me gruan e tij dhe pesë fëmijët përmes asaj që quhej vija veriore e minjve (Rattenlinie Nord). Me emër të rrejshëm u fsheh në Gottrupel, në kufirin gjermano-danez, ku më 11 mars 1946 do të kapej nga një ushtar britanik dhe do të dorëzohej në Poloni. Në burg ai shkruan në kujtimet e tij se ishte i lumtur që kishte Ciklonin B, sepse ky «na kurseu nga kasaphanat e përgjakshme», dhe Höss kërkoi nga një prift që të pranohet sërish në Kishën Katolike, gjë që ndodh, sepse ai e pranon fajin. Por nuk shfaq pendim. Shkruan se vetëm ka zbatuar urdhra. Ngjashëm shprehet edhe njëri nga kolegët e tij, komandanti i kampit nga Treblinka, Franz Stangl, i cili hebrenjtë nuk i konsideronte njerëz. Një gazetareje britanike ai në një intervistë pas luftës i tha: «They were cargo.» (Ata kanë qenë mall).

Më 16 prill 1947 Höss sillet mbi një podium afër krematorit në kampin kryesor të Auschwitzit. Aty kishin ardhur shumë kureshtarë, edhe të mbijetuar, mes tyre Stanislaw Dubiel, mirëmbajtësi i shtëpisë së familjes Höss, i cili çdo ditë e shihte gjyshin e Rainerit, por mbi të gjitha e shihte gjyshen, me të cilën, sipas Rainer Höss, kishte një aferë. Njëra nga vajzat e Rudolf Hössit, komandantit të Auschwitzit, në të vërtetë është vajza e Dubielit, pra vajza e një të burgosuri polak, kështu së paku thotë nipi. Ai tregon se Dubiel ia kishte besuar këtë sekret më vonë, kur ishin bërë miq. «Stanislawi ka kërkuar një test gjenetik halla ime, ai ka qenë shumë i sigurt se është babai i saj, por familja refuzoi».

Në atë ditë prilli të vitit 1947 Dubiel shikon se si Rudolf Hössi «me një lëvizje tipike përbuzëse ngre kokën lart për të rregulluar lakun. Pastaj hapet kapaku nën trekëmbësh», kështu e përshkruan historiani Nikolaus Wachsmann. 60 vjet më vonë Dubiel do të bëhet mik me Rainerin, nipin e komandantit dhe do t’ia japë atij një copë të litarit, i cili po tundej mbi gjyshin e tij, kështu mbyllet qarku.

Kthehemi në shtëpi. Höss me valixhen me rrotëza në parkingun e zbrazët të hotelit Imperial, me nguti pi cigaren. Para se të kthehet në shtëpi, një ndalesë e fundit: te vila e gjyshit të tij. «Veçanërisht këtu e ndiej plakun Höss», thotë Rainer Höss dhe zbret nga vetura, Leginovstrasse 88, këto dy shifra në mesin e neonazistëve janë kod për përshëndetjen «Heil Hitler». Derën e hap Piotr, ai e ka trashëguar shtëpinë nga gjyshja, e cila ishte dëbuar nga nazistët dhe pas luftës u kthye sërish. Zakonisht Piotr i përzë të gjithë turistët, të cilët pyesin nëse këtu vërtet ka banuar Rudolf Höss. «Por për Rainerin bëj një përjashtim».

Rrimë në dhomën e ditës, Raineri thotë: «Këtu Höss ka pi konjak me Hitlerin dhe ka biseduar mbi shfarosjen totale të hebrenjve». Ai këtë e thotë me një zë nga i cili tingëllon një neveri e përzemërt, ai është një maniak dhe Holokausti droga e tij. Höss ngjitet në katin e parë, «kjo ka qenë dhoma e gjyshes, ajo ka qenë më e poshtra prej të gjithëve», thotë ai, tashmë as që mund të dëgjohen tregimet familjare, por Höss ka diçka prej maniaku, ai s’ndalet dot. «Daja im ka qenë Gerhard Hensel», vazhdon ai, vëllai i gjyshes. Ai ka pikturuar në Auschwitz, mijëra vizatime mbi të burgosurit, oxhakët ku janë djegur të burgosurit, «unë jam pronar i të gjithave», thotë Höss. Pas luftës Hensel ka qenë mësues i artit figurativ, «kurrë nuk është dënuar», jetoi një jetë të bukur si piktor i respektuar, «gjithçka e kam dokumentuar, 30 vjet hulumtim», thotë Höss, ai s’mund të shkëputet, ndërsa ne tashmë ndodhemi në veturë dhe aparati i navigimit thotë: «13 orë. Ju ndodheni në rrugën më të shpejtë», Katovicë, Legnicë, bie shi, bie borë, kufiri gjerman, Bautzen, 1000 kilometra nëpër terrin e natës.

Kalojmë pranë Hoyerswerda, ku neonazistët më 1991 ia vunë flakën një qendre për pranimin e refugjatëve, pastaj nga Chemnitzi, ku një bandë djathtistësh më 2018 goditi pronarin e një restoranti me ushqime të përgatitura sipas rregullave hebraike, Ludwigsburg, Stuttgart, deri kur në agun e mëngjesit mbërrimë te shtëpia e tij, idil qyteze, së shpejti do të hapen furrat e bukës. Në Gjermani fillon një ditë e re.

Përktheu nga gjermanishtja:
Enver ROBELLI

Botohet me lejen e autorit dhe të gazetës «NZZ am Sonntag». Të drejtën e publikimit në shqip e ka dialogoplus.ch. Ndalohet ribotimi nga mediat të tjera pa leje eksplicite të redaksisë së dialogplus.ch.