KYC: Kopjimi, problemi kryesor i Provimit të Maturës Shtetërore

Këshilli Rinor Kosovar – KYC për të pestën herë radhazi ka monitoruar procesin e Provimit të Maturës Shtetërore - Testi i parë, në 26 komuna të Kosovës në gjithsej 82 qendra të ndryshme testimi. Sipas monitorimeve në këto qendra, del se problem kryesor në organizimin e këtij provimi është kopjimi nëpërmjet pajisjeve teknologjike që mbështesin shërbime interneti.




Testimit këtë vit i janë nënshtruar afërsisht 30.000 kandidatë, të ndarë në 252 qendra testimi në total, nga 15-17 nxënës në klasa/paralele. KYC thotë se ka angazhuar rreth 70 monitorues dhe përgjegjës regjional, të cilët kanë raportuar vazhdimisht rreth ndodhive, incidenteve dhe mbarëvajtjes së testimit.

Sipas monitoruesve të cilët janë ndodhur një orë më herët në qendrat e testimit, testimi kryesisht nuk ka filluar me kohë për arsye të vonesave të administruesve, ngatërresave në listat e nxënësve dhe çështjeve të tjera teknike.

Ndërkaq, sipas konkluzioneve të monitoruesve përgjithësisht ambienti i mbajtjes së testimit ka qenë në nivelin e duhur përpos disa rasteve kur në klasë ka pasur zhurmë, dhe ndonjë rast ku nuk ka pasur dritë të mjaftueshme.

Dukuri shqetësuese edhe këtë vit mbeten rastet e administrimit të dobët, bashkëpunimit të nxënësve si dhe kopjimit sidomos nëpërmjet mjeteve teknologjike.

Sipas KYC, nga 82 qendra të testimit që janë monitoruar janë evidentuar rreth mbi 30.00 % të rasteve ku administrimi nuk ka qenë në nivelin e pritur, kjo për arsye që administruesit e caktuar nuk i janë përmbajtur rregullave dhe një pjesë e tyre edhe kanë ndihmuar nxënësit kohë pas kohe.

Po ashtu, sipas monitorimit, nga 82 qendra të testimit të monitoruara në rreth mbi 50.00 % të rasteve nxënësit kanë bashkëpunuar me njëri tjetrin dhe kanë kopjuar sidomos nëpërmjet mjeteve teknologjike. KYC ndër të tjera ka monitoruar faqet e mbyllura në rrjete sociale ku janë shpërndarë një numër i madh i testeve dhe përgjigjeve në të cilat nxënësit kanë pasur qasje të vazhdueshme.

Për raste bashkëpunimi, kopjimi dhe përdorim të mjeteve teknologjike kryesisht celularëve nga procesi i testimit janë përjashtuar rreth 24 nxënës evidentuar në qendrat e testimit të monitoruara nga KYC.

Këshilli Rinor Kosovar ka monitoruar 82 qendra të testimit në 26 komuna të Kosovës, në Prishtinë, Prizren, Shtërpcë, Shtime, Skenderaj, Suharekë, Vushtrri, Pejë, Obiliq, Novobërdë, Mitrovicë, Malishevë, Deçan, Dragash, Drenas, Ferizaj, Fushë Kosovë, Gjakovë, Gjilan, Hani i Elezit, Lipjan, Klinë, Kamenicë, Kaçanik, Junik dhe Istog.

Pas përpunimit të dhënave nga tereni, Këshilli Rinor Kosovar thotë se do të publikoj raportin përfundimtar të monitorimit të Testit të Maturës.