Libër homazh për mbrojtësit e Ulqinit

«Mehmet Beci dhe lufta për mbrojtjen e Ulqinit», Eqerem Beci, botoi ADA, Tiranë, 2015.

Ulqini gjatë natës. Foto: Shutterstock



Për opinionin e gjerë është e njohur se çështja e Ulqinit, e cila paraqet ngjarje të veçantë për historinë kombëtare shqiptare në shekullit XIX është pikërisht e tillë, sepse Ulqini u bë çështje e ditës në diplomacinë ndërkombëtare, si asnjë qytet tjetër deri në atë kohë. Dhe nuk kishte si të ishte ndryshe, sepse dominuan interesat e fuqive të mëdha, ku viktimë ishte qyteti i Ulqinit, me rrethinën e tij të ngushtë.

Pra, kemi të bëjmë me kohën e ndryshimeve të mëdha në hartën politike në Siujdhesën Ballkanike, në saje të vendimeve të Kongresit të Berlinit (1878), me pavarësinë e disa shteteve të cilët ishin në kuadër të Perandorisë Osmane. Pra, kemi të bëjmë me një periudhë kohore, ku hapësira etnogjeografike shqiptare filloi të zvogëlohej dukshëm, në saje të vendimeve të padrejta të fuqive të mëdha.

Deri me tash në lidhje me këtë çështje janë botuar artikuj e studime nga autorë të ndryshëm, kryesisht nga fusha e historisë, por, kohë më parë, regjistrit të autorëve të tillë u shtohet edhe Eqerem Beci, me librin «Mehmet Beci dhe lufta për mbrojtjen e Ulqinit«, botuar nga ADA, Tiranë 2015.

Edhe pse autori për nga përgatitja profesionale është i profilit të inxhinierisë, ai mori guximin të trajtojë një temë të tillë, sepse është trashëgimtari i familjes së Mehmet Becit. Madje ky është brezi i katërt i këtij personaliteti të Ulqinit, i cili u veçua si komandant i forcave vullnetare ulqinake në luftën për mbrojtjen e Ulqinit, kundër Malit të Zi, por edhe kundër Perandorisë Osmane (1878-1880). Është pikërisht obligimi moral si dhe ndjenja familjare e origjinës ulqinake e cila ka qenë motiv i veçantë për autorin që t’i qaset një teme të tillë, me plot pasion kombëtar.

Në këtë botim të dhënat trajtohen në kontekstin gjeostrategjik të kohës duke filluar me krizën lindore për të vazhduar me ngjarjet që pasuan në hapësirën etnogjeografike shqiptare, në saje të vendimeve të fuqive të mëdha, në formimin e hartës së re politike të Ballkanit. Kështu jepen të dhëna në lidhje me Luftën e Tivarit (nëntor 1877 – janar 1878) si dhe me pushtimin e parë të Ulqinit (18 janar 1878-shkurt 1879), traktatin e Shën Stefanit e Kongresin e Berlinit (1878) etj.

Edhe pse në saje të vendimeve të Kongresit të Berlinit, vise e vendbanime shqiptare iu dhuruan Malit të Zi, ngjarjet që pasuan me përcaktimin e vijës kufitare Mali i Zi – Perandoria Osmane, përkatësisht Shqipërisë, kjo çështje mori kah tjetër që deri në atë kohë ishte dukuri e panjohur. Pas luftërave të zhvilluara në Plavë/Guci (dhjetor 1879 – janar 1880) e më pas në Grudë (prill 1880), ku popullsia shqiptare luftoi për të mos kaluar nën pushtetin e Malit të Zi, dëshmoi në praktikë mobilizim luftarak dhe ndjenjë kombëtare të udhëhequr nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, për mbrojtjen e tërësisë tokësore shqiptare.

Por, nga rrethanat e reja të krijuara filloi aktivizimi i diplomacisë së fuqive të mëdha duke dalë me propozim për kompensim territorial duke propozuar që ai kompensim të jetë qyteti i Ulqinit. Nga ky moment rasti i Ulqinit nuk ishte me karakter lokal apo regjional, por u bë çështje ndërkombëtare për një periudhë gjashtëmujore.

Pikërisht për periudhën kohore qershor – nëntor 1880, autori na sjell të dhëna me interes në lidhje me protestat e shqiptarëve kundër vendimeve të tilla, mobilizimin e ulqinakëve, ndihmën e shkodranëve dhe luftën në mbrojtje të Ulqinit, si dhe dorëzimin e këtij qyteti Malit të Zi nga ana e Perandorisë Osmane në nëntor të vitit 1880.

Qëndresa heroike e shqiptarëve në mbrojtje të Ulqinit paraqet faqe të ndritur të popullit shqiptar për mbrojtjen e trojeve shqiptare. Edhe pse ulqinakët u angazhuan aq sa kishin mundësi duke krijuar formacione vullnetare luftarake të ndihmuar edhe nga shkodranët me ne krye Isuf Sokolin, ishte e pamundur të bëhej më shumë, sepse rrethanat e kohës ishin të tilla, por megjithatë, siç thotë kënga popullore «dual mileti me faqe të bardhë»!

Rasti i Ulqinit është i paprecedent në diplomacinë ndërkombëtare, sepse ky këmbim territori nuk kishte të bënte fare me vendimet e Kongresit të Berlinit, por pas tij në saje të interesave të fuqive të mëdha, duke bërë presion ndaj Perandorisë Osmane, duke e detyruar atë të marrë masa të tilla luftarake kundër shqiptarëve.

Mobilizimi i shqiptarëve për të kundërshtuar edhe me armë vendimet e padrejta të fuqive të mëdha, dëshmoi qartë se nuk është marrë parasysh parimi etnik për territoret përkatëse, por interesat gjeopolitike të diplomacisë ndërkombëtare, duke dëshmuar se popujt e vegjël janë viktima të përhershme, që shqiptarët e përjetuan në shekullit XIX dhe më pas.

Si pasojë e këtij vendimi, të pakënaqur me pushtetin e ri, përafërsisht rreth 3.000 banorë, apo me tepër se një e treta e popullsisë emigruan nga Ulqini duke u vendosur kryesisht në Shkodër e Durrës. Ndonëse të vendosur në mjedisin e ri ata nuk e harruan vendlindjen e tyre, Ulqinin. Njëri nder ta ishte edhe Mehmet Beci, i cili edhe në Shkodër ishte aktiv, duke marrë pjesë në jetën shoqërore e politike, sepse kishte njohuri dhe lidhje me parinë e këtij qyteti.

Por, ai mallin për Ulqinin e kishte të pashuar, që dëshmohet më të dhënën se në Shkodër banonte me qira, sepse mendonte se do të kthehej në shtëpinë e tij në Ulqin. Jo vetëm kaq, por dëshmitarët e kohës kanë cekur se ai «opingat i mbante të varura në mur» për t’u kthyer sa më parë, në Ulqinin e tij të dashur, deri sa vdiq në vitin 1907.

Botimi i këtij libri është kontribut me vlerë për familjen Beci, e në veçanti për personalitetin kryesor të saj Mehmet Becin (1830-1907), që është ndër figurat më të njohura shoqërore e politike të Ulqinit në kohën e tij. Ai ishte trim, guximtar e bujar, e në veçanti i vendosur për të mbrojtur trojet shqiptare me armë kundër aneksimit, duke u bërë komandant i forcave vullnetare ulqinake (1878-1880). Përmes kësaj figure, prezantohen edhe ngjarjet e tjera që kanë të bëjnë me çështjen e Ulqinit, në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e sidomos atë të angazhimit të diplomacisë ndërkombëtare.

Për përgatitjen e këtij libri autori ka konsultuar një literaturë selektive, e cila ka të bëjë enkas për çështjen e Ulqinit, në shekullin XIX, përkatësisht në vitet vendimtare 1878-1880, kur fuqitë e mëdha e detyruan Perandorinë Osmane që këtë qytet t’ia dorëzojë Malit të Zi. Po ashtu në këtë botim na prezantohen edhe fotografi të ndryshme, por risi paraqet prezantimi i skicës gjenealogjike të familjes Beci, duke dëshmuar në mënyrë praktike, lidhshmërinë familjare me personalitetin e Mehmet Becit për disa breza.

Trajtimi i temave të tilla, është i nevojshëm sepse, duke njohur të kaluarën tonë historike, vlerësojmë të tashmen dhe planifikojmë të ardhmen. Këtë botim e vlerësoj si një homazh për të gjithë ata që luftuan dhe u angazhuan me të gjitha format për mbrojtjen e Ulqinit, për të gjithë ulqinakët, shkodranët dhe të tjerët që nuk kursyen asgjë në shërbim të popullit dhe atdheut.

Ndonëse ka kaluar një kohë e gjatë në rrethana të reja shoqërore edhe në vendlindjen e tij në Ulqin, vlerësohet dhe nderohet figura e Mehmet Becit. Pikërisht duke pasur parasysh meritat e tij Këshilli për dhënien e propozimeve për emërtimet e rrugëve, shesheve dhe institucioneve i propozoi Kuvendit të Komunës së Ulqinit që një rrugë të mbaj emrin e Mehmet Becit, që u miratua në mbledhjen e Kuvendit të Ulqinit të mbajtur me datën 24.7.2015. Është pikërisht rruga në Mëhallë të Re aty ku ka qenë shtëpia e familjes së tij. Nderi për të në vend të vet, ku edhe ne po veprojmë sikurse bota e qytetëruar, sepse punët tona nuk na i kryejnë të tjerët.

Andaj, duhet përgëzuar autorin për angazhimin dhe gatishmërinë për trajtimin e një teme të tillë për ngjarjet dhe këtë personalitet të rëndësishëm të kohës.

Copyright: Koha Ditore & dialogplus