Letnica e Vitisë përgatitet për pritjen e besimtarëve pas shenjtërimit të Nënë Terezës

Në fund të rrugës së një fshati të vogël në kodrat e Kosovës, një kishë e vogël katolike qëndron mbi fshatin e përgjumur të Letnicës së Vitisë. Një zë gjeli jehon në një mëngjes me diell pranveror derisa një murgeshë lutet qetësisht brenda faltores nën një pikturë shumëngjyrëshe të Nënë Terezës.




Imazhi është një shenjë e rëndësisë së madhe këtu për Gonxhe Bojaxhiun – ishte pikërisht Letnica kur një shqiptare e re, që më vonë u bë e njohur si Nënë Tereza, gjeti thirrjen e saj të parë dhe të devotshmit sot kërkojnë ngushëllim.

Anjezë Gonxhe Bojaxhiu u lind më 26 gusht, 1910 në Shkup me prejardhje shqiptare.

Babai i saj kishte ndërtuar një shtëpi për të varfrit në manastirin e vogël të Letnicës, e cila më vonë u bë strehim për familjen dhe «vend për shërim» – shpirtëror e fizik – për Gonxhen gjatë viteve të saja të hershme.

Një mik i ngushtë dhe ish-prift i Nënë Terezës, Vikari Gjeneral i Ipeshkvisë së Kosovës Don Lush Gjergji, i ka thënë NBC News se Gonxhe Bojaxhiu shpesh ka folur për një «betejë me Zotin», të cilën «në fund Zoti e fitoi».

«Ajo më tha se i ishte dorëzuar Nënës së Krishtit në Letnicë gushtin e vitit 1928, kur vendosi të bëhej misionare, e cila do të ndihmonte çdo njeri të varfër në botë», ka thënë Don Lush Gjergji, transmeton Koha.net.

Prifti katolik ka shkruar plot 15 libra mbi jetën, punën dhe spiritualitetin e Nënë Terezës.

Gjergji e kishte takuar atë për herë të parë në Romë tetorin e vitit 1968 dhe thotë ta ketë «ndjerë atë kohë se ai është e madhe e shenjtë», gjë që e ka çuar atë t’ia përkushtojë një pjesë të madhe të jetës së tij punës së misionarit.

Paralajmërimi i tij nuk ka mundur të jetë më i saktë – Nënë Tereza do të shenjtërohet më 4 shtator në Romë.

Ndërsa në Kosovë, tri murgeshat dhe një prift që ende e drejtojnë manastirin e Letnicës po përgatiten për një fluks të besimtarëve dhe pelegrinëve në gusht.

Dhjetëra mijëra katolikë, të krishterë ortodoksë e madje edhe disa myslimanë pritet të pushtojnë fshatin 700 vjeçar për të kremtuar festivalin vjetor të Zonjës së Shenjtë.

Këtë vit, si pasojë e vëmendjes së shtuar për shenjtërimin e Nënë Terezës, pritet që fshatin e vogël ta vizitojnë mbi 30,000 persona nga rajoni e më gjerë përgjatë tre ditëve.

«Nënë Tereza është shumë e respektuar, një person për të cilin çdo katolik dhe po ashtu edhe çdo shqiptar është krenar», ka thënë prifti lokal, Don Kriste Gjergji, i cili tashmë ka nisur të mbledh vullnetarë nga famullia e tij për ta ndihmuar me përgatitjet, transmeton Koha.net.

Miqtë dhe ndjekësit e Nënë Terezës thanë se puna dhe stili i saj i jetës u ka bërë përshtypje shumë njerëzve në rajon – përfshi edhe 69-vjeçarin Anton «Tony» Sereci, i cili po e jeton jetën e tij 0½në shpirtin e Nënë Terezës».

Tony kujdeset për varrin e babait të saj [Nënë Terezës] në Shkup dhe ndihmon gjithashtu në drejtimin e të së ashtuquajturës «shtëpi përkujtimi», ku janë ekspozuar fotografi dhe gjësende personale të murgeshës së famshme.

Nënë Tereza vizitoi vendlindjen e saj Shkupin më 1976 dhe sërish më 1980, shtatë muaj pasi pranoi Çmimin Nobel për Paqe. Ajo vdiq në Kalkuta të Indisë më 5 shtator, 1997 në moshën 87 vjeçare.

Për vite të tëra, Sereci ka provuar që ta fus jetën e Nënë Terezës në literaturën shkollore në Maqedoni. Ai beson se «ajo nuk po merr vlerësimin që e meriton, kryesisht për shkak të rrënjëve të saja shqiptare».

Një pikturë mbi 1.2 metërshe e murgeshës e cila së shpejti do të shpallet e shenjtë, dekoron apartamentin e tij. Dhe në ditën e pestë të secilit muaj, ish-udhëheqësi i radio-emisioneve i bashkohet urdhrit të Nënë Terezës – Misionarët e Bamirësisë – për të kremtuar një meshë speciale në nder të saj.

«Jam i mahnitur se ajo do të bëhet e shenjtë», ka thënë Sereci. Ai pranon se një gjë peshon rëndë në zemrën e tij.

«Nuk mund t’ia fal vetes që s’e takova asnjëherë», sqaron ai.