Kur Hitleri e vodhi lepurin ngjyrë rozë

Një film fantastik i xhiruar sipas motiveve të romanit të autores Judith Kerr.




«Kur Hitleri e vodhi lepurin ngjyrë rozë» – këtë titull e mban libri autobiografik i autores Judith Kerr, botuar më 1971, një bestseller ndërkombëtar. Këtë titull e bart edhe filmi i regjisores gjermane Caroline Link, i cili këto ditë po shfaqet në kinematë e Gjermanisë, Zvicrës dhe Austrisë.

Për çka bëhet fjalë në këtë film fantastik? Pak para zgjedhjeve në Gjermani më 1933, zgjedhje këto që e sollën në pushtet Adolf Hitlerin, gazetari kritik hebraik Arthur Kemper largohet nga Gjermania, pas tij ikën edhe familja. Kemper ishte paralajmëruar se në rast të fitores së partisë së Hitlerit, ai mund të pësojë. Së pari familjes Kemper do t’i konfiskoheshin pasaportat, pastaj do të përfundonte në njërin nga kampet e shfarosjes, aty ku me morbiditet industrial gjerman vriteshin hebrenjtë.

Për të mos rënë në sy, familja nuk merr shumë gjëra me vete, andaj Anna e vogël, e bija e Arthur Kemperit, e lë në Berlin lepurin e saj të dashur, lepurin ngjyrë rozë, një lodër. Familja Kemper arrin në Zvicër, në një fshat të kantonit Graubünden, ku shijon specialitetin e njohur si rakletë. Djali i Arthur Kemper, Max (Maksi) thotë se djathi rakletë ka shijen e çorapeve të vjetra.

Arthur Kemper nuk arrin të gjejë punë në Zvicër dhe vendos të shpërngulet në Paris, ku shpreson se do të punojë për një gazetë të komunitetit hebraik. Në Paris Anna dhe vëllai i saj brenda një kohe rekorde mësojnë frëngjisht, por babai i tyre nuk ka mundësi financiare të mbajë familjen. As në Paris ai nuk gjeti punë. Kështu familja u detyrua të vazhdojë rrugën e ekzilit drejt Anglisë. Këtu edhe mbaron filmi.

Deri te kjo skenë shikuesit nuk i prezantohet tmerri në Gjermani, por në prapavijë ky tmerr ndihet si kërcënim, si pasiguri. Lajmet nga atdheu vijnë përmes panoramave me fjalë të koduara. Anna dhe Max kanë vetëm një pyetje: kur kthehemi në atdhe? Nuk e di, përgjigjet babai i tyre, dhe i ngushëllon fëmijët duke u thënë – po edhe jeta në ekzil është interesante. «Nuk të pengon që je refugjat?», e pyet Anna babanë e saj në një anije në liqenin e Zürichut. «Është shumë interesant», përgjigjet babai duke qeshur hidhur.