Kushte të rënda për qentë në strehimoren e Graçanicës

Mbi 200 qen endacakë në strehimoren e Graçanicës janë në gjendje të mjerueshme. Kjo për shkak të kushteve të rënda të strehimores, e cila nuk mbështetet nga askush.




Aktualisht buxhet të sigurt ka vetëm për pagat e pesë punëtorëve, të cilin e ndan Komuna e Graçanicës, shkruan sot «Koha Ditore».

Flora Bujupi, aktiviste për mbrojtjen e kafshëve, ka thënë se me ata qen nuk po merret askush. Ajo ka bërë të ditur se mbi 200 qen endacakë mbahen në ambiente të infektuara dhe rrezikohen nga sëmundje ngjitëse.

«Unë vetë jam dëshmitare e kësaj gjendjeje, pasi që në shkurt të këtij viti kam punuar si vullnetare dy javë radhazi. Kam shkuar çdo ditë me taksi në punë që t’i mbaj në jetë këlyshët e vegjël të cilët luftonin për jetën e tyre. I kishin lënë në strehimore pa nënat e tyre, kishin mbetur pa ushqim. Gjithashtu strehimorja është e infektuar me sëmundje ngjitëse, siç janë parvo dhe distemper. Këto sëmundje janë vdekjeprurëse sidomos kur kafsha nuk është e vaksinuar», ka thënë Bujupi.