Lajmet e mira me mëngjes…

Përtej «elitave» politike të mërzitshme dhe të gërditshme, Kosova dhe Shqipëria mund t’i ofrojnë botës perëndimore një imazh tjetër – me turizëm dhe mikpritje. Disa shembuj me specialistin zviceran të udhëtimeve Marco Wipfli dhe me futbollisten Kosovare Asllani.

Shqipëria nga deti: detaj nga Porto Palermo. Foto: E.R.



1.
Marco Wipfli drejton një agjenci udhëtimesh në Zvicër. «Meersicht», me pamje nga deti, kështu quhet agjencia. Ajo është e specializuar për organizimin e udhëtimeve në Kroaci, Shqipëri, Slloveni dhe Mal të Zi. Tash Wifpli thotë: «Dhe zbulimi im më i madh viteve të fundit ishte Kosova. Në kodrinat e blerta të Kosovës ndihem si në Appenzell (kanton zviceran). Vitin e ardhshëm këtë destinacion do ta fusim në katalog, përfshirë udhëtimet me veturë të marrë me qira dhe ecje në bjeshkë». Ka një interesim në rritje të zviceranëve për të vizituar viset shqiptare në Ballkan. Por Kosova dhe Shqipëria praktikisht nuk janë të pranishme në Zvicër me ofertat e tyre turistike. Njeriu mund të pyesë: çfarë bëjnë ministritë dhe institucionet përkatëse në Prishtinë dhe Tiranë? Me çka merren? Të dy vendet do të duhej të kishin një zyrë të turizmit në Zürich. Do të duhej të kishte reklama për Shqipërinë dhe Kosovën në mediat zvicerane. Do të mund të angazhohej një kompani kreative zvicerane, e cila do të bënte një strategji si të promovohen këto dy vende. Nuk është se nuk ka mjete. Çdo ditë lexojmë se si keqpërdoren mjete, harxhohen pa kontroll, vidhen. Përtej «elitave» politike të mërzitshme dhe të gërditshme, Kosova dhe Shqipëria mund t’i ofrojnë botës perëndimore një imazh tjetër – me turizëm dhe mikpritje.

Shqipëria tashmë ka hyrë në katalogët e agjencive zvicerane të udhëtimeve. Sivjet, pas shumë vitesh, kompania ajrore Swiss ka filluar fluturimet për në Tiranë, ndonëse çmimet nuk janë edhe aq të lira. Kompania e Edi Ramës dhe Rexhep Taip Erdoanit me emrin Air Albania zor se do të fluturojë në Zürich ndonjëherë. Po të kishte Shqipëria politikanë të mençur, partnerët për një kompani ajrore shqiptare do të kërkoheshin në Zvicër e Gjermani, te Lufthansa, e cila është pronare e Swiss. Nëse Turqia është në gjendje t’ia bëjë qejfin Edi Ramës duke e lyer e ngjyer një avion të Turkish Airlines për ta prezantuar si «kompani shqiptare», Zvicra e Gjermania do të ishin në gjendje të bënin diçka më shumë. Por për të bërë diçka më shumë, duhet pasur qeveri serioze, jo të atillë që s’arrin të garantojë as sigurinë në aeroport. Plaçkitja spektakulare e avionit të Austrian Airlines së fundi ka bërë jehonë edhe në mediat perëndimore.

2.
FIFA e ka kriminalizuar futbollin e burrave. Ndoshta edhe kjo është arsyeja që sivjet kishte më shumë interesim se zakonisht për futbollin e grave. Në Francë aktualisht po zhvillohet Kampionati Botëror i Futbollit për gra. Lojtarja kyçe e Suedisë është një kosovare. Që ajo është kosovare, këtë e tregon emri: Kosovare Asllani. Revista gjermane «Der Spiegel» raporton se ajo shënoi golin e parë për Suedinë në këtë turnir, po ashtu shënoi edhe kundër Tajlandës dhe u shpall lojtare e ndeshjes. Kundër SHBA-së ajo pati një shans të madh (Suedia humbi 0:2). Kundër Kanadasë pasimi i saj preciz mundësoi kalimin në epërsi (1:0) dhe arritjen e çerekfinales. Kosovare Asllani është shembull i integrimit në shoqërinë suedeze. Ajo thotë se është kosovare krenare, por njëkohësisht nënvizon: «Atdheu im është Suedia». Medaljen që e fitoi në Lojërat Olimpike në Rio ajo ua kushtoi të dyja vendeve – Suedisë dhe Kosovës. «Zemra ime u takon të dyja vendeve». Kosovare Asllani ka shkruar dy libra për fëmijë – një kontribut i saj për t’i inkurajuar vajzat që të integrohen në shoqërinë suedeze dhe të kenë sa më shumë vetëbesim. «Në zemrën time ato kanë ndezur një zjarr sa herë që kam pasur vështirësi», thotë ajo.