Le Figaro: Pas zgjedhjes president Thaçit mund t’i lëshohet një faturë – nga Gjykata Speciale

Gazeta konservatore franceze Le Figaro shkruan se Hashim Thaçi është i kërcënuar nga Gjykata Speciale me seli në Hagë për shkak të dyshimeve për keqtrajtim të të burgosurve serbë dhe romë.




Pas agjencisë franceze të lajmeve AFP, e cila njoftoi se ish-komisari politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, rrezikon të ballafaqohet me drejtësinë ndërkombëtare, edhe gazeta e njohur franceze Le Figaro është marrë me të ardhmen e Thaçit. Kjo e përditshme shkruan se pas zgjedhjes së Thaçit president të Kosovës atij mund t’i lëshohet një faturë. Ky 47-vjeçar, i zgjedhur president më 26 shkurt, është drejtpërdrejtë i prekur nga themelimi i Gjykatës Speciale në Hagë, që pritet të bëhet këtë vit. Gazeta shkruan se Thaçi konsiderohet përgjegjës për krime të kryera nga guerilja shqiptare, në radhët e së cilës ai ishte i njohur me nofkën «Gjarpri».

Le Figaro thekson se akuzat kundër Thaçit burojnë nga raporti i politikanit zviceran Dick Marty, i cili ka zhvilluar hetime si i ngarkuar i Këshillit të Europës. Marty beson se është zhvilluar tregti me organe të rreth 500 serbëve dhe romëve të burgosur nga guerilët shqiptarë. Sipas dëshmive që i ka gjetur Marty të burgosurit janë dërguar në Shqipërinë fqinje. Organet e tyre pastaj u shitën në klinika të huaja. Raporti flet edhe për ekzekutime dhe rrëmbime të kundërshtarëve të politikës së Thaçit. Gazeta citon ish-shefin e policisë së UNMIK-ut, kapitenin kanadez Stu Kellock, të ketë thënë për mediat e Beogradit se Thaçi nuk është akuzuar kurrë për aktivitetet e tij kriminale, ndonëse, sipas Kellock, ai kishte ndikim direkt në shumë veprime të paligjshme siç janë tregtia me drogë, gra, armë dhe kontrabandë të çdollojshme.

Le Figaro supozon se procesi i hetimit dhe gjykimit të figurave të UÇK-së mund të jetë shumë i ndërlikuar për shkak se në të kaluarën pjesëtarët e UÇK-së kanë frikësuar dëshmitarët. Por prokurori amerikan Clint Williamson beson se ka «dëshmi të bindshme» për t’i ndjekur ish-komandantët e gueriles shqiptare.

Gazeta supozon se si dëshmitar mund të thirret edhe Bernhard Kouchner, i cili si shef i UNMIK-ut në vitet 1999-2001 është akuzuar se ka mbyllur njërin sy përballë krimeve të UÇK-së. «Nuk mund të them se Kouchner ka ditur për tregti me organe, por është e pamundshme të mos ketë pasur informata për krimin e organizuar në Kosovë. Ai është informuar rregullisht nga krerët e policisë dhe mediumet e kanë pyetur shpesh atë për këtë temë», ka konfirmuar ish-zyrtari i UNMK-ut, Stu Kellock. Kouchner ka mohuar se ka penguar ndëshkimin guerilëve shqiptarë dhe i ka quajtur «bastardë dhe vrasës» ata që e kanë akuzuar se kishte informacion për tregti me organe.